1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA: Shtëpia e bardhë e merr në mbrojtje Bidenin

Djali i zëvendëspresidentit të SHBA-së punon për një kompani ukrainase gazi. A përzihen me angazhimin e Hunter Bidenit interesat politike me ato ekonomike? Qeveria qëndron e qetë.

Lidhja e Hunter Biden me një kompani gazi në Ukrainë ka çuar në reagime të kujdesshme në opinionin amerikan. Wall Street Journal njoftoi të mërkurën (14.05.2014), se i biri i zëvendëspresidentit të SHBA-së punon që nga prilli për firmën Burisma. Ndër mediat e pakta, që e kanë marrë lajmin, është edhe gazeta e njohur Washington Post.

Megjithatë gazeta kritikon ashpër. Ajo sheh në postin e ri të Hunter Bidenit "një problem për US soft power". Gazeta e ka fjalën këtu për opsionet diplomatike dhe politike të SHBA-së në krizën e Ukrainës, të cilat nga angazhimi i Bidenit mund të humbisnin besueshmërinë.

Kritikë ndaj rolit të Bidenit

Politika e jashtme amerikane interpretohet shpesh në vendet e tjera si perceptim egoist i interesave ekonomike, të cilat udhëhiqen para së gjithash nga një uri e madhe për energji. Me angazhimin e Bidenit tek Burisma, furnizuesi më i madh privat i gazit, ky perceptim dëmtohet aq sa nuk ka të shkojë më. "Të turpshëm" e quan autori i artikullit këtë qëndrim. Citohen lexues, që "ngelen pa mend", ose që thonë se kjo është me të vërtetë gjë e keqe. Këtu ata kanë parasysh, se sipas Wall Street Journal pas gjigandit energjetik Burisma qëndron një i besuar i presidentit të mëparshëm Janukoviç.

Shtëpia e Bardhë qëndron e qetë

Shtëpia e Bardhë nuk gjen asgjë të pakëndshme në punësimin e Bidenit. Por zëdhënësi i saj Jay Carney nuk pranoi ta komentojë, duke thënë se "Hunter Biden dhe anëtarë të tjerë të familjes janë padyshim qytetarë privatë".

Michael Sawkiw nga "Ukrainian Congress Commitee of America" në bisedë për Deutsche Welle mbështet zëdhënësin e presidentit Obama.

Lëvdata nga komuniteti ukrainas

Sawkiw, organizata e të cilit e konsideron veten si përfaqësuesen e interesave të rreth 1,5 milionë ukrainasve në SHBA, e sheh vetëm pozitivisht angazhimin e Bidenit për industrinë energjetike të Ukrainës. Në këtë mënyrë lidhjet politike dhe ekonomike të dy vendeve forcohen. Përveç kësaj ai pret ndihmë nga një e keqe e madhe: "Që prej 25 vjetësh, që kur ka fituar pavarësinë nga Rusia, Ukraina plaçkitet nga korrupsioni." Për të është gjithçka në rregull, që ndihmon për të vetëdijësuar më fort problemin e korrupsionit, qoftë përmes djalit të zëvendëspresidentit të SHBA-së, apo djalit të një politikani ukrainas."

Sawkiw e mirëpret faktin që familja e zëvendëspresidentit bashkëpunon ngushtë me Ukrainën, edhe pse në një nivel tjetër. Sepse zëvendëspresidenti Joe Biden "ka qenë në administratën Obama një ithtar i madh për të mbështetur Ukrainën."

Drejtori i "US-Ukrainian Business Council", Morgan Williams, nga ana tjetër përmend një traditë të mirë amerikane, që anëtarët e ngushtë të familjeve të qeveritarëve apo kongresmenëve nuk punojnë në organizata, që kanë marrëdhënie biznesi, apo marrëdhënie të tjera me politikën e të afërmve të tyre.

Të ndahet politika nga biznesi

Biden e ka shkelur këtë: "Duket se këtu mund të jetë një konflikt." Williams deri tani nuk ka prova të një konflikti interesi. "Por në qoftë se do ta mbash të ndarë sektorin politik nga biznesi, dhe të luftosh kundër korrupsionit, atëherë nuk duhen respektuar vetëm ligjet, por edhe imazhi."