1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shkaku i fatkeqësisë ajrore në Vietnam i paqartë

Asnjë thirrje emergjence, moti nuk ishte i keq dhe avioni drejtohej nga një pilot me përvojë: aksidenti ajror në Azinë Jugore ngre shumë pikëpyetje. Nga më shumë se 200 pasagjerët në bord dhe avioni nuk ka asnjë gjurmë.

Përpara brigjeve të Vietnamit të shtunën ka ndodhur një aksident i rëndë ajror me një avion të Malaysia Airlines me 239 persona në bord. Kontakti me avionin e tipit 777-200 ishte ndërprerë dy orë pas nisjes së avionit në Malajzi, bëri të ditur shoqëria ajrore. Avioni sipas të dhënave të autoriteteve vietnameze në momentin e aksidentit gjendej mbi det, pak para hyrjes në hapësirën ajrore mbi Vietnam. Shkaku i fatkeqësisë është ende i paqartë.

Nga ekuipazhi nuk ka pasur thirrje për ndihmë, situata e motit ishte normale. Fillimisht avioni nuk ishte e mundur të lokalizohej."Mund të konfirmoj se avioni është rrëzuar. Tani ai konsiderohet i humbur", tha zëdhënësi i Forcave Kombëtare të Shpëtimit, gjeneral-lejtnanti Pham Hoai Giang për gazetën "VTC News". Sipas të dhënave të marinës vietnameze trupat e shpëtimit nga Malajzia dhe Vietnami janë drejtuar për në vendin ku supozohet se ka ndodhur askidenti.

Në bord sipas të dhënave të agjencisë ajrore ndodheshin kryesisht pasagjerë kinezë por edhe evropianë, tre francezë, një austriak, një holandez dhe një italian.

"Nga rajoni ku u zhduk avioni nuk ka pasur njoftime për situatë të pazakontë atmosferike", tha zv/ministri vietnamez i Transportit Pham Quy Tieu për agjencinë e lajmeve dpa. Nuk ka pasur sinjale se avioni ishte në vështirësi, tha shefi i shoqërisë ajrore Malaysia Airlines, Ahmad Jauhari Yahya. Piloti ka qenë një punonjës me përvojë me më shumë se 30 vjet në detyrë.

"Kur të dy pilotët janë të zënë me shpëtimin e avionit nga rrëzimi, në rrethana të caktuara nuk kanë më kohë të lidhen më qendrën e kontrollit në tokë", tha zëdhënësi i Sigurisë së Fluturimit në Gjermani Axel Raab.

Avioni ishte nisur nga kryeqyteti malajzian Kuala Lumpur dhe fluturonte drejt Pekinit. Në bord gjendeshin 12 pjesëtarë të ekuipazhit dhe 227 pasagjerë nga 14 vende.

Familjarët e pasagjerëve që prisnin në aeroport në Pekin u dërguan në një hotel dhe po u ofrohet ndihmë psikologjike.

Boeing ka mbledhur një ekip ekspertësh për të ndihmuar në zbardhjen e shkaqeve të fatkeqësisë, bëri të ditur kompania në faqen e saj të internetit.

Vendi i supozuar i fatkeqësisë gjendet mes bregut lindor të Malajzisë dhe ekstremitetit jugor të Vietnamit, mes gjirit të Tajlandës dhe Detit Jugor Kinez.

Malaysia Airlines është agjencia ajrore kombëtare në Malajzi. Ajo konsiderohet si një shoqëri ajrore e besueshme. Avionët që ajo përdor janë të tipit Boeing dhe Airbus dhe sipas të dhënave të saj fluturon cdo ditë në 80 destinacione brenda dhe jashtë vendit me rreth 37.000 pasagjerë.