1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritet presioni ndaj Moskës

dpa/Mimoza Kelmendi4 Mars 2014

Si pasojë e kursit që po ndjek Moska në Krime, ShBA ndërpret bashkëpunimin ushtarak me Rusinë. Ashton dhe Walter-Steinmeier zhvillojnë bisedime për zgjidhjen e krizës në Ukrainë. Rusia rrit prezencën ushtarake në Krime.

https://p.dw.com/p/1BJE7
Pamje nga KrimejaFotografi: picture-alliance/dpa

Si reagim ndaj krizës në Gadishullin ukrainas në Detin e zi, Krime, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur ngrirjen e bashkëpunimit ushtarak me Rusinë. Një vendim i tillë prek në rradhë të parë takimet bilaterale në këtë fushë, manovrat dhe konferencat e planifikimit ushtarak, njoftoi Pentagoni. Presidenti amerikan Barack Obama kërcënoi se në rast se Kremlini do të vazhdojë të ndjekë kursin e tij aktual, atëherë mund të ketë masa ekonomike dhe diplomatike që do të çonte vendin në izolim.

Obama akuzoi edhe një herë Rusinë se po shkel ligjin ndërkombëtar dhe tha se Moska “është në anën e gabuar të historisë”. Ministria e Jashtme amerikane sipas të dhënave të veta po shqyrton mundësinë e ngrirjes së pasurive (aseteve) të elitës ruse dhe kufizimin e dhënies së vizave. Po ashtu institucionet financiare ruse mund të preken nga ky vendim i Uashingtonit. Për shkak të shkeljes së ligjit ndërkombëtar, Perëndimi ka ndërprerë bashkëpunimin e tij me Rusinë për konsultimet paraprake të samitit të G8 që përbëhet nga vendet më të fuqishme industrialiste në botë.

Për këtë të martë (05.03) janë planifikuar një sërë takimesh lidhur me krizën në Ukrainë. Ndër të tjera, shefja e diplomasicë europiane, Chaterine Ashton do të takohet në Madrid të Spanjës me ministrin e Jashtëm rus Sergeji Lavrov, ndërsa ministri i Jashtëm gjerman Frank Walter - Steimeier takon në Gjenevë të Zvicrës Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-s, Ban Ki Mun lidhur me krijimin e një grupi kontakti për zgjidhjen e kësaj krize. Më parë ambasadori rus në OKB, Vitaly Çurkin para Këshillit të Sigurimit lexoi letrën që ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç, i kishte drejtuar presidentit Vladimir Putin, përmes së cilës i kishte kërkuar “dërgimin e ushtrisë ruse për të kthyer ligjin, paqen, rendin, stabilitetin dhe sigurinë për popullin e Ukrainës”.


Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, Rusia ka tani “de facto” në kontrollin e saj, rajonin e Krimesë. Sipas të dhënave të qeverisë ukrainase, Rusia ditëve të kaluara ka stacionuar rreth 16.00 ushtarë në Krime. Ukraina, në anën tjetër urdhëroi mobilizimin e plotë të ushtrisë për t'i bërë ballë ndërhyrjes ushtarake. Kriza e Ukrainës është ndjerë shumë edhe në tregun e bursës. Monedha ruse, rubla, shënoi rënie kundrejt dollarit dhe euros.