1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shefi i Bundesbankës: "Interesat e ulëta të BQE - jo për shumë vjet"

Kreu i Bankës Qendrore të Gjermanisë tha se politika aktuale e interesave të ulëta bankare të Bankës Qendrore Evropiane është e lidhur me kushte të caktuara. Interesat nuk do të mbeten të ulëta për shumë vjet.

Presidenti i Bankës Qendrore të Gjermanisë, Bundesbank, Jens Weidmann tha të hënën se Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka shumë pak gjasa që t'i ruajë interesat e pazakonta të ulëta të pandryshuara për vitet që vijnë.

Ai i tha gazetës së përditshme gjermane "Handelsblatt" se kjo nuk do të thotë se ai deklaron që kriza e euros ka përfunduar.

"Megjithatë, supozimi im është se interesat bankare nuk do të mbeten kaq të ulëta për vite me radhë, jo së fundi sepse impulsi ekonomik i politikës financiare super të lehtë do të dobësohet me kalimin e kohës dhe rreziqet që lidhen me stabilitetin financiar në Eurozonë do të rriten," paralajmëroi Weidmann.

Në foto, Jens Weidmann

Në foto, Jens Weidmann

Duhen bërë detyrat e shtëpisë

Weidmann-i, i cili është vetë anëtar i këshillit vendimmarrës të BQE tha se politika e presidentit të BQE, Mario Draghi nuk duhet të keqkuptohet si një propozim i fortë për t'i lënë të pandryshuara për një kohë të gjatë interesat e ulëta bankare.

"Nëse të dhënat do të flasin për një perspektivë të ndryshme për stabilitetin e çmimeve, ne sigurisht do ta përshtatim në përputhje me këtë politikën tonë monetare", tha Weidmann.

Ai tërhoqi vëmendjen që kriza e Eurozonës nuk mund të zgjidhet vetëm nga BQE, sepse të para në plan afatgjatë problemet nuk janë të një natyre monetare.

"Problemet strukturore në vendet e krizës janë krijuar për një periudhë të gjatë kohe", tha ai, duke shtuar se është detyrë e qeverive që t'i trajtojë ato.