1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shkathtësi diplomatike dhe forcë drejtuese: Anders Fog Rasmusen

Ndërrim stafete në NATO. Sekretari i Përgjithshëm i tanishëm i NATO-s Jap de Hop Skefer largohet. Pasardhësi i tij është Anders Fog Rasmusen. Politikani profesionist ka dëshmuar shkathtësi diplomatike dhe forcë drejtuese

Ka treguar shkathtësi diplomatike dhe forcë drejtimi: Anders Fog Rasmusen

Ka treguar shkathtësi diplomatike dhe forcë drejtimi: Anders Fog Rasmusen

Kundërshtimet e botës islame ndaj Rasmusenit për shkak të karikaturave janë absurde

Ish-kryeministri danez Anders Fog Rasmusen (Anders Fogh Rasmusen) mund të akuzohet për shumë gjëra, por me siguri jo që të ketë fyer fenë islame apo myslimanët ose që të ketë mbajtur qëndrim të gabuar ndaj së ashtuquajturës grindje për karikaturat në vitin 2005. Kundërshtimet e botës islame në këtë drejtim janë absurde. Atëherë Rasmuseni vetëm i dha prioritet të lartë lirisë së shtypit. Ai nuk mundej dhe nuk donte ta ndalonte botimin e karikaturave kritike ndaj fesë islame në gazetat daneze, sepse nuk e kishte të drejtën për ta bërë këtë dhe sepse si kryetar i qeverisë nuk mund të ndërhynte në lirinë e mendimit dhe në atë të shtypit.

Anders Fog Rasmuseni nuk u step nga kritikat dhe dëshmoi forcë drejtuese

Anders Fog Rasmuseni, me gjithë kritikën e ashpër dhe me gjithë sulmet ndaj institucioneve daneze në vendet arabe, nuk u step. Ai nuk u rrëzua dhe dëshmoi forcë drejtuese. Për këtë ai meriton respekt. Sipas vetëkonceptimit, NATO-ja nuk është vetëm aleancë ushtarake, por edhe bashkësi vlerash, në të cilën liria e shtypit qëndron fare lart.

Në samitin e NATO-s në prill Turqia qëndronte e vetmuar me argumentat e saj

Argumenti i Turqisë, i paraqitur gjoja në emër të aleatëve myslimanë, se Rasmusen-i duhet të kishte kërkuar falje dhe se ishte tepër kritik ndaj myslimanëve, është absurd. Liberal-konservatori danez i mbron bindjet e veta dhe mirë bën. Në rast se do të ishte përkulur përballë trysnisë së akuzave të rreme, atëherë nuk do të kishte qenë i pranueshëm si personalitet drejtues dhe jo anasjelltas, siç arsyetoi Turqia. Në samitin e NATO-s në prill u bë shumë shpejt e qartë se Turqia qëndronte e vetmuar me argumentat e saj. Të gjithë partnerët e tjerë të NATO-s përkrahnin Rasmusen-in.

Mund të kritikohet "jo"-ja e tij fillestare ndaj pranimit të Turqisë në BE. Por ai nuk është armik i fesë islame

Mund të kritikohet që Anders Fog Rasmuseni qëndronte në besnikëri të pakusht ndaj George W. Bush dhe që mbështeti luftën e Irakut. Mund të kritikohet ndryshimi i tij i kursit në politikën e brendshme daneze dhe politika e tij e ashpër ndaj të huajve. Mund të kritikohet "jo"-ja e tij fillestare ndaj pranimit të Turqisë në BE. Por për kaq ai nuk është armik i fesë islame dhe i papërshtatshëm për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga ana e karakterit dhe ajo morale.

Rasmuseni duhet të gjejë një strategji të re dhe t'i japë NATO-s një drejtim të ri

E kundërta është e vërtetë: Pikërisht në krye të NATO-s politikanit plotësisht profesionist, 56-vjeçarit Rasmusen, do t'i duhen talentet e veta shkathtësi diplomatike dhe intuitë pushteti, që ka dëshmuar ai. Atij do t'i duhet të bashkojë interesat e 28 shteteve anëtare. Ai duhet të gjejë një strategji të re dhe t'i japë NATO-s një drejtim të ri. Ndërsa SHBA-ja kërkon të formojë një polic botëror, partnerët evropianolindorë shpresojnë prej saj t' i mbrojë nga Rusia. Gjermania me pozicionin e saj në mes është e pavendosur. Këto janë sfidat e vërteta për danezin, i cili arriti që në vitin 2002 suksese të mëdha si ndërmjetës, gjatë takimit të BE-së në Kopenhagë.

Danezi do të marrë parasysh ndieshmërinë në hapësirën arabe

NATO-ja duhet të përmbushë nën drejtimin e Rasmusen-it detyrat e saj në Afganistan. Sidoqoftë, talibanët e shohin NATO-n si armikun e tyre, me apo pa Rasmusen-in. Danezi do të marrë parasysh ndieshmërinë në hapësirën arabe dhe do të përsërisë zotimin e tij serioz për respektim të besimeve, të të gjitha besimeve. Grindja iracionale për karikaturat e Muhametit nuk duhet të luaj më rol, pasi kërcënimet reale janë më të rënda: terrorizmi, përhapja e materialit për armë bërthamore, lufta kibernetike, migrimi i pakontrollueshëm.

Kundër stacionit kurd Roj TV, të afërt me PKK-në, po vazhdon në Danimarkë procedura hetimore e kërkuar prej Turqisë. Roj TV transmeton ende, por ai ka probleme me autoritetet edhe në Belgjikë dhe në Gjermani. Këtë çështje delikate, Rasmusen-i ia ka lënë pasardhësit të tij në postin e kryeministrit. Por edhe kjo grindje me Turqinë nuk e diskualifikon kurrsesi danezin si shef të NATO-s.

Në Danimarkë imazhin e Rasmusen-it mund ta cënojë e shoqja

Në Danimarkë, imazhin e Anders Fog Rasmusen-it mund ta cënojë një histori krejt tjetër. E shoqja e tij Ane- Mete (Anne-Mette) po bën karrierë si kandidate në emisione televizive vuajeriste, matufepsëse. Në vjeshtë ajo do të paraqitet si "e burgosur në një fortesë", ku do t'i duhet të kacavirret dhe të hajë shumë insekte të neveritshme.


Autor: Bernd Rigert

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 31.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J0md
  • Data 31.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J0md