1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shirin Ebadi: Në vend të bombave ISIS duhet goditur me libra

Bekim Shehu1 Qershor 2016

Në konferencën ndërfetare, që po zhvillon punimet në Prishtinë po marrin pjesë mbi 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës, në mesin e tyre edhe nobelistja nga Irani, Shirin Ebad.

https://p.dw.com/p/1IyI6
Kosovo Pristina Conferences for interfaith dialogue in Kosovo the role of woman
Fotografi: DW/B. Shehu

Në Prishtinë, po zhvillon punimet konferenca ndërkombëtare për promovimin e dialogut ndërfetar dhe qasjen ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Kjo konferencë organizohet nga institucionet e Kosovës qysh prejtash e pesë vjetësh dhe kësaj radhe po trajtohet "roli i gruas në ndërtimin e tolerancës ndërfetare". Konferenca ndërfetare sivjet mblodhi mbi 300 pjesëmarrës nga 50 shtete të botës në mesin e tyre edhe nobelisten nga Irani, Shirin Ebad dhe nobelisten nga Jemeni, Rawakool Kerman. Institucionet e Kosovës ka dy vjet që i janë bashkuar aleancës globale kundër ekstremizmit dhe radikalizmit dhe e gjithë kjo pasi një numër i madh i të rinjve kosovarë janë përfshirë në organizatat terroriste në luftërat në Lindjen e Mesme.

Nobelistja nga Irani, Shirin Ebadi, e cila është e ftuar nderi në këtë konferencë, në fjalën e saj, tha se Shteti Islamik (ISIS) më parë është një ideologji e gabuar se sa një grup terrorist. Ajo tha se (ISIS) nuk zhduket me bomba dhe këtë e argumentoi me luftën kundër talibanëve, të cilët sipas saj, akoma nuk janë çrrënjosur.

"Lufta kundër talibanëve ka treguar se sa e pamundur është që të çrrënjoset një ideologji e gabuar me bomba. Talibanët janë forcuar më shumë. Lufta kundër ideologjisë së gabuar bëhet vetëm duke shfrytëzuar ideologji të vërtetë. Myslimanëve të rinj, përparimtarë dhe modern, duhet t'u japim një platformë dhe t'u tregojmë se ekzistojnë interpretime më të mira të Islamit. Prandaj unë vazhdoj ta përsëris se vend që ISIS të luftohet bomba, ai duhet goditur me libra", tha Shirin Ebadi.

Nobelistja Shirin Ebadi, tha se shoqëritë patriarkale nuk duan që të reformohet Islami. Sipas saj interpretimi i duhur i islamit nuk tregon që duhet shtypur gratë, por shoqëritë patriarkale sipas interpretimit të tyre i shtypin gratë.

Të rinjtë duhet të mësohen me interpretimin e drejtë të Islamit, ata duhet të mësohen që t'i përmbahen shpirtit të Islamit dhe Islami të zbatohet konform kohës kur jetojmë", tha Shirin Ebadi.

Shirin Ebadi
Nobelistja Shirin EbadiFotografi: picture-alliance/dpa

Që ekstremizmi fetar duhet luftuar me libra pajtohet edhe profesoresha e shkencave islame, Besa Ismaili. Ajo i tha DW-së, se pikërisht mungesa e librave që e interpretojnë si duhet islamin, ka bërë që grupet ekstremiste të shfrytëzojnë personat e pashkolluar dhe t'i instrumentalizojnë për qëllime të tyre. Në mesin e tyre ka edhe femra. "Ka gra, të cilat nuk arrijnë dot të ndjekin shkollën, ka gra të cilat nuk arrijnë të shkojnë në shkollë për shkak të manifestimeve të tyre fetare. Pra mendoj se është vetëm dija e mirëfilltë ajo që i bën njerëzit të arrijnë të afrohen me njëri - tjetrin. Po ashtu është shumë e rëndësishme që të ketë një shpërndarje të barabartë të kësaj dije. Jo çdo grua në Kosovë ka qasje në libra dhe ka qasje në një shkollim të mirë. Pra ilaçi më i mirë ndaj ideologjive, që i referohen islamit janë vetëm librat dhe mesazhet e mirëfillta të islamit dhe përhapja e tyre sa më shumë", thotë Besa Ismaili.

