1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA zgjedh politikën e rezervimit në konfliktin sirian

Zërat për ndërhyrje në Siri po shtohen. SHBA heziton - edhe pas një përdorimi të mundshëm të armëve kimike. Opozita dhe qeveria siriane fajësojnë njëra-tjetrën për këtë.

Luftime ne Homs 11.03.2013

Luftime ne Homs 11.03.2013

Presidenti amerikan Barack Obama e përmblodhi me një fjali të shkurtër: "Nuk është e lehtë". Mbi 70.000 jetë ka kushtuar lufta civile në Siri këto dy vite. Megjithë apelet ndërkombëtare, embargot dhe iniciativat diplomatike, presidenti sirian Bashar al-Asad vazhdon të qëndrojë në pushtet. SHBA hezitonte për një ndërhyrje ushtarake. Po a mund të ndryshojë ky qëndrim tani?

Të martën (19.03.13) u dha një lajm se me shumë gjasa në Siri është vënë në përdorim gazi kimik. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, presidenti i SHBA-së, Barack Obama që ndodhet për vizitë në Lindjen e Mesme, përsëriti: "E kam bërë të qartë se përdorimi i armëve kimike e ndryshon rrënjësisht situatën"

Luftime në Homs, 09.03.2013

Luftime në Homs, 09.03.2013

Por deri më tani ka qenë e paqartë, nëse dhe nga kush u përdorën armët kimike në sulmin me raketa në Alepo. Palët në luftime fajësojnë njëra-tjetrën, Kombet e Bashkuara po hetojnë me kërkesë të presidentit sirian. Presidenti amerikan do të hetojë fillimisht faktet, para se të marrë vendime: "Ne planifikojmë të hetojmë me kujdes se çfarë ka ndodhur."

Të mërkurën, ambasadori amerikan në Siri, Robert Forf deklaroi para kongresit amerikan: "Deri më tani nuk kemi të dhëna që të konfirmojnë zërat, se (të martën) janë përdorur armët kimike."

Hija e tejzgjatur e luftës së Irakut

Droja e një invazioni lidhet me historinë më të re amerikane. "Presidenti Obama është shumë i rezervuar kur vjen puna për të dërguar trupa të reja në Lindjen e Mesme, kjo është pasojë e luftës në Irak, një lloj alergjie le të themi nga dërgimi i trupave në rajon", shpjegon profesoi i politologjisë, Peter Feaver nga Universiteti Duke. Kjo është e kuptueshme, vazhdon ai në një bisedë për Deutsche Welle-n, "megjithatë mosndërhyrja në Siri ka po të njëjtat pasoja si intervenimi në Irak."

Presidenti Obama mbrohet ndaj akuzës, se SHBA-a deri më tani nuk ka bërë asgjë. "Ne kemi ndihmuar të izolojmë regjimin e Asadit në shkallë ndërkombëtare dhe kemi ndihmuar opozitën, po ashtu kemi dërguar disa qindra milionë dollarë ndihmë humanitare, kemi punuar pandërprerë me vendet e rajonit për të arritur tek një tranzicion i pushtetit në Siri", këmbëngul Obama.

Furnizim me armë, apo zonë ndalim-fluturimi?

Për Francën dhe Britaninë e Madhe kaq nuk mjafton. Ata duan t'i armatosin rebelët dhe kërkojnë shfuqizimin e embargos kundër Sirisë. Por qeveria amerikane heziton t'i bashkohet kësaj nisme, nga frika se armët mund të bien në duar të gabuara. James Philips, ekspert për Lindjen e Mesme i fondacionit konservator, "Heritage Foundation" propzon që armët t'u dorëzohen vetëm komandantëve të sprovuar joislamistë brenda Sirisë. Në një intervistë për Deutsche Welle-n ai përkrah qëndrimin amerikan. "Është e drejtë që të mos marshojmë me trupa këmbësorie në Siri, këtu e mbështes qeverinë." Situata është e patolerueshme, të këtij mendimi janë të gjithë, por si të veprohet?

Martin Indyk, ish-zëvendësministër i Jashtëm për Lindjen e Mesme përgjegjës në kohën e Bill Clintonit kërkoi në një konferencë të Qendrës për Progresin Amerikan krijimin e një zone të ndalimfluturimit. "Duhet ta ndikojmë në balancën e forcave, me qëllim që Asad të mos mendojë se ai do të qëndrojë ende në pushtet, sepse nuk ka intervenim ushtarak."

"Ndërrimi i pushtetit" si zgjidhje e favorshme

Edhe Sandy Berger ish-këshilltare për çështjet e sigurisë kombëtare bëri fjalë në raundin e diskutimit për rritjen e presionit bashkë me aleatët, megjithatë pa dërgimin e armëve në zonën e konfliktit. "Opozita duhet të përkrahet, por duhet bashkëpunuar me forcat e moderuara, me qëllim që të mos kemi në fund një Siri totalisht të përçarë, apo një Siri të kontrolluar nga xhihadistët, që përbëjnë një kërcënim për rajonin."

Por se cili është qëndrimi zyrtar amerikan, këtë e sqaron ambasadori amerikan, Ford para kongresit: " Në fund të fundit ne besojmë se një ndërrim i pushtetit i arritur përmes negociatave në plan afatgjatë do të ishte zgjidhja më e mirë e krizës në Siri." Pra SHBA-ja është larg dërgimit të trupave të këmbësorisë në Siri.

Autor: Christina Bergmann/ Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi