1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA-të kanë nevojë për Rusinë si partnere për përballimin e krizave dhe konflikteve globale

SHBA e ka të qartë se me rezervat e saj gjigande të naftës Rusia nuk frikësohet prej kërcënimeve të Amerikës. Por edhe Rusia s'është e interesuar as për rifillimin e luftës së ftohtë, as për një vetëizolim total.

default

A gjenden SHBA-të dhe Rusia përpara një lufte tjetër të ftohtë? Eduard Shevarnaze, ish-Ministër i Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, tërhoqi vëmendjen për një gjë të tillë në sfondin e konfliktit në Kaukaz.

Por SHBA-të po reagojnë të tërhequra. Një ndërhyrje në këtë konflikt në favor të Gjeorgjisë nuk u shtrua për arsye strategjike as për diskutim.

Kohërat e luftës së ftohtë kanë marrë fund, tha presidenti amerikan thuajse në formën e një betimi në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, para se të nisej për pushime në firmën e tij në Teksas.

"Lufta e ftohtë ka marrë fund. Konfrontimi me Rusinë nuk është aspak në interes të Amerikës dhe as Rusia nuk duhet të jetë e interesuar për fillimin e një lufte të re të ftohtë," - tha Bushi.

President amerikan e ka të qartë se me rezervat e saj gjigande të naftës Rusia nuk frikësohet prej kërcënimeve të Amerikës. Por edhe Rusia nuk është e interesuar as për rifillimin e luftës së ftohtë dhe as për një vetëizolim total prej botës, mendon Strobe Talbott , president i Institutit të mirënjohur Brookings në Washington. Rusia dëshiron të bëjë pjesë në bashkësinë ndërkombëtare, por sipas kushteve të diktuara nga Moska, dhe ndër këto kushte bën pjesë që Rusia do të donte t'ua ndalonte në mënyrë kategorike ish-shteteve të bllokut lindor anëtarësimin në BE dhe në NATO.

Sipas mendimit të Talbott presidenti Bush dhe para së gjithash pasardhësi i tij gjenden përpara një sfide të jashtëzakonshme, sepse presidenti i ri i SHBA-ve duhet t'u bëjë rusëve të qartë se:

"Ne jemi të interesuar për të bashkëpunuar me ju, dhe kemi nevojë për ndihmën tuaj për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, por edhe ju duhet t'u përmbaheni normave ndërkombëtare."

Por Amerika ka vetëm pak mjete në dorë për ta vënë Moskën nën presion. Vërtet që kandidati republikan John McCain ka rreth dy vjet që kërkon me plot gojë përjashtimin e Rusisë nga grupi i G8-s, por një veprim i tillë do t'i bënte edhe më te rrezikshme shumë vatra zjarri në botë. P.sh. konfliktin me Iranin, të cilin qeveria amerikane do të donte ta zgjidhte me rrugë diplomatike.

Por për këtë amerikanët kanë nevojë për Rusinë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Muajt e fundit qeveria e Moskës u përpoq së bashku me SHBA-të për ta penguar regjimin e Teheranit për ndërtimin e bombës atomike. Në rast të një konfrontimi me Rusinë Moska mund t'i bllokonte me veton e saj të gjitha sanksionet e ardhshme të OKB-së ndaj Iranit. Që tani qeveria ruse e furnizon Iranin me sistemet më moderne të mbrojtjes ndaj raketave. Pra si në çështjen e Iranit, Koresë së Veriut, të Lindjes së Mesme, të kontrrollit të armatimeve apo të protokollit të Kiotos Amerika nuk mund të arrijë suksese pa Rusinë.

Për këtë shkak megjithë ndërhyrjen brutale të trupave ruse në Gjeorgji për Ministrin amerikan të Mbrojtjes Robert Gates është e qartë një gjë: "SHBA-të bënë për 45 vjet me radhë gjithçka që ta mënjanonin një konfrontim ushtarak me Rusinë, për këtë për momentin nuk shikoj asnjë shkak pse duhet të ndryshojmë ndonjë gjë në këtë mes."

  • Data 16.08.2008
  • Autor Ralph Sina
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Eye9
  • Data 16.08.2008
  • Autor Ralph Sina
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Eye9