1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA-të dhe vija e kuqe

Qeveria e SHBA nuk do të përfshihet në konflikte ushtarakë, sidomos për shkak se rreziqet në vendet fqinje janë të vështira për t'u llogaritur.

Të mërkurën (21.08.2013) gjatë një sulmi në Damask ku dyshohet se është përdorur gaz helmues u vranë 500-1300 vetë. Opozita akuzoi qeverinë siriane, kurse kjo i mohon këto pohime. Në qoftë se rezulton se pretendimet e opozitës i përgjigjen së vërtetës Barak Obama mund të detyrohet të veprojë. Kjo sepse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka deklaruar rreth një vit më parë se përdorimi i gazit helmues është një "vijë e kuqe" e cila po u shkel do të çojë në ndërhyrje ushtarake në luftën civile siriane.

Që në qershor të vitit 2013, qeveria e SHBA ishte e bindur se regjimi sirian përdor armë kimike dhe shpalli se do të furnizojë me armë disa kryengritësi të përzgjedhur. Por deri tani Shtetet e Bashkuara nuk donin të ndërhynin vetë ushtarakisht.

Frika nga zgjerimi i konfliktit në Siri në vendet fqinje

Korrespondentja e MDR në Uashington Silke Hasselmann mendon se është e qartë që Barak Obama donte të ndiqte në politikë e jashtme një rrugë të ndryshme nga paraardhësi i tij George W. Bush. "Qeveria e SHBA nuk do të përfshihet në një konflikt ushtarak, sidomos për shkak se rreziqet në vendet fqinje janë të vështira për t'u llogaritur," thotë Josef Janning nga Shoqata Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP).

Shiitët në Iran që mbështesin regjimin e presidentit Assad mund të ndjehen të provokuar nga një ndërhyrje ushtarake amerikane në Siri. Izraeli si fqinj i drejtpërdrejtë i Sirisë do të kishte konflikte me regjimin e Asadit, dhe për këtë arsye mund të jetë në rrezik në rast të një përshkallëzimi të konfliktit. "Përveç kësaj, amerikanët kanë bërë në dhjetë vitet e fundit përvojën, se nuk është e mundur që të ndërhyhet në mënyrë të kufizuar," thotë Janning në bisedë me DW.

Politikani i Gjelbër Omid Nouripour, anëtar i grupit parlamentar për SHBA-në në Bundestag, sheh edhe arsye të tjera për pasivitetin e amerikanëve në politikën e jashtme. "SHBA nuk duan të shkojnë në luftë në këtë moment. Ata janë lodhur me luftërat dhe thjesht nuk kanë të holla për të financuar një ndërhyrje të tillë," tha Omid Nouripour për DW.

Interesat amerikane në Egjipt

Omid Nouripour Bündnis 90 Die Grünen

Omid Nouripour

Edhe në Egjipt, superfuqia perëndimore po bie në sy shumë më tepër përmes sjelljes pasive. Kritikët e akuzojnë qeverinë amerikane se ajo është duke u bërë vetëfajtore për dhunën ushtarake.

Në Egjipt, thotë korrespondentja nga SHBA-ja Silke Hasselmann, administrata e Obamas ka pak nxitje për të ndërhyrë më shumë për shkak se ajo i sheh interesat e veta kryesore një herë për një herë të siguruara: Shteti u lejon amerikanët qasje në Kanalin e Suezit për transportin e naftës dhe pajisjeve ushtarake. Kompanitë amerikane gjithashtu e furnizojnë ushtrinë egjiptiane me helikopterë luftarakë. Nëse qeveria e SHBA nuk do të pajtohet me partnerët egjiptianë, kontratat fitimprurëse mund të eliminohen.