1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA shton trysninë mbi Egjiptin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga udhëheqja egjiptiane hapa të shpejtë konkretë për reformat. Zëdhënësi i qeverisë amerikane Robert Gibbs tha se deri tani nuk janë përmbushur as kërkesat minimale të popullit.

Protesta në Kairo.

SHBA: Nuk janë plotësuar kërkesat minimale të popullit egjiptian.

Qeveria egjiptiane duhet të ndërmarrë më në fund hapa të vërtetë dhe konkretë për të bërë ndryshimet politike, tha zëdhënësi i qeverisë amerikane Robert Gibbs në Uashington. Procesi i reformave sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është shumë i ngadaltë dhe nuk përmbush as kërkesat minimale të popullit egjiptian.

Zëdhënësi i qeverisë amerikane Robert Gibbs.

Zëdhënësi i qeverisë amerikane Robert Gibbs.

Qeveria egjiptiane nën drejtimin e zëvendëskryetarit Omar Suleiman duhet të intensifikojë takimet me përfaqësuesit e opozitës dhe të drejtojë vendin drejt një kalimi të shpejtë në demokraci. Për këtë është shprehur të martën (8.02.) edhe zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, gjatë një telefonate me Omar Suleimanin.

Ndryshim i kushtetutës dhe zgjedhje të lira

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë ndër të tjera heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe me një ndryshim në kushtetutë t'i hapet rruga zgjedhjeve të lira dhe korrekte në vend.

Ajo çfarë ka bërë deri tani qeveria egjiptiane është thjesht e pamjaftueshme. Prandaj nuk është e papritur, që gjithnjë e më shumë dalin në rrugë njërëz për të protestuar. Dhe për aq kohë sa qeveria nuk do të lëvizë nga qëndrimet e saj, numri i demonstruesve do të jetë gjithnjë e më i madh, tha Gibbs.

Ministri i Jashtëm egjiptian Ahmed Abdul Gheit, shprehet kundër trysnisë që vjen nga pala amerikane. Në një intervistë dhënë një kanali televiziv amerikan, ai tha, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po provojnë që t'i imponojnë Egjiptit vullnetin e tyre.

Presidenti amerikan Obama dhe ai egjiptian Mubarak.

Megjithë kritikat Egjipti mbetet një partner i rëndësishëm i SHBA-së në rajon. Në foto: presidenti amerikan Obama dhe ai egjiptian Mubarak.

Tranzicioni në Egjipt duhet të kryhet me kujdes

Kjo nuk është shumë e dobishme në një situatë të tillë, tha Gheit. Ai kërkoi më shumë kohë për ndryshimet politike përndryshe Egjipti kërcënohet nga një kaos i pandalshëm. Vendi ndodhet në tranzicion por ai duhet megjithatë të bëhet me shumë kujdes.

Megjithë kritikat e tij, ministri i Jashtëm egjiptian i vlerëson marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si miqësore. Për shkak të rëndësisë së tyre në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partner i rëndësishëm dhe po ashtu Egjipti është i rëndësishëm për SHBA-të dhe për botën, si garant për stabilitetin në rajonin arab.

Autor: Julia Hummelsieb / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 10.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Eze
  • Data 10.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10Eze