1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shenjë paralajmëruese për fitimtarin - Presidenti rumun Basescu arrin të rizgjidhet

Në Rumani, presidenti i shtetit Trajan Basesku u rizgjodh në zgjedhje balotazhi. Politikani i qendrës së djathtë Basesku fitoi me 50,37 përqind të votave kurse sfiduesi socialdemokrat, Mircea Geoana, mori 49,62 përqind.

default

Trajan Basesku ua tregoi edhe njëherë të gjithëve, mbështetësve dhe kundërshtarëve aftësinë e tij: ai është në gjendje të fitojë zgjedhje. I vetëm, si të thuash. I mbështetur vetëm nga Partia e tij Liberal- Demokratike ai arriti të fitojë më shumë se gjysmën e votave të dhëna - kundër një aleance konjukturore të përbërë nga socialdemokratët, liberalët dhe parti të tjera të vogla, midis tyre edhe partia ekstremiste e djathtë Rumania e Madhe. Një aleancë, e cila deklaroi se synonte ta largonte nga posti Baseskun. Dhe që ndoshta do ta kishte arritur këtë, nëse kandidati socialdemokrat, Mircea Geoana nuk do të kishte dalë më dobët në duelin e fundit televiziv me Baseskun.

Geoana kishte parakushtet më të mira që të rizgjidhej: roli i bërësit të mbretit u pranua nga kryetari i suksesshëm me origjinë gjermane i qytetit Sibiu/Hermanstadt, Klaus Johanis. Johanisi do të bëhej kryeministri i ri në një vend, i cili që prej dy muajsh më shumë nuk qeveriset se qeveriset nga një kabinet i përkohshëm qeveritar. Tani "projekti Johanis" dështoi, më shumë se gjysma e zgjedhësve rumunë nuk kishin besim te ky koalicion, i cili do të dominohej nga socialdemokratët ish-komunistë.

Robert Schwartz

Robert Schwartz

Por ky rezultat i ngushtë është një shenjë paralajmëruese për fitimtarin. Ish- kapiteni i detrave të largët, Basesku duhet të tregojë tani se nuk është vetëm në gjendje të fitojë zgjedhje, por se mund ta drejtojë vendin me dorë të sigurtë nga një krizë e thellë ekonomike dhe politike. Ai duhet të kërkojë një ekip të ri për të formuar qeverinë, i cili të gëzojë një shumicë parlamentare. Një qeveri e aftë për të funksionuar është parakusht për një kredi të nevojitur urgjentisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Mundësia tjetër që mbetet do të ishte shpërbërja e parlamentit dhe shpallja e zgjedhjeve të reja. Në këtë mënyrë Rumania do të ndodhej në një fushatë elektorale të stërzgjatur, e cila do ta shpërbënte edhe më tej shoqërinë e polarizuar dhe do ta zgjaste krizën financiare.

Rezultati i ngushtë konfirmon megjithatë edhe një tendencë tjetër: konservatorin Basesku e zgjodhi sipas traditës para së gjithash popullata e Rumanisë Qendrore dhe Perëndimore, për kandidatin e së Majtës votuan kryesisht rajonet lindore dhe jugore të vendit. Por me rëndësi vendimtare ishin rumunët në botën e jashtme, të cilët votuan qartë për kursin reformator të shpallur nga Basesku. Tani atij i duhet të vërtetojë se do ta ndjekë në mënyrë konsekuente këtë kurs. Këtu bën pjesë edhe vazhdimi i luftës kundër korrupsionit, të kërkuar shpesh nga BE - përtej të gjithë kufijve partiakë. Në fund të mandatit të tij, Rumania - njësoj si Bullgaria dhe Greqia - zuri sipas Transparency International vendin e fundit në renditjen e vendeve të BE. Rumania ndodhet pak para ilikuiditetit, bllokimit të aftësisë paguese. Ka ardhur koha që edhe BE të identifikojë instrumentat parandalues, me të cilat edhe për një vend anëtar si Rumania mund të krijohet një presion i shëndetshëm, për t'i vënë në jetë reformat, për të cilat është rënë dakord në marrëveshje.

Autor: Robert Schwartz

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 08.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KwXp
  • Data 08.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KwXp