1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

SHBA-të kërkojnë dialog me Iranin - Mundësitë dhe pengesat

Për herë të parë që prej një viti takohen sot (1.10.) në Gjenevë përfaqësuesit e pesë vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermania me ndërmjetësuesin iranian për të biseduar për programin bërthamor të Iranit.

Flamuri iranian dhe ai amerikan

Flamuri iranian dhe ai amerikan

Në këto negociata për herë të parë do të marrin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kanë kaluar dy vjet, që kur Barack Obama foli për herë të parë për rifillimin e një dialogu me Iranin, për diskutimin e problemeve që rëndojnë prej tridhjetë vjetësh marrëdhëniet reciproke dhe preokupojnë botën prej së paku shtatë vjetësh. Senatori i atëhershëm i Illinoit po përgatitej të kandidonte për postin e presidentit dhe zgjodhi me mjeshtëri temat, që e dallonin prej presidentit të atëhershëm George W. Bush. Nëqoftëse ai e konsideronte Iranin si pjesë e „boshtit të së keqes“, Obama dhe demokratët ishin të gatshëm të ndiqnin rekomandimet e komisionit Hamilton-Baker, i cili në fund të vitit 2006 pati rekomanduar. që Uashingtoni të integronte shtetet fqinje të Irakut në strategjinë e tij politike rajonale.

Komisioni kishte tematizuar në radhë të parë rrugët për zgjidhjen e dilemës së Irakut. Por për Obamën ishte e qartë se Uashingtoni duhej të përpiqej për përmirësimin e klimës së akullt me Teheranin edhe për shkaqe të tjera: problemet bilaterale politike, që rrjedhin nga koha e Shahut dhe nga ditët e zënies së ambasadës amerikane, por edhe problemet e përgjithshme – në radhë të parë – konflikti atomik me Iranin.

Evropianoperëndimorët kërkojnë sanksione më të ashpra kundër Iranit

Presidenti amerikan, Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama

Si zot i ri i shtëpisë së Bardhë Obama deri tani nuk e ka patur të lehtë ta realizojë këtë strategji. Zgjedhjet që do të zhvilloheshin në Iran dhe pastaj rezultati dhe pasojat e tyre, do t'i bënin të vështira afrimet me Teheranin. Dhe presioni i brendshëm politik bëri që Obama t'i japë Iranit një ultimatum të qartë: nëqoftëse Teherani deri në fund të shtatorit nuk do të reagojë pozitivisht ndaj ofertës për negociata, mund të merren edhe masa të tjera. Fjala ishte – dhe është – për sanksione më të ashpra, të cilat kërkohen sidomos nga evropianoperëndimorët. Për shembull, sanksione kundër furnizimit të Iranit me benzinë. Ky vend i pasur me naftë nuk ka kapacitete të mjaftueshme rafinerish dhe importon çdo ditë, afro 120.000 fuçi benzinë nga jashtë. Deri një të tretën e tyre Irani – direkt dhe indirekt – e merr nga Kina. Së fundi ai nënshkroi me presidentin e Venezuelës, Hugo Chavez, një marrëveshje për importimin e naftës. Dëmtimi i importeve të naftës do të shkaktonte probleme serioze në Iran dhe për këtë arsye, Teherani deklaroi në momentin e fundit, se është i gatshëm për bisedime.

Këto zhvillohen sot (1.10.) në Gjenevë dhe janë shumëpalëshe: ndërmjet Iranit dhe grupit "pesë plus një" (anëtarëve të përhershëm të KS të OKB-së dhe Gjermanisë). Tema është konflikti atomik. Teherani informoi inspektorët e agjencisë bërthamore, IAEA, se në afërsi të qytetit të shenjtë Ghom, po ndërton një tjetër impiant pasurimi. Pak më vonë, Irani ndërmori në mënyrë demonstrative teste për nisjen e sistemeve të ndryshme të raketave. Ndër ta „Shahab 3“ dhe „Sejil“: e para ka një rreze prej 2.000 kilometrash, e dyta edhe 500 kilometra më shumë. Të dyja mund të arrinin Izraelin, i cili kohët e fundit është sulmuar sërish nga udhëheqja iraniane.

Irani këmbëngul në të drejtën e tij për pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore

Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhat

Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhat

Edhe pse këto kanë qenë "vetëm" sulme verbale, kështu intensifikohet grindja me Iranin dhe thirrjet për ashpërsimin e sanksioneve. Një sfond i pafavorshëm për dialog. Kështu mund të shpjegoheshin edhe manovrat. Udhëheqja iraniane do të tregojë pas trazirave të muajve të fundit, se është e bashkuar pas presioneve nga jashtë. Ajo këmbëngul në të drejtën e saj, (e garantuar në marrëveshjen e mospërhapjes së armeve bërthamore), për të pasuruar uraniumin dhe thekson, se nuk ka plane për të ndërtuar armë atomike. IAEA nuk ka mundur të sjellë deri tani dëshmi për plane të tilla. Shërbimet sekrete amerikane madje kanë konstatuar, se Teherani ka hequr dorë që në vitin 2003 prej synimeve të tilla, por shërbimet sekrete evropianoperëndimore dhe Izraeli nuk e besojnë këtë dhe kërkojnë një qëndrim më të ashpër. Irani mund ta çtensiononte pjesërisht situatën, së paku duke lejuar sa më parë inspektorët bërthamorë në impiantet e pasurimit (sipas IAEA uraniumi nuk ka hyrë akoma në impiant) dhe duke shfrytëzuar bisedimet e Gjenevës. Kjo jo vetëm për të kritikuar presionin ndërkombëtar, por duke u ballafaquar seriozisht me frikërat e shteteve të huaja.

Dhe grupi „5 plus 1“ duhet të përpiqej të gjente një rrugë të re. Vetëm kërcënimet dhe paralajmërimet nuk do të sjellin asgjë as në Gjenevë. Rëndësi ka që të niset një dialog në mes të barabartëve. Nëqoftëse arrihet kjo, atëherë mund të trajtoheshin të gjitha temat, jo vetëm ajo atomike.

Autor: Peter Philip / Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani

Audio dhe video për temën