1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA: Viti i arritjeve të mëdha?

Nuk ka kohë për letargji: Më 28 Janar presidenti amerikan Obama mban fjalimin e tij para kombit. Në krye të agjendës politike: drejtësia sociale. Por deri në zgjedhjet në nëntor, duhet të kalojë në disa stafeta fitoresh.

Fitoret në lojën e golfit në pushimet dimërore në Hawaii presidenti amerikan do t'i kujtojë me shumë kënaqësi. Në vitin e ri Barack Obama nuk do që të fitojë vetëm në golf. "Unë besoj fort se 2014 për SHBA mund të bëhej viti i arritjeve të mëdha", u tha ai gazetarëve në Uashington.

William Galston

William Galston

Për këtë baza ekonomike prej vitesh nuk është aq e mirë, thotë Uilliam Galston nga Instituti Think-Tank Brookings. "Pengesa fiskale e politikës së qeverisë u evitua, eksportet ecin mirë, prodhimi është përsëri në rritje. Dhe të paktën në buxhetet familjare janë reduktuar shumë borxhe. Për fat të keq jo në qeveri", thotë Galston për DW. Edhe Neil King nga Wall Street Journal shkruan në një faqe interneti: “....Tregu i aksioneve ecën mirë dhe tregu i punës është në ngritje." Por shanset e një bashkëpunimi të vërtetë mes Presidentit dhe Kongresit janë ende të kufizuara. Këtu punët komplikohen, mendon edhe Galston. "Perspektivat për një legjislacion konstitutiv, larg prej rutinës, nuk duken shumë të mira në vitin 2014."

Kjo vlen sidomos për dy çështje nga viti i mëparshëm: aferën NSA dhe reformën shëndetësore. Në janar Obama do të bëjë të ditur, nëse do të bëjë me të vërtetë një reformim të shërbimeve të fshehta, siç kërkon një grup ekspertësh. Pastaj do të shihet, se si qëndrojnë punët me reformën e tij të kontestuar të shërbimit shëndetësor. Me Obamacare demokrati donte të garantonte që rreth 30 milionë amerikanë të pasiguruar të gëzojnë një kujdes shëndetësor të përballueshëm financiarisht. Pas defektit të faqes së aplikimit në internet, deri tani janë regjistuar vetëm shtatë milionë vetë. Kush do të sigurohet, duhet të shpejtojë deri në pranverë, me qëllim që projekti të ketë sukses.

Reforma e Obamës në shëndetësi nuk po ecën si shpresohej

Reforma e Obamës në shëndetësi nuk po ecën si shpresohej


Tema e vazhdueshme

Në shkurt në Kongres do të diskutohet përsëri për një temë tjetër problematike. Ngritja e kufirit të borxhit do të jetë prova e parë e madhe e vitit, thotë ish këshilltari politik i presidentit amerikan Bill Klinton, Galston. "Republikanët në këmbim të ngritjes së tavanit të borxhit duan kompensime politike. Presidenti ka deklaruar në vjeshtë, se nuk do të pranojë të negociojë."

Edhe vëzhguesit si King nga Wall Street Journal mendojnë se Obama në vitin 2014 do të ketë konfrontime të forta. Obama e ka zgjeruar ekipin me një këshilltar, i cili është përkrahës i rasteve të unilateralizmit presidencial: "Ai ka marrë John Podestën, ish-punonjës të administratës së Klintonit. Fare qartë, me synimin, që disa gjëra, që janë të rëndësishme për të, t'i arrijë me urdhër ekzekutiv. Si mbrojtjen e klimës. Kjo flet për atë, se ai nuk e shikon patjetër Kongresin si terrenin e vetëm të veprimit."

Me këtë Obama nuk do të bënte mirë, thotë Galston. Fundja Presidenti është i obliguar para vendit të tij dhe vetes e tij për të kërkuar fillimisht një kompromis. Urdhëri ekzekutiv mund të jetë vetëm një hap i dytë në raste urgjente. Obama do të bënte mirë, që të vepronte kështu, edhe për t'i kursyer vetes konfrontimin në shumë raste. Si në rastin e dy çështjeve të nxehta sociale: zgjatjen e asistencës së papunësisë dhe rritjen e pagave minimale. Demokratët duan ta rrisin pagën minimale federale nga aktualisht 7.25 dollarë në orë në 10 dollarë. Dhe mundësisht para zgjedhjeve paraprake të Kongresit. Fitorja është e paraprogramuar, thotë Galston. "Edhe republikanët, që nuk janë të kënaqur me këto ligje, do të gjejnë një mënyrë për t'i miratuar", thotë politologu. "Unë nuk besoj, se shumë republikanë duan të shkojnë në vjeshtë në zgjedhje, dhe ata kanë bllokuar më parë zgjatjen e asistencës së papunësisë dhe ngritjen e pagës minimale."

Republikanët nën presion?

Po kështu edhe në reformën e ardhshme të ligjit të emigracionit. Premtimin e tij në fushatë Obama e përmend që nga viti 2008. Një kompromis i Senatit parashikonte verën e kaluar, që t'u garantonte shtetësinë 12 milionë emigrantëve të paligjshëm, në shkëmbim të kontrolleve më të rrepta në kufirin me Meksikën. Drafti dështoi për shkak të shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve. Por konservatorët e dinë vlerën e votave të latino-amerikanëve. Presidenti Obama do të mund të përfitonte prej kësaj, "sepse ai merr gjithsesi diçka: ose ligjin, ose përfitimin politik", thotë Galston.

Ushtarë amerikanë në Afganistan

SHBA para sfidash në politikën e jashtme


Më pak pikë arrin presidenti me politikën e jashtme. Dhuna pas tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku, tërheqja e vështirë nga Afganistani, lufta civile në Siri, apo negociatat e vështira mes izraelitëve dhe palestinezëve. Shumica e amerikanëve pas 12 viteve të operacioneve të pandërprera luftarake kujdeset tani më shumë për ndërtimin e vendit të tyre, thotë eksperti i Brookings, Galston: "Në periudhë afatshkurtër presidenti mund të fitojë më shumë pikë të popullsia, sikur t'i japë fund angazhimit ushtarak dhe jo ta rinisë."

Megjithatë: Republikanët shkojnë në zgjedhjet e nëntorit të forcuar. Fillimi i gabuar i reformës shëndetësore të Obamës, arritja e pikës më të ulët të popullaritet të tij, pjesërisht nën 40 për qind dhe pakënaqësia për përgjimet e telefonatave të shtetasve amerikanë nga shërbimi i fshehtë NSA, të zbuluara nga Edward Snowden. Republikanët duan ta shfrytëzojnë këtë dhe përveç shumicës ekzistuese në Dhomën e Përfaqësuesve duan të marrin edhe Senatin. Një gjë është e sigurtë, nëse Obama do të arrijë disa fitore politike, duhet ta bëjë këtë në vitin 2014. Në vitin e ardhshëm në këtë kohë përgatitet për ndeshje pasardhësi i tij. Ose pasardhësja. Për shembull ish-ministrja e Jashtme e Obamës, Hillary Clinton. Sipas një anketimi të universitetit amerikan Quinnipiac votuesit amerikane e shohin atë tashmë si favorite.