1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkatërrohet qeveria e Serbisë, Koshtunica jep dorëheqje

Bahri Cani8 Mars 2008

Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica zhvilloi një takim të jashtëzakonshëm me gazetarë dhe parlajmëroi dorëhehqjen. Zgjedhjet e parakohshme me 11 maj?

https://p.dw.com/p/DLAg
Vojisllav KoshtunicaFotografi: AP

"Qeveria e Serbisë më nuk po funksionon dhe të hënën do të kërkojë nga presidenti Boris Tadiq, që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të zhvillohen me 11 maj."

Kështu u shpreh kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica në një tëkim të jashtëzakonshëm me gazetarë. Kryeministri Koshtunica tha se në Qeveri nuk ekziston politika unike ndaj mbetjes së Kosovës në kuadër të Serbisë. "Pa një politikë unike, nuk mund të funksionojë as qeveria. Prandaj kam vendosur që mandatin t'ia kthejë popullit", theksoi Koshtunica, i cili parlajmëroi se në seancën e qeverisë, të hënën, do të hartohet propozimi që zgjedhjet parlamentare të mbahen së bashku me ato lokale, me 11 maj. Me këtë vendim janë njoftuar edhe Partia Demokratike e Boris Tadiqit dhe partia më e madhe opozitare, Partia Radikale serbe.

Koshtunica është i mendimit se kjo është zgjidhja më e mirë, sepse do të krijohet një qeveri e re funksionale. Ai tha se deri tani nuk ka pasur konsultime me radikalët, për shkarkimin e parlamentit, krijimin e ndonjë koalicioni tjetër qeveritar apo mbështetjen e qeverisë pakicë.

Sa i përket raporteve në koalicionin qeveritar, Koshtunica theksoi se nga partnerët ka pritur që të mbështesin politikën e integritetit territorial të Serbisë, së bashku me Kosovën, por ata kanë refuzuar këtë dhe nuk është arritur uniteti i duhur ndaj kësaj cështjeje. "Të gjitha partitë duan që Serbia të futen në BE - dallimet janë me apo pa Kosovën. BE u ka mundësuar shteteve anëtare që ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe kanë shkelur rezolutën 1244 të KS të OKB", theksoi Koshtunica i cili shpreson se rënja e qeverisë nuk do të pasohet me destabilizimin e vendit.