1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shkaku Kosova - Përkeqësim i marrëdhënieve Serbi - Mal i Zi ?

Pasi qeveria malazeze vendosi marrëdhënie diplomatike me Kosovën, Beogradi paralajmëroi se raportet mes Malit të Zi dhe Serbisë do të përkeqësohen. Por Podgorica thotë se nuk do të ketë përkeqësim të marrëdhënieve.

Harta e Ballkanit

Harta e Ballkanit

Në Beograd dhe Podgoricë analistët janë të mendimit se Serbia nuk do të ndërmarrë asnjë hap drastik diplomatik, siç do të ishte dëbimi i ambasadorit malazez nga Beogradi. Tërheqja e ambasadorit serb në Podgoricë, Zoran Lutovac për konsultime në Beograd është masa më e butë diplomatike.

Serbia është shumë e ndjeshme ndaj Malit të Zi

Aleksander Popov, nga Qendra për rajonalizëm thotë se pas vendimit të Malit të Zi që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën do të kemi një periudhë me raporte shumë të ftohta në mes të Podgoricës dhe Beogradit. Ai vlerëson se vendimi i qeverisë serbe për tërheqjen e ambasadorit Lutovac për konsultime në Beograd ka qenë një hap i pritur, sepse Serbia reagon gjithnjë më ashpër ndaj veprimeve të Malit të Zi dhe Maqedonisë, se sa ndaj veprimeve të shteteve tjera. Në këtë mënyrë me tërheqjen e ambasadorit nga Podgorica, Beogradi ka dashur të shprehë pakënaqësinë e madhe.

Popov mendon se Serbia është shumë e ndjeshme ndaj veprimeve të Malit të Zi pasi që atë e konsideron si shtetin më të afërt. "Nuk e justifikoj reagimin e vrullshëm të Serbisë ndaj Malit të Zi dhe mendoj se qeveria e Serbisë nuk është dashur të reagojë kaq ashpër kundrejt një vendi më të vogël. Nëse duam drejtësi atëherë reagimi më i ashpër është dashur të jetë ndaj SHBA-së, e cila i prin procesit për njohjen e pavarësisë së Kosovës e jo ndaj Malit të Zi, një vend i vogël i cili është ende në presion për vendosjen e marrëdhënieve me Kosovën".

Marrëdhënie mes dy shteteve të pavarura, që kanë interesat e tyre

Redaktori i të përditshmes malazeze "Vijesti" Nedeljko Rudoviq thotë për Deutsche Vellen se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Malit të Zi nuk do të përkeqësohen më shumë sepse bëhet fjalë vetëm për zbatimin teknik të vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. "Të gjitha sinjalet flasin se marrëdhëniet mes këtyrë dy shteteve do të jenë në nivelin më të mirë të mundshëm dhe kjo nuk nënkupton më marrëdhënie mes vendeve vëllazërore por marrëdhënie mes dy shteteve të pavarura, të cilat kanë interesat e tyre," shprehet Rudoviq i cili beson që ambasadori serb Lutovac shumë shpejt, pas disa muajsh do të kthehet në Podgoricë.

Autor: Vesna Rajković / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 22.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ldyl
  • Data 22.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ldyl