1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sheriati nuk është ligj

2 Gusht 2017

Sipas studiuesit me emër të fesë islame Abdullahi Ahmed An-Na'im sheriati dhe shteti shekullar nuk janë patjetër në kontradiktë me njëri-tjetrin.

https://p.dw.com/p/2hSqJ
Indonesien - Scharia Polizei
Fotografi: picture-alliance/dpa/H. Simanjuntak

Shumë njerëz e lidhin sheriatin me ligjin, por në fakt ai është i tërë sistemi normativ i fesë islame, sikurse janë paraqitur në Kur'an, suna dhe hadithet. Pra sheriati përmban edhe rregulla se si të lutesh apo të agjërosh. "Parë në këtë aspekt edhe në një shtet shekullar është e pamundur t'u mohosh muslimanëve që të mos orientohen nga sheriati. Por një shtet, qoftë me shumicë muslimane apo jo, nuk mund ta miratojë kurrë sheriatin, sepse sheriati nuk nuk është ligj i kodifikuar. Sheriati ka të bëjë me interpretime që njerëzit duhet t'i zgjedhin me bindjen e tyre." - thotë Abdullahi Ahmed An-Na'im.

Sheriati është sipas An-Na'imit "një udhëzues etik veprimi për çdo musliman". Dhe sipas tij shteti dhe feja duhet të ndahen në mënyrë të qartë nga njëri-tjetri. "Për mua si musliman, shteti duhet të jetë shekullar (i ndarë nga feja), në mënyrë që unë të mund ta ushtrojë besimin tim nga bindja dhe si vendim të lirë. Pra, nga një perspektivë islame, kjo nuk ka të bëjë me iluminizmin evropian. Shtetit nuk ka se ç'i duhet, nëse unë jam ateist apo besimtar." 

Youtube Screenshot Professor Abdullahi Ahmed An-Na'im
Fotografi: Youtube/Yale

Sipas An-Na'im ka një dallim mes shtetit dhe politikës. Shteti nuk ka të bëjë fare me fenë, kurse për politikën feja ka rëndësi. P.sh. në Gjermani partia CDU i sheh bindjet e saj politike të frymëzuara nga krishërimi.

Jo gjithçka në botë lidhet me përfytyrimet evropiane të shetit shekullar

Kur muslimanë themeluan 1.400 vjet më parë shtetin e tyre në Medinë, ai nuk ishte as islamik, as fetar. Ky shtet ishte një institucion politik, dhe as myslimanët dhe as kundërshtarët e tyre nuk e përshkruanin atë si një shtet fetar. Koncepti i shtetit islamik është një konstrukt post-kolonial që e lidh shtetin kombëtar evropian me idenë e vetëvendosjes myslimane. Jo gjithçka në botë lidhet me iluminizmin dhe përfytyrimet evropiane të shetit shekullar.

Po ashtu sipas mënyrës së të kuptuar të shetit shekullar në Francë, Gjermania nuk do të konsiderohej si e tillë. Madje Britania e Madhe, ku mbretëresha është njëkohësisht edhe kryesuese e "Church of England"  nuk do të konsiderohej si shekullare as sipas standardeve gjermane. Megjithatë të tri këto shtete konsiderohen si shekullare. Lidhja e shtetit shekullar me iluminizimin është një thjeshtëzim që nuk mbështetet tek historia evropiane.

Shteti kombëtar është konstrukt evropian që iu imponua edhe vendeve të kolonizuara në Afrikë dhe në Azi. Pas shpalljes së pavarësisë në vende të ndryshme, myslimanët u gjendën në shtete kombëtare sipas përfytyrimit evropian, të cilët nuk u përgjigjeshin kulturës dhe vlerave të tyre. Fuqitë evropiane ua imponuan atyre shtetin kombëtar dhe pasojat tragjike të kësaj i shohim tani në Siri dhe në Irak.

