1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA ritheksojnë kërkesën që Izraeli të ndalojë ndërtimin e kolonive në zonat e pushtuara

Ndërtimi i kolonive izraelite në territoret e pushtuara palestineze është prej vitesh mollë sherri ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve. Tani SHBA ka kërkuar një ndërprerje të ngulimeve për një periudhë të caktuar.

Palestinezë godasin me gurë ushtarë izraelitë dhe kolonë hebrej

Palestinezë godasin me gurë ushtarë izraelitë dhe kolonë hebrej

SHBA kërkon nga Izraeli ndërprerjen për dy vjet të ndërtimit të ngulimeve në territoret e pushtuara

Qeveria e SHBA, sipas informacioneve të gazetës ditore izraelite „Yedioth Achronoth“ kërkon nga Izraeli ndërprerjen e ndërtimit të ngulimeve në territoret e pushtuara për një afat prej dy vjetësh. Kjo periudhë sipas pikëpamjes së Uashingtonit është e nevojshme për të përfunduar me sukses negociatat për një zgjidhje të përhershme të konfliktit të Lindjes së Mesme. Siç njofton më tej gazeta, duke iu referuar disa qarqeve në Jerusalem, kryeministri Beniamin Netanjahu e refuzon këtë kërkesë. Në vend të kësaj Netanjahu i ofron Uashingtonit një pauzë tremujore të aktiviteteve të ngulimeve, por shtetet arabe si kompensim duhet të shprehin gatishmërinë që t'i normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

Këtu Izraeli ndër të tjera numëron ngritjen e dhomave bilaterale të tregtisë në Izrael dhe në shtetet arabe si dhe të drejtat e Izraelit për të fluturuar në zonën ajrore të Arabisë Saudite. Shtetet e Gjirit, Omani dhe Katari, sipas të dhënave të gazetës ditore „Ha'aretz“ janë të gatshme për këtë, në rast se Izraeli pranon ndërprerjen e ndërtimit të ngulimeve.

Zëvendëskryeministri izraelit, ministri i brendshëm Eli Yishai i partisë ultra-ortodokse Shas, refuzon kategorikisht çfarëdo lëshimi në lidhje me zgjerimin e kolonive ebreje në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor. Gjatë vizitës që u bëri planeve të ndërtimit në afërsi të bllokut të ngulimeve Ma'ale Adomim, në lindje të Jerusalemit, ku banojnë më shumë se 30.000 izraelitë, Yishai tha para disa ditësh lidhur me aktivitetet e ngulimeve

'Është e pamundur që amerikanët të na diktojnë, që të mos ndërtojmë në blloqet e ngulimeve.'

„Amerikanët do ta kuptojnë më në fund se nuk ka shmangie prej kësaj. Ata do ta kuptojnë se kjo bazohet në një angazhim të qeverisë së mëparshme amerikane, të cilën nuk mund ta injorojnë. Kjo është për ne ekzistenciale, do të thotë siguri për ne, është nacionale, është e drejtë, është e vërtetë, është e nevojshme. Është e pamundur që të na diktojnë, që të mos ndërtojmë në blloqet e ngulimeve."

Qeveria e SHBA: nuk ka konfirmim me shkrim nga administrata e Bushit, që Izraeli të vazhdojë ndërtimin e ngulimeve

Qeveria amerikane javët dhe muajt e fundit ka deklaruar disa herë zyrtarisht se nuk ekziston një konfirmim me shkrim nga administrata e mëparshme e Bushit, në bazë të së cilës Izraeli lejohet të vazhdojë ndërtimet në ngulimet ekzistuese ebreje. Prandaj arsyetimet e tilla izraelite janë të kapërcyera.

Përveç kësaj presidenti Barak Obama refuzoi që ta presë kryeministrin Netanjahu lidhur me debatin aktual amerikano-izraelit: Siç njofton „Yeditoh Achronoth“ Obama ka refuzuar kërkesën e Netanjahut për ta pritur atë në kuadër të asamblesë së përgjithshme në Nju Jork në mesin e muajit të ardhshëm.

Autor: Klemens Ferenkote/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 14.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JBTS
  • Data 14.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JBTS