1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA refuzon t'i japë ambasadorit iranian vizë

SHBA nuk pranon t'i japë një vizë personit që Irani ka caktuar si ambasador në OKB. Përplasja diplomatike ndodh në një fazë, e cila mund të jetë vendimtare për negociatat për programin atomik iranian

Nën presionin e fortë të politikës së brendshme, qeveria e SHBA ka refuzuar t'i japë ambasadorit të ri të Iranit në OKB, Hamid Abutalebi, një vizë për të hyrë në SHBA. Vendimi i Shtëpisë së Bardhë është në kundërshtim të qartë me rregullat e zakonshme diplomatike, në bazë të të cilave çdo vend lejohet t'i emërojë në mënyrë të pavarur përfaqësuesit e tij në OKB dhe që ata duhet të udhëtojnë pa pengesa në rezidencën kryesore të OKB-së në Nju Jork.

Shkaku për hapin e pazakontë: Abutalebi besohet se ka marrë pjesë më 1979 në dramën e pengjeve në ambasadën e SHBA në Teheran. Atëherë 52 amerikanë u mbajtën për 444 ditë peng në Iran. Mbajtja peng, të cilën e nisi një grup studentësh dhe të cilën e mbështeti qeveria e Ayatollah Khomeinit, ishte një reagim ndaj refuzimit të amerikanëve, për t'ia dorëzuar Iranit Shahun e arratisur në SHBA. Abutalebi vetë thotë se ai ka qenë atëherë vetëm përkthyes për grupin e studentëve iranianë.

Diplomat me përvojë

Vendimi i Teheranit për ta emëruar Abutalebin si ambasador në OKB ishte me gjasa jo shumë i zgjuar - por një provokim i qëllimshëm emërimi i tij megjithatë nuk ishte. Kështu beson Ellie Geranmayeh, eksperte për Iranin në European Council of Foreign Relations. "Ata e kanë dërguar atë më parë në BE, ai ka qenë ambasador në shumë vende", i thotë Geranmayeh në bisedë DW. "E kaluara e tij nuk ka luajtur asnjëherë një rol kaq të rëndësishëm sa tani në rastin e SHBA. Unë nuk besoj që pala iraniane kishte synim të provokonte. Në një rast të tillë do të kishte pasur patjetër kandidatë të tjerë, të cilët kanë një të kaluar shumë më të vështirë për SHBA".

Vendimi i Shtëpisë së Bardhë bazohet në një ligj, i cili i refuzon çdo përfaqësuesi të OKB-së, i cili është marrë me spiunazh ose me terrorizëm, ose i cili përfaqëson një rrezik për sigurinë kombëtare, hyrjen në SHBA. Ligjin e miratoi njëzëri kongresi, për ta penguar Abutalebin që të hyjë në SHBA. Presidenti Obama e ka nënshkruar tashmë këtë ligj dhe ka shprehur njëkohësisht se e shikon atë vetëm si rekomandim, dhe se ai nuk pranon që kongresi t'i ndërhyjë në pranimin apo kundërshtimin e ambasadorëve të OKB-së.