1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA-të nuk janë vendi i vetëm që shkel kufij në gjendje lufte - incidenti me Sirinë

Helikopterë luftarakë amerikanë kanë sulmuar të dielën nga Iraku një fshat në Siri. Në aksion u vranë 8 banorë. Qeveria në Damask protestoi ashpër kundër sulmit.

default

Një i plagosur pas sulmit amerikan

Zëdhënësi për shtyp i ambasadës siriane në Londër e dënoi si "krim të tmerrshëm" incidentin e së dielës pasdite, në të cilin trupa amerikane hynë me helikoterë nga Iraku në territorin sirian dhe jolarg kufirit në Abu Kamal vranë tetë civilë. Nga qarqe të paspecifikuara të ushtrisë amerikane u mësua më vonë se ishte sulmuar një strehë e "Al Kaidës", prej nga mbështeteshin veprime terroriste në Irak. Në protestë ndaj sulmit në Damask u thirrën në ministrinë e jashtme përfaqësuesi i interesave amerikane dhe ambasadori irakian dhe Iraku u paralajmërua se mbante përgjegjësinë për sulme që kryhen nga territori i tij.

Një argument që përdoret nga amerikanët kundrejt Sirisë: Për sa kohë Damasku nuk ndërmerr gjë kundër infiltrimeve në Irak dhe elementë të armatosur depërtojnë nga Siria në Irak, Uashingtoni "do t'i marrë vetë gjërat në dorë". Dhe derisa politikanët evropianë sa vijnë dhe i shtojnë përpjekjet për ta nxjerrë Sirinë nga izolimi dhe vizitojnë kohët e fundit Damaskun, koha e shkrirjes së kujdesshme të akullit midis Damaskut dhe Uashingtonit rrezikon të shkatërrohet prej kësaj strategjie të Pentagonit.

Marrëdhënie e vështirë e amerikanëve me Sirinë

Strategjia nuk është e re. Dhe me gjasa nuk është në radhë të parë e Pentagonit, por ka mbështetjen e plotë të Shtëpisë së Bardhë. Natyrisht, njëherë sepse Xhorxh Dablju Bushi (George W-Bush) nuk u impresionua prej paralajmërimeve të demokratëve dhe të "Komisionit Hamilton-Baker" dhe vazhdon ta konsiderojë Sirinë si pjesë e "boshtit të së keqes". Së dyti edhe sepse presidenti amerikan urdhëroi vetë në fillim të verës që lufta kundër "Al Kaidës" dhe talibanëve të zhvendosej nga Afganistani edhe përtej kufirit me Pakistanin.

Që atëherë në zonat fisnore pakistaneze kanë humbur jetën në mënyrë të përsëritur në sulme të tilla civilë e madje ushtarë pakistanezë dhe pas protestave të ashpra pakistaneze, Uashingtoni e ka ndryshuar taktikën e vet vetëm në një pikë: Nuk përdoren më trupa tokësore dhe desantuese nga ajri, por avionë pa pilotë. Në rastin më të mirë kjo ul rrezikun e humbjeve në palën amerikane, jo në atë pakistaneze.

Me këtë strategji Uashingtoni ndjek një taktikë, e cila përdoret prej kohësh prej Izraelit në Lindjen e Afërme dhe të Mesme dhe prej disa kohësh edhe prej Turqisë.

Në dekadat e fundit Izraeli ka kryer vazhdimisht sulme seleksionuese në vendet fqinje me arsyetimin se këto nuk ndërmerrnin gjë kundër grupeve të armatosura që vepronin prej andej kundër Izraelit. Por Izraeli ka sulmuar edhe caqe shtetërore në vendet përreth kur diktonte në to rreziqe për sigurinë e vet. Për shembull në vitin 1981, kur shkatërroi reaktorin bërthamor irakian "Osirak" ose në shtator të këtij viti kur avionë izraelitë shkatërruan në lindje të Sirisë themelet e një reaktori bërthamor të supozuar. Turqia nga ana tjetër ka një histori të gjatë të operacioneve ushtarake në veri të Irakut, ku vepron kundër grupeve të supozuara të PKK-së, të cilat planifikojnë prej andej atentate në Turqi.

Pse nuk pritet rëndim afatgjatë i gjendjes

Këto aksione zhvillohen të gjitha pa shpallje lufte dhe me sa duket ato i rëndojnë vetëm përkohësisht marrëdhëniet dypalëshe. Kështu SHBA-të dhe Pakistani vazhdojnë të jenë aleatë, marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Bagdadit janë të patrazuara dhe pavarësisht sulmit izraelit Siria nisi negociata të tërthorta paqeje me Izraelin. Pavarësisht retorikës së ashpër nga kryeqyteti sirian edhe sulmi amerikan i fundjavës mendohet të mos ketë pasoja afatgjata.

Natyrisht në Damask e dinë që ditët në detyrë të presidentit amerikan janë të numëruara dhe se një president Obama dëshiron t'i përmirësojë marrëdhëniet me Sirinë. Por në të njëjtën kohë ndaj një sulmi të tillë duhet reaguar ashpër. Aq më tepër kur me sa duket viktimat janë kryesisht civilë të pafajshëm.

DW.COM

  • Data 27.10.2008
  • Autor Peter Philipp
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FhpO
  • Data 27.10.2008
  • Autor Peter Philipp
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FhpO