1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shifra të zbukuruara te Loveparade-i

Pas panikut masiv vdekjeprurës gjatë Loveparade-it në Duisburg kryetari i bashkisë së qytetit pranoi se i ka hedhur hi syve opinionit në lidhje me numrin e vizitorëve. Ai vazhdon të refuzojë dorëheqjen.

default

Mendon për konsekuencat: Kryebashkiaku i Duisburgut Adolf Sauerland

Adolf Sauerland gjendet nën kritikë që prej fatkeqësisë tri javë më parë. Kryetari i bashkisë së Duisburgut u këshillua shpesh të jepte dorëheqjen nga posti, si konsekuencë nga paniku masiv vdekjeprurës, ku vdiqën 21 vizitorë të tekno-paradës.

Sauerland: "Fillimisht të sqarohet se kush ishte shkaktari"

Deri tani Sauerland nuk e ka plotësuar këtë kërkesë. Në emisionin televiziv "Pyetje kryq" ("Kreuzverhör"), që transmeton sot (15.08.2010) Radiotelevizioni Perëndimor (Westdeutscher Rundfunk, WDR), ai u përgjigj për të parën herë jo qartë në lidhje me konsekuencat personale. Kryetari i bashkisë thotë se ende nuk ka ndër mend të japë dorëheqjen. Por Adolf Sauerland-in e preokupon pyetja se si sillet me fatkeqësinë.

"Natyrisht që i bëj pyetjen vetes, nëse mund të ushtrohet detyra pas një ngjarjeje kaq tragjike. Por këtë përgjigje unë do ta jap vetëm atëherë kur të kem përgjigjet për pyetjet që na zënë frymën të gjithëve", tha 55-vjeçari gjatë një emisioni në kanalin WDR. Ai nuk pranoi ndonjë faj personal, porse duhet "sqaruar se kush ishte shkaktari i kësaj ngjarjeje tragjike. Deri atje nuk kemi mbërritur ende."

Shifra vizitorësh të sheqerosura për mediet

Ndërkaq në një intervistë Sauerland pranoi se e ka mashtruar me ndërgjegje opinionin mbi numrin e vërtetë të vizitorëve. Kanë ekzistuar "numrat milionësh mediatikë të organizatorit të Loveparade-it" dhe "numra realë për planifikimin tonë", i tha kryetari i bashkisë revistës informative "Der Spiegel".

Flash-Galerie Loveparade Duisburg 2010 Massenpanik

Gjatë panikut masiv tek Loveparade-i i Duisburgut vdiqën 21 vetë

"Miliona" vizitorët e pritur, për të cilët ka folur edhe ai vetë para tekno-paradës, kanë qenë "numra të fryrë". Me kërkesën e organizatorit qyteti i Duisburgut hodhi vallen e gënjeshtrës së marketingut. Qyteti dhe organizatori folën në ditën e fatkeqësisë (24.07.2010) për 1,4 milionë vizitorë. Por territori i veprimtarisë lejon vetëm 250.000 vizitorë; me sa duket në ditën e fatkeqësisë ai nuk qe as i mbushur plot.

Mbrojtje policore pas kërcënimeve me vrasje

Sauerland i tha më tej revistës, se ndihet si "i ndjekur" pas disa kërcënimeve me vrasje. Kështu p.sh. një person i panjohur e ka thirrur dhe i ka thënë se i janë paguar 5.000 euro për ta vrarë. Një tjetër ka kërcënuar se do të hidhte në erë një kopsht fëmijësh në rast se nuk jepte dorëheqjen. Pak ditë pas fatkeqësisë e nxorra familjen jashtë qytetit, thotë kryetari i bashkisë së Duisburgut. Ai vetë është aktualisht me mbrojtje policore.

Veç kësaj në emisionin televiziv Sauerland theksoi se sa shumë e vret fatkeqësia. "Çdo mëngjes, kur zgjohem, uroj që e gjitha kjo që përjetuam, të jetë vetëm një ëndërr e keqe. Por është realitet."

Autor: Frank Wörner / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 15.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Oo2g
  • Data 15.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Oo2g