1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA përfitojnë nga vetëbesimi i ri i gjermanëve

Gjermania duhet të angazhohet edhe më fort në politikën e jashtme, sipas Presidentit Gauck. Cilat janë shpresat që lidhen me këtë për SHBA? DW foli me Michael Werz nga Qendra për Progresin Amerikan.

DW: Politika e jashtme gjermane tregon një besim të ri në vetvete dhe vendosmëri të re. Fjalimi i Presidentit Gjerman Gauck ishte pikërëndesa e momentit në këtë drejtim. A realizohet me këtë një ëndërr e vjetër amerikane?

Werz: Diskutimet në Gjermani ndiqen me shumë interes këtu në Uashington. Kjo ka të bëjë para së gjithash me faktin që ministri i Jashtëm, Frank Walter Steinmeier është një i njohuri ynë i vjetër. Ai ka luajtur një rol qendror në raundin e parë të negociatave me Iranin. Dhe dihet që ai nuk stepet përpara vendimeve të vështira në politikën e jashtme. Prandaj, edhe më shumë se fjalimi i Presidentit gjerman, u regjistrua fjalimi i ministrit të Jashtëm në Mynih, në të cilin ai u shpreh pro marrjes prej Gjermanisë të një përgjegjësie më të madhe globale.

Çfarë presin saktësisht amerikanët, çfarë pret qeveria Obama pas këtyre deklaratave?

Nuk ka kërkesa konkrete për qeverinë gjermane. Në Uashington ka kohë që është kuptuar se nuk arrin gjë, nëse u thua pa ndërprerje evropianëve se nuk shpenzojnë sa duhet para për mbrojtjen dhe se në plan ndërkombëtar nuk janë aktivë sa duhet. Eshtë zhvilluar një linjë krejt tjetër diskutimi, në të cilën në rend të parë janë përcaktimet afatgjata strategjike, si p.sh. sfidat në politikën e sigurisë ose çështje të sigurisë së klimës. Dhe në këto fusha Gjermania është pozicionuar dallueshëm mirë. Për këtë shkak besojmë, se krahas çështjeve të politikës së ditës, si Palestina, Irani, Afganistani dhe përballja me Rusinë, do të zhvillohen edhe këto debate strategjike.

Si i shikoni ju vetë opsionet e Gjermanisë?

Eshtë krejtësisht e qartë, që Gjermania luan një rol qendror, jo vetëm në çështjet e mëdha evropiane, si integrimi i Evropës Lindore dhe stabilizimi i jugut. Edhe në çështjet e politikës së jashtme, Republika Federale është bërë një partnere e rëndësishme e SHBA. Kjo lidhje shkon përtej lidhjes tradicionale që kanë SHBA me Francën dhe me Mbretërinë e Bashkuar.

A regjistrohet këtu në SHBA se besimi i ri në vetvete i gjermanëve mund të ketë të bëjë edhe me një zhgënjim më të thellë me partnerin amerikan, po të mendosh për skandalin e NSA-së?

Këto tema janë të lidhura, ndonëse jo në këtë kauzalitet. Do t'i binim shumë shkurt po po të thoshim: gjermanët bëjnë tani politikën e tyre të jashtme, sepse është shumë i madh zhgënjimi për spiunazhin amerikan.

Gjermania nuk ka vetëm një ministër të ri, të vjetër, të Jashtëm, por me Ursula von der Leyen-in edhe një ministre të Mbrojtjes. A prisni që në të ardhmen të pasojnë më shpesh thirrje nga SHBA për një angazhim ushtarak të Gjermanisë?

Jo. Qeveria Obama e ka krejtësisht të qartë, se cilat janë kufijtë e kapaciteteve gjermane dhe sa mund të rëndohet partneri më i rëndësishëm evropian. Veç kësaj, këtu nuk ka nevojë t'ua shpjegojmë specialistëve të Evropës që në Berlin duhet të krijohet marrëveshje me parlamentin, për të legjitimuar veprimet ushtarake. Këtu nuk bëhet fjalë për sasinë e ushtarëve të përgatitur për angazhim në botën e jashtme, por gjithashtu për një çështje normative: a mund t'i përmbahemi diktatit të Luftës së Ftohtë, që mjetet ushtarake të pushtetit janë vetëm ultima ratio?Konflikte ka në Maqedoni, në Kosovë, në Ruandë, tani edhe në Siri, ku një angazhim i mëhershëm do të kishte kursyer shkallëzimin e mëtejshëm.

Në cilat fusha strategjike duhet të punojnë me përparësi gjermanë dhe amerikanët muajt e ardhshëm?

Pika e parë është një strategji e gjerë evropiane për zonën e Mesdheut. Kjo do të thotë që evropianët duhet të vënë në lëvizje një proces të dhimbshëm, pikërisht t'u shpjegojnë qytetarëve të tyre se kufiri me Afrikën nuk është Mesdheu, por Sahara. Kjo do të thotë që hapësira mesdhetare të vëzhgohet si njësi politike dhe ekonomike me lidhje të brendshme. Kjo do të zgjonte një interes të madh këtu në SHBA.

Së dyti janë çështjet e ndryshimit të klimës dhe ndikimi i saj në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Ministri i Jashtëm Kerry e ka vënë këtë në qendër të agjendës së tij. Gjermania është këtu partneri më i mirë i përfytyrueshëm, sepse diskutimet brenda Koalicionit të Madh kanë avancuar më fort se në Uashington.

Dhe së treti: është e rëndësishme që të formulojmë një pozicion evropian, që të përcaktojë se ç'pamje mund të ketë një bashkëpunim i aleancës së vjetër perëndimore me Oqeanin Paqësor. Atje do të orientohen në 15 vitet e ardhshme burime të politikës së jashtme, ekonomike dhe ushtarake të SHBA.

Michael Werz është Senior Fellow i Center for American Progress në Uashington.