1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sheshel: do t'i rrëzojmë tradhëtarët Vuçiq dhe Nikoliq

Vojisllav Sheshel është kthyer në Serbi. Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi e ka liruar deri në shpalljen e vendimit kundër tij. Me të ktyher në Beograd ai pralajmëroi një luftë të ashpër politike.

Vojisllav Sheshel kthehet në Beograd

Vojisllav Sheshel kthehet në Beograd

"Qëllimi im është që sa më parë të rrëzojmë pushtetin e Tomisllav Nikoliqit dhe Aleksandar Vuçiqit", deklaroi lideri i radikalëve serbë Vojisllav Sheshel, me të kthyer nga Tribunali i Hagës ku në 12 vitet e kaluara është përgjigjur për krime lufte në hapsirat e ish-Jugosllavisë. Para disa mijëra simpatizantëve të tij, të mbledhur në Beograd, Sheshel tha se "Tribunali e ka liruar përkohësisht. Kjo 'përkohësisht' do të zgjatë deri nuk e rrëzojmë pushtetin e Nikoliiqt dhe Vuçiqit, dy tradhëtarëve të cilët kanë hequr dorë nga ideologjia e nacionalizmit serb", theksoi Sheshel. Lideri i radikalëve e quajti Tribunalin e Hagës një "bishë të plagosur globaliste, e cila vazhdon të shkatërrojë jetën e liderëve politikë dhe ushtarakë serbë".

"Shkatërrimi" i Tribunalit

Aleksandar Vuçiq

Vuçiq: "Tradhëtari" i Sheshelit

"Kam premtuar se do ta shkatërroj Tribunalin. Lufta ka zgjatur pak më shumë se sa që kam menduar, por fitorja është fitore", tha lideri i radikalëve, i cili e akuzoi qeverinë aktuale serbe "se nuk po bën asgjë për të ndihmuar serbët e mbetur në Tribunal".

"Ata po gjykohen sepse janë vlera më e lartë që populli serb ka pasur në vitet 90-të. Shumica prej tyre nuk kanë bërë kurfarë krimesh dhe po gjykohen vetëm pse kanë mbrojtur atdheun e tyre", theksoi Sheshel, duke shtuar se sot (13.11) do të mbajë një konferencë për shtyp. Ndërsa të shtunën do të mbahet, siç tha ai, një miting i madh në qendër të Beogradit. Kryetari i Partisë Radikale Serbe - një parti tani jashtë parlamentit, ndërsa në kohën e Sllobodan Millosheviqit një prej shtyllave më të rëndësishme të politikës serbe - fjalimin e përfundoi me brohoritjen": "Rroftë Serbia e madhe".

Lufta kundër "tradhëtarëve"

Mijëra simpatizantë të tij brohorisnin kundër Tribunalit të Hagës dhe në veçanti kundër kryeministrit të tanishëm Aleksandar Vuçiq. Ai së bashku me Nikoliqin kanë qenë dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sheshelit në vitet 90-të, në kohën e luftërave në ish-Jugosllavi, dhe deri në vitin 2008, kur e kanë themeluar Partinë Përparimtare Serbe, e cila në zgjedhjet e fundit e ka fituar shumicën absolute të votave.

Shkaqet e lirimit

Pritja e Sheshelit

Pritja e Sheshelit

Sheshel është liruar nga Haga deri në shpalljen e vendimit për akuzat për krime, për shkaqe humanitare, sepse ai është i sëmurë nga kanceri. Gjatë kohës së qëndrimit në Beograd nuk do të ketë kurfarë kufizimesh të marrjes me politikë apo aktiviteteve të tjera. Ndërsa qeveria është e obliguar ta kthejë në Hagë, në qoftë se ai refuzon të kthehet.

Në Hagë ai është dorëzuar vullnetarisht me 24 shkurt 2003, pasi që është bërë publike aktakuza kundër tij për krime në Kroaci, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Vojvodinë. Mirëpo procesi i tij ka filluar katër vjet më vonë, në vjeshtën e vitit 2007. Vendimi kundër tij ende nuk është shpallur. Presidenti i Gjykatës Teodor Meron ka bërë të ditur se vendimi nuk mund të pritet para mesit të vitit 2015. Por ka analstë që dyshojnë se vendimi do të shpallet ndonjëherë, për shkak të sëmundjes së tij të rëndë dhe përgatitjes së dobët të procesit, i cili ka zgjatur gati 12 vjet.