1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

SHBA vendos se kush mund të fluturojë nga Gjermania

Sipas një informatori, thuajse një milion vetë gjenden në listat e SHBA të të dyshuarve për terrorizëm. Në bazë të këtyre të dhënave vendoset edhe se kush mund të hypë në një avion, edhe në Gjermani.

Në aeroportet gjermane janë aktivë punonjës të Ministrisë së SHBA për Mbrojtjen e Atdheut. Në mesatare vjetore madje janë më shumë se 50 punonjës të Department of Homeland Security (DHS) në veprim në Gjermani. Kjo rezulton nga një përgjigje e qeverisë gjermane ndaj një kërkese përkatëse të grupit parlamentar në Bundestag të partisë E Majta, në dhjetor 2013. Në bazë të një marrëveshjeje për të dhënat e pasagjerëve mes BE-së dhe SHBA-së, shoqëritë ajrore janë të detyruara t'u japin akses nëpunësve të sigurisë të SHBA tek të gjitha të dhënat e pasagjerëve. Për kontrollet ekziston edhe një bashkëpunim me policinë federale gjermane. Për shembull në aeroportin e Frankfurtit.

Deputetja Ulla Jelpke (E Majta) donte informacione të tjera për artikujt që u botuan në nëntor 2013 në gazetën "Süddeutsche Zeitung". Sipas gazetarëve nëpunës amerikanë vendosin në aeroportet gjermane se kush lejohet të fluturojë në SHBA dhe kush jo. Sipas të dhënave të artikujve personeli i SHBA në Gjermani ka madje kompetenca të kryejë arrestime. Qeveria gjermane nuk ka konfirmuar që nëpunësit amerikanë i kanë lejuar vetes të kryejnë veprime që bien ndesh me ligjet shtetit gjerman. Ajo shkruan në përgjigjen e saj se në prokurorinë federale nuk ka procedura hetimore për cënim lirie. Qeveria gjermane pranon megjithatë se nuk regjistrohet nëse arrestimeve nga policia federale gjermane i kanë paraprirë sinjalizime nga autoritetet e sigurisë të SHBA-së.

Kufizim i lirisë së udhëtimit

Rolf Tophoven Terrorismus-Experte

Eksperti Rolf Tophoven

Të ashtuquajturat "Sugjerime per te mos fluturuar" do të jenë më të shpeshta pasi sasia e të dhënave në bankat e të dhënave për të dyshuarit për terrorizëm në SHBA është shtuar në mënyrë dramatike, dyshojnë ekspertët. Në këtë kuadër nuk mund të përjashtohen as defektet pra prekja nga masat e personave krejt të pafajshëm. Eksperti për luftën kundër terrorizmit Rolf Tophoven shprehet qartë: "Sasi të tilla të dhënash thjesht është e pamundur të administrohen." Për Tophoven nuk ka asnjë dyshim se autoritetet amerikane të sigurisë të stacionuara në Gjermani përdorin listat me të dyshuar për terrorizëm si ajo TIDE.

Rastet tek të cilat ngjashmëria e emrave me terroristët apo thjesht një kryq në vendin e gabuar kanë bërë që ndalimet e fluturimit të mos jenë të rralla.

Dyshimi i thjeshtë për lidhje me shoqata terroriste apo një angazhim politik që shihet shtrembër mund të mjaftojnë që të përfundosh në listën „No fly“ të SHBA.

Kështu e pësoi juristi belg dhe punonjësi i Parlamentit Evropian Paul-Emile Dupret, i cili donte të fluturonte drejt Meksikës për të marrë pjesë në një konferencë. Avioni në të cilin ndodhej nuk mori leje për të fluturuar mbi hapësirën ajrore të SHBA dhe iu desh të devijonte. Ndërkohë që nuk ishte planifikuar asnjë tranzit në SHBA.

Ndalime edhe për hapje llogarish

Që ndërkohë nuk është i prekur vetëm transporti por edhe pjesë të tjera të jetës në Gjermani, e shpjegon kryetari i Partisë Pirate, Stefan Körner. Pak kohë më parë një burrë nuk kishte mundur të hapte një llogari pasi emri i tij me gjasë ndodhej në një listë paralajmërimi për terrorizëm. E pazakontë. Pasi listat e SHBA me të dyshuar për terrorizëm mbajnë shënimin „Noforn“ (No foreign nationals) dhe nuk duhet të ofrojnë akses as për shërbimet e huaja sekrete dhe as për institucione të tjera. Megjithatë qeveria amerikane pranon se rreth 4,2 milionë punonjës të ushtrisë, ministrive dhe 16 shërbimeve sekrete kanë të drejtë aksesi në listat me të dyshuarit për terrorizëm. „Druaj se ngadaë kjo po merr përmasa që shpërthejnë çdo lloj përfytyrimi“, thotë deputeti gjerman Stefan Körner.

Mbetet pyetja se në çfarë përmasash autoritetet gjermane të sigurisë shfrytëzojnë të dhënat e mbledhura nga SHBA. Körner është para së gjithash i pakënaqur me të dhënat e shërbimit informativ gjerman. Që në komisionin hetimor parlamentar për NSA-në, përfaqësues të BND-së thanë se shfrytëzojnë vetëm 20 për qind të materialit të SHBA. Se kujt i referohen këto 20 për qind është krejt e hapur. Eksperti për luftën kundër terrorizmit Rolf Tophoven bën të qartë: „Unë e përjashtoj që Gjermania adopton një më një strategjinë e SHBA për mbledhjen masive të të dhënave.“ Gjermania në rast sinjalizimesh nga autoritetet e SHBA është e detyruar të shqyrtojë rreptësisht të gjitha të dhënat. E rrezikshme është natyrisht kur informatorë të tjerë do të publikonin vërtet emra nga listat „No fly“. Sipas të dhënave të faqes informatore të internetit "The Intercept", për rreth 300.000 persona nga këto lista nuk ka asnjë lloj lidhje me ndonjë organizatë terroriste.