1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shenjat e para të shtendosjes mes Moskës e Ankarasë

Kriza siriane hedh hijen e saj mbi marrëdhëniet ruso-turke. Moska kundërshton ndërhyrjen, Ankaraja i sheh të kërcënuar kufijtë e saj. A mund të zbusë tensionet vizita e Presidentit Putin në Turqi?

Në Tetor pas vendimit të Turqisë për të detyruar uljen e një avioni sirian të nisur nga Moska, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë janë tensionuar. Autoritetet turke dyshuan atëherë se në bord kishte armë, por sipas raporteve të shtypit turk, u gjetën vetëm "kabllo elektrike". Për këtë arsye shumë vëzhgues besojnë se Turqia donte të ushtronte presion mbi Rusinë që përkrah regjimin e presidentit Bashar al-Asad. Ndërkohë që Turqia ka njohur opozitën siriane si përfaqësuese legjitime.

Të Hënën (3.12.2012) Presidenti Vladimir Putin shkon për bisedime në Ankara. Portali turk i lajmeve Turkrus.com, me qendër në Moskë, e sheh këtë si një tregues, se Rusia i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve dypalëshe.

Raketat Patriot do të instalohen në Turqi

Raketat Patriot do të instalohen në Turqi

Partnerë të rëndësishëm tregtarë

Gjatë luftës së ftohtë Rusia e sotme ishte pjesë e Bllokut Lindor, ndërsa Turqia aleate me Perëndimin. Në vitet 1990-të dy vendet filluan të konkurrojnë për supremaci në rajon. Pasi Putini u bë president në vitin 2000 të dy vendet u afruan ngadalë përsëri.

Sot bashkëpunimi mes dy vendeve, që kanë marrëdhënie diplomatike prej më shumë se 500 vjetësh është shumë i afërt: Vëllimi vjetor tregtar është 35 miliardë dollarë amerikanë, në vitin 2015 vëllimi pritet të rritet madje në 100 miliardë dollarë amerikanë. Turqia, pas Gjermanisë partneri më i madh tregtar i Rusisë, blen çdo vit rreth 30 miliardë metra kub gaz rus. Kështu furnizimet ruse mbulojnë rreth 60 për qind të nevojave energjetike të Turqisë. Centrali i parë bërthamor turk është duke u ndërtuar nga Rusia. Në vitin 2011 rreth katër milionë turistë rusë vizituan Turqinë.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu

Fundi i "Muajit të Mjaltit"?

Rreth afro 20 muaj zgjati "muaji i mjaltit" ruso-turk. Pastaj konflikti sirian hodhi hijen e parë në marrëdhëniet bilaterale. Në korrik ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë presion mbi të gjithë përkrahësit e Sirisë dhe ta izolojë atë. Tërthorazi ai kishte parasysh edhe Rusinë.

Vendimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO, për të dislokuar sistemin e mbrojtjes nga raketat në kufirin turko-sirian, i rriti tensionet. Analisti rus Stanisllav Tarasov tha në një intervistë me Zërin e Rusisë: "Raketat vijnë nga NATO, që do të thotë se Aleanca është e përfshirë tani drejtpërdrejt në konflikt."

Një "martesë katolike"?

Për Turqinë Rusia është më shumë se vetëm një treg gjigand dhe furnizues i energjisë. Ankaraja e sheh Moskën si një partner strategjik në rajon. Megjithë mospërputhjet e javëve të fundit kryeministri Rexhep Taip Erdogan deklaroi, se Rusia edhe më tej ka "kyçin" për zgjidhjen e krizës siriane. Këtë njofton edhe gazeta në gjuhën angleze Hurriyet Daily News.

Përshkrimin më të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve e ka bërë Erman Ilicak, drejtor i koncernit gjigand të ndërtimit "Rennaissance", i cili është aktiv në të dy vendet. Në një intervistë me të përditshmen Milliyet ai deklaroi se raporti i ngjan një "martese katolike", nga e cila nuk mund të largohet asnjëri partner.