1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

SHBA nuk duan marrëveshje për shërbimet sekrete me Gjermaninë

A është në prag të dështimit marrëveshja për shërbimet e fshehta mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Sipas raporteve të medias Po. Uashingtoni dëshiron të vazhdojë të përgjojë politikanët gjerman.

Sipas një raporti të gazetës gjermane "Süddeutsche Zeitung" dhe radios NDR (Norddeutscher Rundfunk) negociatat e Gjermanisë dhe SHBA-së për një marrëveshje për shërbimet e fshehta pas aferës NSA ndodhen në prag të dështimit. Qeveria federale gjermane nuk ka më shpresë për arritjen e një marrëveshje substanciale, raportojnë dy mediat gjermane.

"Ne nuk përfitojmë asgjë", citon gazeta qarqe negociuese gjermane. Sipas tyre SHBA refuzojnë të premtojnë se në të ardhmen nuk do të përgjojnë më pjesëtarët e qeverisë gjermane dhe zyrtarët politikë.

Qysh në muajt e fundit, Shtëpia e Bardhë kishte shuar shpresat gjermane për arritjen e një marrëveshjeje të gjerë "Jo-Spiunimi". Përfaqësues të qeverisë së presidentit Barak Obama lanë të kuptohet se shërbimet e inteligjencës amerikane nuk e kanë ndërmend të trajtojnë seriozisht ndalimin e ndërsjellë të përgjimit. "New York Times" ka raportuar në dhjetor se këshilltarja për sigurinë kombëtare e Obamës, Susan Rice e ka njoftuar Berlinin se Uashingtoni në asnjë mënyrë nuk është duke kërkuar një rast precedent. Nëse Gjermania do të fitonte një trajtim të veçantë nga NSA atëherë kjo do të zgjonte dëshira edhe te shtetet e tjera.

Pamje nga selia e NSA-së

Pamje nga selia e NSA-së

SHBA duan të spiunojnë edhe më tej Berlinin

Sipas "Süddeutsche Zeitung" dhe stacionit NDR, agjencitë amerikane të zbulimit me sa duket nuk janë të gatshme për të bërë ndonjë lëshim. Prandaj, Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar, për shembull, të tregojnë se për sa kohë është përgjuar telefoni i kancelares gjermane Angela Merkel. Uashingtoni gjithashtu nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me atë se a janë përgjuar edhe udhëheqës të tjerë gjermanë. Kërkesat e mbrojtjes kushtetuese, për të lejuar ekspertët gjermanë që të kenë qasje në stacionin e përgjimit për të cilin dyshohet se ndodhet në katin e sipërm të ambasadës amerikane në Sheshin e Parisit në Berlin, janë refuzuar nga pala amerikane.

Qeveria në Berlin nuk deshi të komentonte raportin e mediave. "Qeveria federale është në bisedime me partnerët amerikan për të siguruar bashkëpunimin e shërbimeve tona mbi një bazë të re", tha një zëdhënëse. Për këtë qëllim janë duke vazhduar bisedat konfidenciale. Sipas njoftimeve në medie në zyrën e kancelares Merkel shpresohet që "në tre muajt e ardhshëm" do të arrihet një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.