1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA shqyrtojnë ndërhyrjen ushtarake në Libi

Rreziku në rritje prej "Shtetit Islamik" bën që SHBA të mendojnë masa më drastike. Një dakordim në procesin e paqes, i dërguari i OKB-së, Kobler megjithatë nuk e përjashton.

Uashingtoni e vështron organizatën "Shteti Islamik" (IS) si "kërcënim serioz", tha zëdhënësi i Pentagonit Peter Cook. SHBA duan të jenë të përgatitura, për rastin nëse IS kthehet në rrezik edhe më të madh. Prandaj SHBA po shqyrtojnë "opsione ushtarake dhe një numër të madh opsionesh të tjera."

SHBA këmbëngulin para së gjithash për një zgjidhje politike të konfliktit të Libisë, meqenëse në thelb nuk kanë interes që ta zgjerojnë misionin e tyre kundër "Shtetit Islamik". Avionë luftarakë amerikanë i bombardojnë që prej vjeshtës 2014 pozicione të xhihadistëve në Irak dhe në Siri. Pas rrëzimit të pushtetmbajtësit Muammar al-Gaddafi në vend mbizotëron kaosi, të cilin e shfrytëzon "Shteti Islamik" për ta zgjeruar ndikimin e tij në Libi. Mendohet se ai ka atje të paktën 3000 luftëtarë të tij.

Qeveria e unitetit nën presion

Në nivelin politik, procesi i paqes ecën shumë ngadalë. Në fillim të javës, parlamenti i njohur ndërkombëtarisht nuk pranoi të japë miratimin për një klauzolë, e cila do të çonte në dobësimin e pushtetit të shefit me ndikim të ushtrisë, Chalifa Haftar. Kjo e vë nën presion qeverinë e re të sapoformuar. I dërguari i OKB-së për Libinë, Kobler i bëri thirrje Bashkimit Afrikan që të luajë një rol më aktiv në përpjekjet për paqëtimin e gjendjes në Libi.

Shërbimi shëndetësor buzë kolapsit

Ndërkohë, ministri libian i Shëndetësisë, Reida al-Oakley paralajmëroi për rrezikun e kolapsit të sistemit shëndetësor. Ai i kërkoi Organizatës Botërore të Shëndetësisë që ta vërë nivelin e emergjencës në shkallën më të lartë. Reida al-Oakley tha se si pasojë e luftës civile janë mbyllur 60 deri 70 përqind e spitaleve si dhe kanë dalë jashtë përdorimit. Libisë i duhen rreth 2,7 milionë euro në ditë, për të blerë shërbime mjekësore.