1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA: republikanët përgatiten për betejën e radhës

Republikanët nuk arritën të merrnin thuajse asnjë lëshim në favor të tyre në debatin për buxhetin. Mbështetja e tyre në popull po tkurret, po si do të vazhdohet më tej?

Dy javë rresht, republikanët në SHBA bënë gjithçka për të rrëzuar në debatin për buxhetin, reformën shëndetësore të Presidentit Obama. Por të mërkurën (16.10.), krahu i djathtë i partisë, e ashtuquajtura Tea Party, u detyrua të hapte rrugë. Tani qeveria ka një herë për një herë aftësinë paguese, deri në janar. "Ne luftuam mirë, por nuk fituam", tha republikani John Boehner, zëdhënës i Dhomës së Përfaqësuesve, në bisedë me moderatorin konservator të radios Bill Cunningham nga Cincinati, Ohio.

Marrëveshja e së mërkurës parashikon që qeveria të ketë likuiditet pagues deri në 15 janar 2014. Veç kësaj u ngrit kufiri i sipërm i borxhit deri në 7 shkurt. Në këmbim republikanët morë disa lëshime, e pikërisht detyrimin për dëshmi të ardhurash për ata amerikanë që duan të regjistrohen për kujdesin shëndetësor publik, të quajtur Obamacare.

John Boehner

John Boehner

"Ne do të vazhdojmë përpjekjet për ta ndalur këtë reformë shëndetësore katastrofale", u shpreh Boehner në një deklaratë për shtyp. Megjithëse Boehner i bëri pastaj thirrje partisë së tij për ta nënshkruar marrëveshjen, vetëm 87 republikanë votuan pro saj në Dhomën e Përfaqësuesve. Në Senat votuan 18 anëtarë të partisë. "Pyetja që duhet të bëjmë tani është: kur do të vendosin më në fund t'i kundërvihen republikanët, të cilët veprojnë brenda strukturave demokratike, këtyre tipave (Tea Party sh.red.)?", thotë në bisedë me DW Theda Skockpol, autore e "The Tea Party and the Remaking of Republican Conservatism".

'Obamacare është tani ligj'

Pak pas rizgjedhjes së Obamës nëntorin e kaluar, u duk sikur Boehner e kishte pranuar reformën në shëndetësi. Për kanalin televiziv ABC ai tha se "rizgjedhja kishte ndryshuar gjithçka". "Presidenti u rizgjodh, Obamacare është tani ligj".

Por pak pas hyrjes në fuqi të reformës në tetor, senatori Ted Cruz nisi inisiativën e tij kundër Obamacare dhe shkaktoi të ashtuquajturin "shutdown", pezullimin e punës së administratës Obama. Gjatë pushimit të verës të Kongresit, ai mobilizoi një numër të madh përkrahësish të Tea Party. Eric Cantor, kryetar i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve e pa me skepticizëm strategjinë dhe u përpoq në vend të kësaj ta shkëpuste financimin e Obamacare nga pjesa tjetër e financimit të buxhetit.

Ted Cruz

Ted Cruz

Sipas propozimit të Cantor, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve do të kishin votuar vetëm në mënyrë simbolike për Obamacare. Në Senat, me shumicë demokrate, mund të kundërshtohej refuzimi i financimit të reformës në shëndetësi dhe në të njëjtën kohë të jepej bekimi për pjesën tjetër të financimit të buxhetit. Por përkrahësit e Tea Party e kundërshtuan propozimin dhe votuan për lidhjen e Obamacare me pjesën tjetër të buxhetit.

Pas kësaj çështja u debatua nga Senati. I paharrueshëm mbetet fjalimi maratonë prej 21 orësh i Ted Cruz, me të cilin ai bëri shumë armiq edhe brenda partisë së tij. Në fund Senati miratoi një projektligj, i cili ruante financimin e Obamacare. Në Dhomën e Përfaqësuesve ai dështoi megjithatë për shkak të refuzimit nga Tea Party. Boehner u gjend ngushtë. Skocpol beson se Boehner në fund iu dorëzua trysnisë së Tea Party dhe shkaktoi "shutdwon", për të mos humbur reputacionin dhe pushtetin si zëdhënës i dhomës së ulët të Kongresit. "Boehner nuk e bëri këtë për motive sublime", thotë Skocpol, profesore sociologjie pranë Universitetit të Harvardit. "Ai thjesht donte të ruante lëkurën e tij nga sfidat e krahut të djathtë të partisë në dhomën e ulët".

Beteja e ardhshme

Megjithë sondazhet në rënie të republikanëve, ka mundësi që ata anëtarë të Tea Party që janë të "sigurt" në zonat e tyre zgjedhore, ta rifillojnë lojën e tyre në janar dhe në shkurt. Ndër ta ka disa që përmenden si kandidatë për president: Ted Cruz, Marco Rubio, Rand Paul dhe Paul Ryan.

Republikanët me ndikimin më të madh janë sidoqoftë ata pa poste, thotë Skocpol. Ata veprojnë në bazë si aktivistë dhe donatorë. Janë organizata si 'Senate Conservatives Fund', 'Freedom Works', 'Americans for Prosperity' dhe 'Heritage Action', që kanë më shumë ndikim.

"Disa nga këto grupe, edhe pse jo të gjithë, janë shprehur kundër çdo lloj marrëveshjeje që mund të kontribuonte për rifillimin e punës së qeverisë", thotë Skocpol. "Republikanët që kanë poste, kanë frikë nga grupe të tilla, pasi i druhen sfidave të skajit të djathtë në zgjedhjet e rëndësishme."