1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran GB Botschaft

30 Nëntor 2011

Të martën (29.11.) disa demonstruesë pushtuan ambasadën britanike në Teheran. Kush janë studentët që sulmuan ambasadën dhe çfarë fshihet pas këtij aksioni?

https://p.dw.com/p/13Jb9
Ambasada britanike, Iran
Ambasada britanike, IranFotografi: dapd

Pamjet e shfaqura në televizionin iranian flasin vetë: një turmë e madhe njerëzish tubohen para ambasadës britanike, burrat në ballë ndërsa gratë e mbuluara me të zeza pas tyre. Ata thërrasin parrulla kundër "Engelis" kundër Britanisë së Madhe. Rreth 20 vetë të zemëruar ngjiten në murin e ambasadës britanike, forcat e sigurisë vështrojnë duarkryq. Pastaj fluturojnë letra dhe sende të tjera që siç duket janë plaçkitur nga zyrat e ambasadës. Në dy ndërtesat e pushtuara britanike sipas zaptuesve janë konfiskuar "dokumente tepër delikate", të cilat dëshmojnë për aktivitetet e dyshuara të spiunazhit të Britanisë së Madhe në Iran.

Pas pushtimit të ambasadës britanike të martën, zaptuesit lexuan me shumë nxitim një deklaratë zyrtare. Në të thuhej. "Aksioni ynë është një reagim spontan i studentëve revolucionarë dhe nuk është urdhëruar nga ndonjë organ shtetëror". Ai i shërben vetëm interesave të popullit iranian. Pak para leximit të kësaj deklarate Morteza Talai, një anëtar i këshillit të qytetit të Teheranit, në një shkrim për faqen e internetit të gazetës proqeveritare Jame Jam, përshëndeti me fjalë të njëjta aksionin e studentëve islamistë.

Ambasada britanike, Iran
Ambasada britanike, IranFotografi: dapd

Çka fshihet pas aksionit?

Vëzhguesit politikë si brenda ashtu dhe jashtë vendit flasin për një aksion të organizuar shtetëror. Dr. Hamid Etemad (emri i ndryshuar nga redaksia), ligjërues në një universitetit iranian dhe ekspert i të drejtës ndërkombëtare është i sigurt se: "një veprim i tillë ku shkelet e drejta ndërkombëtare, nuk mund të ndodhë pa dritën jeshile të vendimarrësve politikë." Edhe Omid Nouripour, ekspert i Iranit i të Gjelbërve gjerman, flet për një fushatë të organizuar. Në mesin e demonstruesve ishin aktive edhe forca që kanë qenë të pranishme edhe në shtypjen brutale të lëvizjes së demokracisë iraniane, thotë zëdhënësi i politikës së jashtme të grupit parlamentar të të Gjelbërve. Me sa duket, ekstremistët në regjimin iranian u përpoqën të shuajnë grindjet në udhëheqjen e Teheranit, thekson Nouripour.

Eksperti që jeton në Berlin, Dr. Mahran Barati është i mendimit se një aksion i tillë është dashur të pritet nga ana e Iranit. Ky ishte një reagim i dëshpëruar i regjimit iranian ndaj sanksioneve të reja ekonomike kundër vendit. Vendimi i Britanisë së Madhe për të bojkotuar Bankën Qendrore iraniane ka goditur një nga damarët kryesorë të ekonomisë iraniane, thotë Barati. Me vendimin e Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe SHBA-ve për të ndaluar blerjet e karburanteve nga Irani është prekur një prej "arterieve kryesore të regjimit". Këto tre vende kanë reaguar ndaj raportit të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), në të cilin për herë të parë ishin renditur "prova të besueshme", për një dimension ushtarak të programit bërthamor të Iranit.

Ambasada britanike, Iran
Ambasada britanike, IranFotografi: dapd

„Deklaratë e maskuar e luftës"

Po kush qëndron prapa aksionit "revolucionar" të studentëve islamistë? Në Republikën Islamike, ka vite që nuk ekzsitojnë më struktura të qarta të pushtetit. Ekstremistët është e vërtetë se dalëngadalë kanë futur në duart e tyre të gjitha levat e pushtetit, por të paktën që nga zgjedhjet e kontestuara presidenciale ka disa grupe brenda konservatorëve, që luftojnë njëri-tjetrin.

Pavarësisht se kush mund të ketë dhënë urdhërin për zaptimin e ambasadës, nënvizon Masih Alijejad, gazetare dhe për një kohë të gjatë vëzhguese e zhvillimeve në parlamentin iranian, pas aksionit fshihet një deklaratë e maskuar lufte: "Ambasada e një vendi është pjesë e sovranitetit territorial të tij. Nëse ajo sulmohet atëherë me të përpiqet të dërgohet një mesazh i caktuar."

Autor: Farhad Payar / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama