1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shkallëzohet protesta e studentëve në Prishtinë

33 protestues arrestohen dhe 29 policë lëndohen gjatë protestës para rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës për abuzim me gradën shkencore

Protesta e nisur para një jave e studentëve, të cilëve iu bashkuan edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe disa profesorë shkallëzoi të premten (07.02.2014) me përleshje mes protetsuesve dhe policisë. Të paktën 29 policë dhe disa protestues, numri i të cilëve nuk dihet, janë lënduar gjatë protestëspara Rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi. Ky i fundit sipas protestuesve ka publikuar punime shkencore në një revistë fiktive në Indi, të cilat i kanë mundësuar atij avancimin akademik deri në zgjedhjen rektor.

Një zëdhënës i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, thotë se policia ka arrestuar 33 protestues, ndërkaq, nuk e di numrin e protestuesve që pësuan lëndime gjatë përleshjes me policinë. "Studentët kanë përdorur mjete të forta, por edhe mjete të tjera, bojëra dhe solucione tretëse ende të paidentifikuara, që u kanë shkaktuar lëndime të ndryshme policëve. Policia ka përdorur gazin lotsjellës për ta shpërndarë turmën para rektoratit", thotë Agron Borovic.

Ndërkohë, nga Qendra Klinike Universitare e Prishtinës, bëhet e ditur se të paktën dhjetë protestues kanë kërkuar ndihmën mjekësore për lëndime të ndryshme, që kanë marrë gjatë përleshjes me policinë.

Debati në parlament

Ka dy ditë që edhe Parlamenti i Kosovës po debaton lidhur me gjendjen e krijuar në Universitetin e Prishtinës. "Lidhja Demokratike e Kosovës" në opozitë në bashkëpunim edhe me dy subjektet opozitare "Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës" dhe Lëvizja "Vetëvendosja", inicoi debatin duke nxjerrë edhe një sërë rekomandimesh, ndër to edhe kërkesa për dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi dhe shkarkimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës. Këto rekomandime nuk u votuan në parlament për shkak se nuk kishte kuorum të mjaftueshëm në sallën plenare, pasi koalicioni qeveritar nuk pajtohet me rekomandimet e opozitës.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ndërkaq, në një komunikatë për media shprehet "tejet i shqetësuar me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës dhe me implikimet e thella politike, në këto zhvillime, që për fat të keq sot kanë shkallëzuar edhe në akte të dhunshme". Ky këshill thotë se ka filluar procedurën e adresimit të përgjegjësisë për të gjithë stafin e Universitetit të Prishtinës duke filluar nga Rektori. "Konsiderojmë se në një situatë të tillë, rekomandimi i një pjese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për dorëheqjen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, është i kundërligjshëm dhe ndërhyrje flagrante në autonominë e universitetit. Për më tepër kjo masë e propozuar nuk e ndihmon zgjidhjen e problemit dhe druajmë se krijon hapësirë për një anarki totale", thuhet në njoftimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës, thotë se situata e krijuar është e papranueshme dhe u pamundëson atyre që t'i kryejnë detyrat e veta.

Ndërkohë, tetë organizata të shoqërisë civile, që e mbështesin protestën e studentëve për dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, kanë reaguar pas arrestimit të njërit prej drejtusve të institutit KIPRED, Ilir Deda, i cili ishte pjesë e protestës. "Policia ka arrestuar z. Deda në kohën kur ai po provonte të bisedonte me policinë për të qetësuar protestën. Arrestimi i studentëve dhe i pjesëtarëve të shoqërisë civile është akt jodemokratik dhe cënon lirinë e asociimit, si një e drejtë e garantuar me kushtetutë", thuhet në reagimin e institutit, KIPRED.

Grupi i studentëve, që po kërkojnë dorëheqjen e rektorit të Universitetit të Prishtinës, ka paralajmëruar protesta edhe gjatë ditëve të ardhshme.