1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jeta në burgjet e Shqipërisë

Ani Ruci22 Nëntor 2013

Respektim i të drejtave të pakicave është një nga çështjet ku Komisioni Europian në Raport Progresin 2013 për Shqipërinë është mjaft kritik. Edhe njerëzit me liri të kufizuar bëjnë pjesë në këto pakica të shoqërisë.

https://p.dw.com/p/1AMJD
Fotografi: picture-alliance/dpa

Një i burgosur në burgun e Tiranës, i dënuar për veprimtari kriminale, rrezikon të humbasë jetën nga këmba e gangrenizuar, si pasojë e plagosjes nga policia gjatë aksionit për kapjen e rrjetit kriminal ku bënte pjesë edhe ai. Shteti, i përfaqësuar në këtë rast nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë nuk ka mundësi financiare për ta kuruar. Çdo ditë që ikën gangrena zgjatet dhe orët e jetës së tij shkurtohen. Ky rast është më flagranti që po ndjek Komiteti Shqiptar i Helsinkit lidhur me respektimin e të drejtës së jetës edhe për të burgosurit, si një grup që bën pjesë në pakicat e shoqërisë. Vjollca Meçaj, Drejtore e Ekzekutive e këtij Komiteti, juriste e mirënjohur në Shqipëri thotë për DW, se rasti ngjall shqetësim të madh lidhur me këtë të drejtë bazë, pa të cilën të gjitha të drejtat e tjera të njeriut janë të parealizueshme.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit monitoron aspekte të çështjeve shëndetësore, brenda kuadrit të të drejtave të njeriut, të personave që janë me liri të kufizuar, pra duke vuajtur një dënim penal, atyre që janë në paraburgim, presin një gjykim apo që policia i ka shoqëruar në komisariatet për përfshirje në veprimtari kriminale”, thotë Vjollca Meçaj.

Në foto, Vjollca Meçaj
Në foto, Vjollca MeçajFotografi: DW

Në të gjitha këto raste jeta e izoluar brenda mureve rrit mundësitë e sëmundjeve apo të transmetimit të tyre mes të burgosurve. Dhe për të drejtën e tyre të jetës, përgjegjës është vetëm shteti që i ka marrë në ngarkim, i cili, thekson Meçaj, duhet të mbajë qëndrime proaktive që të garantojnë këtë të drejtë.

Rritja e të sëmurëve mendorë në burgjet e Shqipërisë

Sipas statistikave zyrtare në sistemin e burgjeve të Shqipërisë ka rreth 4.750 persona të burgosur, nga të cilët 331 syresh janë të diagnostikuar me çrregullime mendore. Pjesa më e madhe e tyre janë njerëz që para se të kryenin një vepër penale nuk kishin qenë të sëmurë mendorë. Sipas psikologëve trauma e izolimit përbën një nga motivet bazë që shtyn drejt çrregullimeve dhe sëmundjeve mendore.

“Numri i të burgosurve me çrregullime dhe sëmundje mendore në institucionet e izolimit, burgjet dhe sallat e paraburgimit në komisariatet e policisë ka ardhur duke u rritur. Këta lloj të ndaluarish kërkojnë trajtim nga shërbimi psiko-social dhe ambiente më vete. Nga monitorimet e Komitetit Shqiptar të Helsinkit rezulton që në të gjithë sistemin e burgjeve të Shqipërisë ka vetëm një mjeke psikiatre, që ndodhet në spitalin e burgut, në Tiranë. Vetë ky spital nuk funksionon si i tillë pasi nuk ka as personel mjekësor dhe as infrastrukturë. Në këto kushte të burgosurit duhet të kurohen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”kur shërbimi mjekësor publik ka planifikimet e veta ditore dhe prurjet nga burgjet janë të paplanifikuara, fakt që e lë zvarrë mjekimin e tyre”, shpjegon Drejtorja Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj. Kjo situatë bie ndesh me të drejtën e njeriut për jetën dhe kujdesin shëndetësor, e drejtë që nuk humbet edhe për personat që izolohen se kanë kryer një vepër penale.