Sheriati përmban edhe rregulla ligjore, por ai nuk është ligj

Sheriati nga natyra e tij nuk është diçka që mund të kodifikohet, mendon Abdullahi Ahmed An-Na'im. "Çdo kodifikim do të reduktonte kompleksitetin e një traditë të gjatë me një shumicë opinionesh kontradiktore në një këndvështrim të thjeshtë, i cili do të reflektonte pastaj vetëm mendimin e atyre që kanë për momentin pushtetin në shtet."

Indonesien Prügelstrafe in der Provinz Aceh
Indonezi: Një gjyqtar i sheriatit rreh me shkop një burrë të akuzuar për marrëdhënie jashtë martesësFotografi: picture alliance/AP Photo/H. Juanda

Sipas tij vërtet që shtete si Maroku, Mauritania apo Indonezia këmbëngulin për zbatimin e sheriatit, por kjo nuk është e ligjshme. Sepse autoritetet shtetërore përzgjedhin nga sheriati kudo në mënyrë shumë selektive dispozita, në vend që t'u lejojnë muslimanëve që të vendosin vetë.

Për shumë shoqëri identiteti fetar është një tipar qendror, por ky nuk ka pasoja ligjore. Nga ana tjetër ka edhe vende jo-muslimane me fe zyrtare, si Irlanda. Në Pakistan, Iran apo Mauritani feja islame është fe shtetërore, po ato janë shtete krejt të ndryshme.

Reformim i fesë islame

Sot ka shumë intelektualë që bëjnë thirrje për reformimin e fesë islame, por me këtë ata kuptojnë gjëra të ndryshme. Edhe studiuesi i fesë islame Abdullahi Ahmed An-Na'im ka shkruar një libër me titullin "Drejt një Reformimi Islamik". Sipas tij reformacioni i Luterit dhe është shumë më tepër se historia e një murgu që vari kërkesat e tij në derën e kishës. Lëvizjet transformuese kanë nevojë për një kohë të gjatë dhe janë pjesë e një konsensusi. Njerëzit e asaj kohe nuk e dinin se ishin pjesë e reformimit të fesë së krishterë. Vetëm në retrospektivë mund t'i vësh re këto procese. 

"Edhe në rastin e reformimit të fesë islame kemi një proces të ngjashëm. 1,6 miliardë muslimanët kanë një diapazon të madh drejtimesh besimi. Dhe reformimi nuk bëhet si me magji, sepse ka shumë ide që pranohen apo refuzohen." - thotë  Abdullahi Ahmed An-Na'im.

Islamischer Staat
Fotografi: Getty Images/AFP/J. Samad

Sipas tij për sa kohë bota islame do të imitojë modelet evropiane, ajo nuk do të jetë vërtet e çliruara prej kolonializmit. "Ne duhet t'i bazojmë modelet tona politike tek historia janë, duke u përpjekur ta zbërthejmë rëndësinë e historisë myslimane në epoka dhe rajone të ndryshme. "Unë nuk dua të imitoj modelin gjerman, francez apo britanik. Unë e formuloj doktrinën time politike në koncepte, që janë jashtë kufizimeve koloniale evropiane". - thotë Abdullahi Ahmed An-Na'im.

Gjithësesi ai e lidh nevojën që sheh për reformimin e fesë islame me faktin, që kur studionte në universitetin e Khartumit në Sudan kishte nisur të kuptonte se parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut binin në kundërshtim me konceptin e sheriatit që ofrohej në leksione. Sipas tij ka mjaft muslimanë që nuk janë dakord me kuptimin tradicional të fesë islame, si mungesa e  të drejtave për gratë apo e lirisë fetare.

Abdullahi Ahmed An-Na'im, lindur në Sudan në vitin 1946, është ndër studjuesit më të spikatur të fesë islame në SHBA. Fushat e tij të studimeve janë legjislacioni islam, të drejtat e njeriut dhe e drejta ndërkombëtare. Një ndër librat e tij më të rëndësishëm është "The Future of Sharia: Islam and the Secular State" (2009).