1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA pas zgjedhjeve: Një tërmet politik

Pas zgjedhjeve për Kongresin republikanët dominojnë politikën e SHBA.. Për presidentin Obama dhe demokratët fillon një kohë e vështirë para së gjithash sa i takon zgjedhjeve presidenciale pas dy vjetësh.

"Ndodhi pikërisht ajo që prisja", thotë një shofer taksie që në mugëtirën e mëngjesit çon nëpër shtëpi të ftuarit e festës elektorale të demokratëve në Virxhinia. E gjitha kjo nuk e tremb, shton ai. I riu afro-amerikan bën pjesë tek ata amerikane që sipas sondazheve kanë humbur besimin tek politikanët pavarësisht të cilës parti. Ata e pranojnë me indiferencë fitoren tronditëse të republikanëve.

Krejt ndryshe reagojnë mediet amerikane dhe politologët në Uashington ndaj zgjedhjeve në mes të mandatit të presidentit. Ditën pas suksesit të republikanëve duket qartë se peisazhi politik në SHBA ka ndryshuar në mënyrë dramatike brenda natës. "Kemi të bëjmë me një tërmet politik", përmbledh Michael Werz nga Qendra për Progres Amerikan, vlerësimet e shumë vëzhguesve të politikës në kryeqytetin e SHBA.

Disfatë e rëndë e papritur

Kongresswahlen in den USA

Dëshpërim tek demokratët

Edhe William Drozdiak nga Këshilli Amerikan për Gjermaninë flet për "një fitore të fuqishme" të republikanevë dhe tërheq vëmendjen se ata tani jo vetëm kanë fituar Senatin dhe zgjeruar shumicën e tyre ekzistuese në Dhomën e Përfaqësuesve, por mund të caktojnë edhe postet e rëndësishme të guvernatorëve në Florida, Miçigan apo Uisconsin. Dominanca e re republikane përkeqëson edhe pozicionin e nisjes për demokratët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vitin 2016. Për Hillary Clinton situata mund të jetë edhe "më e vështirë" nga sa mendohej, analizon Drozdiak.

Që demokratët e Presidentit Obama do ta kishin të vështirë në zgjedhjet në mes të mandatit, ishte bërë e qartë që para disa javësh. Por që rezultati do të ishte kaq i keq nuk e prisnin as Drozdiak dhe as Werz. "Disfata me siguri që është më e dukshme nga sa pritej nga shumëkush dhe nga sa shpresohej nga demokratët", thotë Michael Werz.

Votë anti-Obama

Megjithatë duhet mbajtur parasysh se në zgjedhjet në mes të mandatit, për më tepër në një mandat të dytë të një presidenti, kjo nuk është e pazakontë, vë në dukje Werz. Drozdiak përkundrazi flet për një votë të qartë kundër Obamës. "Obama është fajtor për gjithçka", ishte mesazhi i thjeshtë i republikanëve. Ata ia dolën ta mbanin të gjallë këtë mesazh tek zgjedhësit dhe të largonin vëmendjen nga mosveprimi i Kongresit. "Nju Jork Tajms" e interpreton popullaritetin shumë të ulët të Obamës në sondazhe në gjithë SHBA dhe disfatën e qartë të partisë së tij madje si një "refuzim" të përgjithshëm të presidentit dhe politikës së tij.

"Uashington Post" analizon se një valë e zemërimit dhe frustrimit në popull i ka çuar republikanët drejt fitores. "Zemërimi për qendrimin në vend në Uashington u kthye kundër një presidenti, i cili erdhi në post pikërisht për ta ndryshuar këtë." Michael Werz thekson se republikanët me strategjinë e tyre kanë qenë të suksesshëm "të ngjallin frikë tek popullsia me situatën në Siri, virusin e ebolës dhe situatën në kufirin me Meksikën".

Kongresswahlen in den USA (Jubelnde Republikaner)

Festë pas fitores tek republikanët në SHBA

Konfrontim apo bashkëpunim?

Vetë republikanët flasin për një fitore elektorale historike dhe e interpretojnë atë si një thirrje për të përcaktuar më shumë se deri tani drejtimin e politikës së SHBA. "Zgjedhësit janë të uritur për lidership", tha senatori Mitch McConnel, kryetari i ardhshëm i shumicës republikane në Senat. Për Drozdiak kjo tregon qartë se konfrontimi me Presidentin Obama është i paraprogramuar. "Shumë sinjale tregojnë se dy vitet e ardhshme do të ketë edhe më shumë stanjacion dhe paralizim." Werz i referohet kompetencave ekzekutive të Presidentit, me të cilat ai mund të qeverisë pa Kongresin sa i takon mbrojtjes së klimës por edhe në politikën e jashtme. Veç kësaj ai rikujton se republikanët edhe në të kaluarën si grup parlamentar minorance e kanë përdorur minoritetin bllokues në Senat: "Kjo ka sjellë polarizim dhe një politikë bllokade, e cila nuk ishte parë në Uashington."

Sipas të gjithave gjasave kjo do të jetë edhe axhenda e ardhshme e republikanëve, thotë William Drozdiak dhe i referohet senatorit Ted Cruz nga Teksasi, i cili ka bërë tashmë thirrje për luftë kundër reformës në shëndetësi të Presidentit Obama. Veç kësaj republikanët mund ta "vdisnin urie financiarisht" qeverinë për të detyruar një reduktim të administratës. Edhe mbylljen e institucioneve qeveritare si vitin e kaluar Drozdiak e konsideron të mundshme. Negociatat për rritjen e kufirit limit të borxhit, që do të ishin një levë e përshtatshme për republikanët, janë në prag.

Politikë e jashtme e qendrueshme

Megjithatë kush sheh me vëmendje dallon edhe sinjale pajtuese nga të dy palët. Presidenti Obama i ka ftuar fituesit në zgjedhje për bisedime në Shtëpinë e Bardhë që të premten. Më parë kryetari i ardhshëm i shumicës në Senat McConnell kishte deklaruar se është i gatshëm për bashkëpunim Në politikën e emigracionit apo në politikën ekonomike kjo mund të funksionojë. Se sa hapësirë për këtë do të lejojnë përfaqësuesit e linjës së ashpër si Ted Cruz dhe Tea Party vëzhguesit e kanë të vështirë ta thonë. Sidoqoftë edhe në të ardhmen do të jetë e vështirë të bëhet politikë në Kongres me "dy parti e gjysmë", vë në dukje Michael Werz duke iu referuar rolit të pavarur të lëvizjes ultra konservatore Tea Party brenda Partisë Republikane.

Drozdiak dhe Werz shohin shanse të mira për TTIP. Marrëveshja në negociim për një hapësirë të përbashkët ekonomike transatlantike ka mbështetës të fuqishëm edhe tek republikanët. Veç kësaj politika e jashtme dhe e sigurisë do të mbetet e besueshme, mendon Drozdiak. "Në politikën e jashtme Presidenti ka shumë pushtet." Obama do t'i dedikohet kësaj fushe dhe do të përqëndrohet edhe më shumë tek ajo në të ardhmen. Ndoshta krizat ndërkombëtare nuk i lënë alternativë tjetër.