“Fakti që shteti është përgjegjës për jetën e të burgosurve rrit përgjegjësinë e shtetit për ta garantuar të drejtën e jetës dhe të kujdesit shëndetësor. Nëse dikush prej tyre do të vdesë në burg sepse nuk është i mjekuar, atëhere kemi një rast të pastër torture dhe cënim ekstrem të të drejtave të njeriut”, thekson Meçaj.

Situata ndërlikohet edhe më tej. Ka mjaft raste kur personat e ndaluar që kanë çrregullime dhe sëmundje mendore nuk vendosen në një mjedis të ndarë nga të burgosurit që nuk vuajnë nga këto sëmundje. Ndryshimi i kësaj situate mbetet një nga kërkesat që Shqipëria duhet të plotësojë për të bërë progres në procesin e anëtarësimit të BE.

Persona të shpallur të papërgjegjshëm nga Gjykatat – ndodhen të burgosur

Në burgjet e Shqipërisë ka edhe një kategori tjetër qytetarësh, që kanë kryer vepra penale dhe u cënohet e drejta e jetës. Këta janë personat e shpallur nga Gjykata si të papërgjegjshëm.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Marc Dietrich-Fotolia.com

“Gjykata, në bazë të ekspertizës, edhe kur kanë kryer vepër penale, i shpall këta persona të papërgjegjshëm. Ajo urdhëron mjekimin e tyre ambulator ose të detyruar. Në këtë rast nuk ka vendim penal, nuk ka dënim por një masë mjekësore, që këta qytetarë të kurohen dhe të jenë të padëmshëm për shoqërinë. Për fat të keq Komiteti Shqitar i Helsinkit një pjesë të mirë të tyre i gjen sot në burg. Në një shtet ligjor dhe demokratik, asnjë institucion nuk mund të përcaktojë dënime të tjera përveç atyre që jep gjykata. Atyre u prezumohet pafajësia, si mund të çohen në burg persona të tillë? Në kodin penal, mbajtja e njeriut në burg pa qenë i dënuar quhet vepër penale”, thotë Meçaj.

Ndryshimi - nga duhet të fillojë ai?

Respektim i të drejtave të pakicave është një nga çështjet ku Komisioni Europian në Raport Progresin 2013 për Shqipërinë është mjaft kritik dhe kërkon përmirësim. Edhe njerëzit me liri të kufizuar bëjnë pjesë në këto pakica të shoqërisë. Progresi në këtë drejtim përbën një kusht në realizimin e shpresave të Shqipërisë për të marrë në dhjetor statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Komiteti Shqitar i Helsinkit ka filluar negociatat me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ajo që po kërkojmë së pari është që mjekët që shërbejnë në burgje të mos varen sideri më tani nga Ministria e Drejtësisë por nga Ministria e Shëndetësisë, si gjithë kolegët e tyre të tjerë. Kjo krijon mundësi për kualifikimin e tyre dhe për një shërbim më të mirë ndaj të burgosurve. Kjo do të shmangte edhe rastet kur për shkak të vartësisë nga Drejtoria e Burgjeve, mjekët nuk thonë gjithë të vërtetën psh kur në raste sporadike të burgosurit dhunohen nga stafi i burgut dhe mjekët nuk janë të predispozuar të bëjnë mjekim”, thotë Meçaj.

Shqipëria ka një paketë të mirë ligjore, të standarteve europiane ku një rol të rëndësishëm luan e drejta e shoqërisë civile për të monitoruar respektimin e të drejtave të njerëzve me problem të shëndetit mendor. Të gjitha parimet fisnike të Konventave Ndërkombëtare për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ku Shqipëria është palë, me në krye të drejtën për jetën duhet të transformohen edhe në Shqipëri, si në të gjithë botën, në të drejta dhe detyrime ligjore konkrete dhe të patjetërsueshme.