1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA mbështesin NATO-n dhe kërkojnë angazhim më të madh nga Evropa

Në takimin e NATO-s në Lisbonë në vjeshtë, anëtaret e NATOs do të diskutojnë doktrinën e re të Aleancës. Rasmussen ka ngarkuar ish ministren e Jashtme amerikane, Albright, me hartimin e një dokumenti të ri strategjik

default

Rreziqet aktuale nuk i respektojnë më kufijtë

NATO-ja është krijuar si Aleancë Mbrojtëse, e cila duhet të mbrojë integritetin territorial të vendeve anëtare. Por realiteti i shekullit të 21-të, shpjegon ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton, e ka ndryshuar prej kohësh fushën, në të cilën vepron NATO-ja.

„Shumë nga rreziqet që kemi përpara, nuk i respektojnë më kufijtë. Pavarësisht nëse luftojmë piraterinë, terrorizmin, ose transportimin e armëve, ne duhet të jemi të përgatitur që të luftojmë rreziqet e reja, pavarësisht nga vendi ku ato krijohen.“


NATO-ja të marrë përgjegjësi civile

Strategjia e NATO-s duhet të mbajë parasysh këtë. Kujdes i veçantë kërkohet t`i jepet këtu mbrojtjes nga sulmet kundër shteteve ose infrastrukturave të caktuara, nëpërmjet internetit. Por shpesh mjetet ushtarake nuk mjaftojnë dhe kjo nuk tregohet vetëm në Cyberspace. Ministrja e Jashtme Clinton, kërkon që NATO të marrë edhe përgjegjësi civile, këtë e tregon misioni në Afganistan.

„Nëse duam të kemi sukses në luftën kundër kryengritësve, atëherë NATO-ja duhet të zhvillojë mekanizma të tjera, në mënyrë që të shfrytëzojë kapacitetet ekzistuese civile të vendeve anëtare.“

Clintoni shprehet në mënyrë eksplicite për NATO-n dhe objektivat e saj, në të cilat nuk ka ndryshuar asgjë: përsa i përket mbrojtjes së shteteve anëtare, forcimit të aleancës transatlantike dhe kujdesit për integrimin evropian. Ajo e quan NATO-n, si "aleancën më të suksesshme në histori“. Duke iu drejtuar Rusisë, ajo thotë:

„NATO-ja nuk bën pjesë në rreziqet e sigurisë, me të cilat duhet të përballet Rusia."

Edhe zgjerimi në lindje i NATO-s nuk përbën rrezik për Rusinë. Më Moskën kërkohet bashkëpunim i ngushtë dhe kooperim. Por:

„SHBA nuk shohin nevojën për pakte të reja. Ne besojmë se diskutimet për sigurimin evropian duhet të zhvillohen brenda strukturave ekzistuese si OSBE dhe Këshillit NATO-Rusi.“

Ministri i mbrojtjes Robert Gates u deklaroi kolegëve të tij të kabinetit, se kërcënimet janë bërë ndërkohë shumë më difuze se para disa dhjetravjetësh. Rreziku nga raketat me rreze të gjatë veprimi, prej të cilave kërkon të mbrohet sistemi amerikan mbrojtës me raketa është realitet. Por NATOja duhet të merret urgjentisht me problemet që ka në shtëpi dhe nuk duhet të presë, deri sa të hartohen strategjitë e reja. Gates kritikon kryesisht mungesën e mjeteve financiare për Aleancën, që është një sëmundje simptomatike:.

Ministri amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates

Ministri amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates

"Nga ky vit nuk kanë kaluar ende dy muaj, por ne e dimë që tani se buxhetit tonë i mungojnë qindra milionë dollarë. Kjo është pasojë logjike e mungesës së parave që investohen që prej dhjetë vitesh."

Buxhetet e mbrojtjes së vendeve anëtare janë ulur vazhdimisht, megjithë misionet që janë filluar jashtë territoreve të NATOs, në pesë vitet e fundit.

"Vetëm në pesë prej 28 vendeve anëtare buxheti i mbrojtjes është caktuar fiks, në nivelin e dypërqindshit të prodhimit bruto në vend."

Çmilitarizimi i Evropës nga bekim është kthyer tani në pengesë

Shkurtimet e buxhetit janë shprehje e një tendence kulturore dhe politike

"Çmilitarizimi i Evropës, ku pjesa më e madhe e publikut dhe klasës politike u druhet misioneve ushtarake dhe rreziqeve të lidhura me to, ka qenë një bekim i shek. të 20-të. Por, në shekullin e 21-të kjo kthehet në pengesë për vendosjen e sigurisë së vërtetë dhe paqes afatgjatë."

Tek agresorët ky dobësim real apo i supozuar ka efekte joshëse. Dhe lufta kundër rreziqeve të përbashkëta vështirësohet. Gates mund të japë për këtë shembuj konkret:

"Ne e dimë prej vitesh, se NATO-s i duhen më shumë helikopterë dhe avionë transporti. Por ato nuk blihen. Mungesa e tyre ka ndikimet e veta në misionin në Afganistan."

Gatesit nuk i duhet të theksojë ekstra, që NATO ndodhet në luftë në Afganistan. Misioni është i kudogjendur, po të kihen parasysh sulmet e fundit të Aleancës në jug të vendit, gjatë të cilave sipas të dhënave të qeverisë afgane janë vrarë 27 civilë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha në lidhje me këtë rast se Aleanca duhet të jetë e kujdesshme në maksimum dhe se çdo viktimë e pafajshme është tepër. Ushtarët e NATO-s do të bënin gjithçka për të shmangur viktimat civile. Ai kujtoi, se sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, talibanët janë përgjegjës për më shumë viktima civile në Afganistan.

"Ne e dimë se talibanët përdorin si mburoja të gjalla gra dhe fëmijë, civilë të pafajshëm, nëpër çatira ose nëpër dritare. Ata nuk pyesin për viktimat."

Mbështetja e publikut nuk është e vetëkuptueshme

Sa i diskutueshëm është misioni në Afganistan, sidomos në popullsinë evropiane e tregoi së fundi koalicioni qeveritar në Holandë, i cili u shpërbë kur u morr me çështjen e zgjatjes së mandatit të misionit. Kështu për strategjinë e re, një çështje vendimtare është, thotë ish ministrja e Jashtme amerikane Madeleine Albright:

Ish-ministrja e Jashtme e SHBA, Madeleine Albright

Ish-ministrja e Jashtme e SHBA, Madeleine Albright

"Nëse arrihet që NATO të marrë mbështetjen edhe të publikut, të publikut brenda dhe jashtë kufijve të NATO-s. Këtë nuk mund ta shohim si të vetëkuptueshme."

Albright do t'i prezantojë Sekretariatit të Përgjithshëm të NATOs më 1 maj propozimet e komisionit të eskpertëve për strategjinë e re, në mënyrë që ish kryeminstri danez t`i përpunojë ato deri në takimin e Lisbonës.

Autor: Christina Bergmann/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 24.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M9wz
  • Data 24.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/M9wz