1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shemben pesë godina izraelite por problemet vazhdojnë

Pjesa Ulpana e ngulimit hebre Bet El në territoret palestineze është shndërruar këto ditë në temë debati. Gjykata më e lartë izraelite ka pranuar kërkesën për shembjen e pesë shtëpive izraelite.

"Në fillim kemi qenë vetëm 11 familje. Pesë vite kemi jetuar me fëmijë në një kasolle. Dalngadalë kemi ndërtuar këtë shtëpi me punëtorët arabë", shpjegon Yehuda Bohrer kohën e fillimit të ndërtimit të ngulimit hebre Bet El, i cili shtrihet rreth pesë kilometra larg Ramallahut në Jordanin Perëndimor. Arkeologu 69-vjeçar është një nga pionierët e ndërtimit të ngulimeve izraelite.

Zbrazja e detyruar e ngulimit Ulpana në Bregun Perëndimor

Zbrazja e detyruar e ngulimit Ulpana në Bregun Perëndimor

Bohrer ka lindur në vitin 1943 në Gailingen, në afërsi të liqenit Bodense, në Zvicër. Më 1946 është shpërngulur me familjen në Palestinën e atëhershme. Ai ka studjuar në Jerusalem dhe në Nju Jork, ku është njohur me bashkëshorten e tanishme. Së bashku janë kthyer në Izrael ku u kanë lindur shtatë fëmijë. Më 1977 kanë kaluar në pjesën e Jordanit Perëndimor. Ata i ka mbështetur shteti: ka ndërtuar rrugë, rrjetin elektrik dhe u ka siguruar ujë të pishëm. Një ndër idealet që i kanë sjellë atje është edhe feja.

"Pionierët e parë sionistë kanë ardhur në kohën e Turqisë, para Luftës së Parë Botërore. Ndaj ne vetëm vazhdojmë traditën e ndërtimit të ngulimeve në territoret palestineze", thotë Yehuda Bohrer.

Kryeministri izraelit Netanjahu vazhdon politikën e ngulimeve

Kryeministri izraelit Netanjahu vazhdon politikën e ngulimeve

Numri është shtuar sot në mijëra

Në Bet El jetojnë sot rreth 7000 njerëz. Ndërsa në gjithë Jordanin Perëndimor dhe në Jerusalemin lindor janë vendosur mbi gjysmë milion hebrejë - ndonëse kjo është e ndaluar me të drejtën ndërkombëtare. Zyrtarisht Izraeli edhe më tej mbështet zgjidhjen me dy shtete. Por negociatat janë ndërprerë prej vitesh. Palestinezët kërkojnë ndalimin e ndërtimeve izraelite, ndërsa qeveria izraelite i ka lejuar ato. Kjo ka shkaktur kritika të ashpra të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, sepse këto ndërtime shihen si pengesa kryesore në rrugën për zgjidhjen paqësore të problemit.

Ambientet idilike

Kur del në brigjet e bukura në horizont sheh kodrat që bartin një histori të gjatë. Era e lehtë e zbut nxehtësinë e kësaj vere. Më poshtë sheh edhe lagjen Ulpana, e cila kohët e fundit ishte në titujt e shumë gazetave. Autoritetet izraelite kanë urdhëruar evakuimin e 33 familjeve nga pesë godina, sepse ato janë ndërtuar në pronën e një palestinezi. Kështu ka vendosur gjykata më e lartë izraelite. Godinat duhet të rrëzohen ndërsa kryedministri Netanyahu ka premtuar se do të sigurojë strehimin e tyre në Bet El dhe do të ndërtojë atje edhe 300 shtëpi të tjera. Izraeli po përballet me presione ndërkombëtare, por ndërtimet po vazhdojnë. Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle ka deklaruar se Izraeli me hapat e njëanshëm mund të cënojë zgjidhjen përmes krijimit të dy shteteve.

"I ashtuquajturi shtet palestinez është një fiksion. Palestinezët është dashur të krijojnë autonominë e tyre para vitit 1967. Ndërsa tani thuhet se duhet të ekzistojë shteti palestinez", pohon Yehuda Bohrer, i cili angazhohet kundër këtij shteti. Ndërsa Judy Simon pohon se ka arabë të cilët duan t'i vrasin ata. "Mendoj se këto territore duhet të aneksohen dhe të drejtat për zgjedhje, shëndetësi dhe arsim t'u jepen vetëm atyre arabëve që janë bashkëqytetarë të mirë. Vetëm në këtë mënyrë mund të ketë paqe këtu", thotë ai.