Prof. Ismaili thotë se vetëm dialogu ndërfetar mund t'i ofrojë njerëzit ndërmjet vete. Ajo thotë se në Kosovë tashmë ekziston koalicioni i grave ndërfetare. "Në Kosovë ekziston koalicioni i grave ndërfetare dhe ato adresojnë çështje që në fakt janë çështje të përbashkëta në kuptimin e sfidave. Të gjitha gratë edhe ato të bashkësisë islame, edhe ato të Kishës Katolike, Ortodokse të komunitetit protestant, dëshirojnë një përfaqësim të grave brenda institucioneve fetare dhe më gjerë. Gjithashtu duam që si gra të komuniteteve fetare të jemi të përfshira në shoqërinë civile të Kosovës, që kjo shoqëri ta njohë gruan e komunitetit fetar si një bahskëpunëtore të mirëfilltë", thotë Besa Ismaili.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nga ana e tij, tha se feja duhet t'i bashkojë njerëzit dhe jo t'i ndajë ata. Presidenti bëri thirrje për një angazhim të përgjithshëm në promovimin e dialogut ndërfetar.

"Nuk besoj se ne mund të bëjmë dialog vetëm mes nesh, që jemi afirmues të paqes. Ne duhet të jemi të pranishëm edhe në qarqet ku ka jotolerancë, ku mbillet urrejtja, dhe aty ta dërgojmë betejën tonë kundër ekstremizmit. Pra, pa qenë prezent edhe në rrjetet sociale, ku miliona të rinj po helmohen me mesazhe përçarëse dhe me gjuhë të urrejtjes, ne nuk mund të kemi sukses në luftën kundër ekstremizmit. Nuk mund të arrihet sukses me burgosjen e atyre që tashmë janë të bindur në agjendën e urrejtjes, por duhet bërë një trekëndësh në mes të familjes, shtetit dhe shkollës, për të ndërtuar bazat e shëndosha të një agjende progresive", tha Presidenti Hashim Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në fjalën e tij tha se gjatë mandatit të tij Kosova është angazhuar dhe është renditur përkrah aleancës globale kundër "shtetit islamik ISIS", duke shtuar se mozaikun multikulturor dhe multifetar në Kosovë duhet ta ruajmë.

Kosova është një shtet i ri por ka kulturë të vjetër. Para dy mijë vitesh këtej është përhapur Krishtërimi, ndërsa këtu para 600 vitesh është përhapur edhe Islami. Po ashtu kemi edhe shumë fe të tjera që krijojnë mozaikun shumë kulturor të vendit tonë. Duhet të punojmë shumë që ta ruajmë këtë pasuri tonën", tha kryeministri Isa Mustafa.

Gjatë punimeve të konferencës ndërkombëtare për promovimin e dialogut ndërfetar dhe qasjen ndaj ekstremizmit të dhunshëm që po zhvillohen në Prishtinë një çmim i Kosovës për dialogun ndërfetar do t'i ndahet kryetarit të ri të Londrës, Sadiq Khan dhe themeluesit të shoqërisë Sant Egidio, Monsinjor Vincenzo Paglia.

Kosova ka kohë që i është bashkuar aleancës globale kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe në këtë linjë ka ndërmarrë një sërë masash të sigurisë. Hapat konkretë që janë ndërmarrë, janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që çon në terrorizëm, që udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, si dhe përkrahja e plotë e ofruar për mekanizmat e rendit dhe drejtësisë që të kryejnë detyrat e tyre në këtë drejtim. Të gjitha këto masa janë ndërmarrë pasi që një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës, ju bashkuan organizatave të shpallura terroriste dhe që luftojnë në Lindje të Mesme.