1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA - Iran, bisedime bilaterale për programin atomik.

afp dpa rtre/mck10 Qershor 2014

SHBA duan përparime lidhur me mosmarrëveshjet për programin atomik të Iranit dhe prandaj vendosën të zhvillojnë për herë të parë bisedime bilaterale. Konsultimet e ditës së parë në Gjenevë: të vështira, por pozitive.

https://p.dw.com/p/1CFBb
Arak - reaktorë bërthamorë iranianë për energjiFotografi: picture-alliance/dpa

Për herë të parë janë takuar në Gjenevë të Zvicrës përfaqësues të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për bisedime bilaterale mbi programin e diskutueshëm atomik iranian. "Bisedimet ishin gati të ashpra, por atmosfera ishte pozitive dhe konstruktive“, deklaroi zevëndësministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi për mediat pas takimit pesë orësh ditën e hënë. Dialogu me Shtetet e Bashkuara po zhvillohet në një klimë pozitive, theksoi ai më tej. Qeveria amerikane u shpreh e përmbajtur. Ministria e Jashtme deklaroi se bisedimet bilaterale janë të nevojshme, sepse konsultimet atomike në kuadër të grupit të pesë fuqive me të drejtë vetoje në OKB dhe Gjermanisë nuk kishin bërë hapa të mjaftueshëm kohëve të fundit.

Bisedimet me SHBA-në do të pasojnë me konsultimet me Francën dhe një takim dyditor i Iranit me Rusinë në Romë. Takimet bilaterale sipas të dhënave nga Teherani duhet të përgatisin raundin e bisedimeve të ardhëshme në mes të qershorit me Grupin 5+1. Bisedimet e muajit maj përfunduan pa shënuar asnjë progres. “Grupi 5+1” përbëhet nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit; Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Britania dhe Franca; plus Gjermania. Perëndimi e akuzon Iranin se po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, ndërsa për Teheranin programi për energjinë ka qëllime paqësore.