1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkallëzimi i grindjeve turko-izraelite

3 Shtator 2011

Konflikti në heshtje i muajve të fundit mes Turqisë dhe Izraelit ka shkallëzuar pas bërjes publike të raportit të OKB për incidentet në maj të vitit të kaluar dhe vrasjes në një anije të nëntë shtetasve turkë.

https://p.dw.com/p/12SVn

Gaby Levy nuk do të kthehet në vendin e tij të punës në Turqi. Ambasadori izraelit, i cili aktualisht gjendet në vendlindje, prej të premtes llogaritet si ambasador i larguar nga Turqia. Ministri i Jashtëm Ahmed Davutoglu tha se Turqia ka vendosur të ulë raportet me Izraelin në një nivel më të ulët. 

„Raportet turko-izraelite do të ulen në shkallë të dytë. Personeli mbi këtë nivel do të kthehet në vendet prej nga është dërguar. Pezullohen edhe të gjitha marrëveshjet ushtarake midis Turqisë dhe Izraelit", tha ai.   

Izraeli duhet të kërkojë falje

Turqia reagoi në këtë mënyrë pasi që Izraeli ka refuzuar të kërkojë falje për shkak të vrasjes së nënshtetasve turkë. Ankaraja bën të ditur se tani do të zbatohen kërcënimet e muajve të kaluar.

Flamuri i Turqisë dhe vendeve tjera arabe.
Turqia dhe bota arabeFotografi: AP/DW/MontageDW

„Këtë të premte kemi arritur pikën kur Izreali ka refuzuar të gjitha ofertat tona. Ka ardhur koha që qeveria izraelite të paguajë çmimin, për faktin se veten e sheh mbi ligje dhe ndërmerr aksione ilegale, pa respektuar vlerat njerëzore. Çmimi që duhet të paguajë është humbja e miqësisë turke", tha ministri Davutoglu.

Gjatë një operacioni ushtarak izraelit në maj të vitit të kaluar janë vrarë në ujërat ndërkombëtare, në një anije që dërgonte ndihma për palestinezët, nëntë aktivistë turkë për të drejtat e njeriut.

Ekipi hetues i OKB-së ka paraqitur një raport ku thuhet se aksionet izraelite për bllokimin e Rripit të Gazës janë legjitime, por jo edhe vrasja e këtyre njerëzve. Në raport të dy vendeve u bëhet thirrje për qetësimin e situatës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon ka shprehur "shqetësim të thellë" për shkak të tendosjeve të fundit mes Turqisë dhe Izraelit. Edhe presidenti amerikan Barack Obama u ka bërë thirrje të dy vendeve për uljen e tensioneve dhe normalizimin e raporteve.

Masat tjera kundër Izraelit

Por presidenti i Turqisë Abdullah Gül ka paralajmëruar dhe hapa të tjerë, në qoftë se Izraeli nuk kërkon falje dhe nuk paguan dëmshpërblimin për personat e vrarë. Si vendi më i fuqishëm në rajon, Turqia do t'i mbrojë të drejtat e shtetasve të saj dhe njerëzve në nevojë. Këtë duhet ta dijë edhe bashkësia ndërkombëtare, theksoi Gül. Masa të tjera paralajmëroi edhe ministri i Jashtëm Davutoglu.

"Turqia do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të domosdoshme për të siguruar lëvizjen e lirë të anijeve në Detin Mesdhe. Turqia nuk e njeh bllokadën izraelite të Rripit të Gazës. Ajo do të kërkojë që me këtë çështje të përballet edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë“, tha ai.

Rritjen e tensioneve konfirmon edhe deklarata e fundit e kryeministri të Turqisë Erdogan i cili tha se vendi i tij do të mbështetë në mënyrë aktive kërkesat e palestinezëve për shtet, në qoftë se Izraeli nuk kërkon falje. Ai tha se së shpejti do të vizitojë edhe Rripin e Gazës.

Recep Tayyip Erdogan
Recep Tayyip ErdoganFotografi: picture alliance/dpa

Izraeli refuzon kërkesat turke

Ndërkohë Izraeli edhe një herë ka theksuar se nuk do të kërkojë falje prej Turqisë. Qeveria izraelite pohon se aksionet e forcave të saj ushtarake ishin legjitime. Ish këshilltari për çështje sigurie i qeverisë izraelite, Giora Eiland pohon: „Nëse ne kërkojmë falje do të pranonim se aksionet e ushtarëve tanë nuk ishin korrekte. Kjo mund të shërbejë si bazë për ngritjen e aktakuzave kundër tyre. Mendoj se Izraeli me të gjitha mjetet duhet të refuzojë që të kërkojë falje, sepse më pas mund të vijnë edhe kërkesa të tjera.“

Giora Eiland është i mendimit se Izraeli duhet të jetë i gatshëm të përballet me të gjitha konseguencat e mundshme, siç është tërheqja e ambasadorëve, apo dhe masat tjera.

„Është ky një zhvillim që ne me siguri nuk e duam, por ky është një vendim i Turqisë të cilin ne nuk mund ta ndryshojmë. Ne nuk duhet të tërhiqemi para presioneve të Turqisë", thotë ai.

Autor: Reinhard Baumgarten/Friederike Schulz/Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani