1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA kërkojnë vend azili për Gaddafin - luftimet në Libi do të zgjasin

Që prej katër javësh, Perëndimi po godet trupat e regjimit të Gaddafit. Diktatorin libian kjo thuajse nuk e ka dobësuar, në luftë kundër kryengritësve ai besohet se po përdor edhe municion dispersiv.

Kryengritës me municion në Axhabia

Kryengritës me municion në Axhabia

SHBA të Amerikës kërkojnë me sa duket intensivisht një vend azilimi për Muammar al Gaddafin, megjithëse diktatori nuk dëshiron në asnjë mënyrë të largohet vullnetarisht nga Libia. Gazeta New York Times bënte të ditur në internet, në numrin e saj të së shtunës se sondazhet po zhvillohen me fshehtësinë më të madhe dhe janë pëqendruar në Afrikë. Kërkimi i një vendi për emigrim vështirësohet nga fakti se Gaddafin e kërcënojnë ndoshta procese gjyqësore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës, shkruan më tej "New York Times". Kjo vlen për atentatin ndaj Lockerbie, ku u vranë 270 vetë dhe për akte mizore në Libi.

Kush e pranon si azilant Gaddafin?

Një rrugë do të ishte gjendja e një vendi pranimi, i cili nuk e ka nënshkruar kontratën për njohjen e kësaj gjykate, i referohet gazeta tri nëpunësve të lartë të qeverisë së SHBA. Këtu bëjnë pjesë gjysma e shteteve afrikane. Me disa prej tyre, Gaddafi ka marrëdhënie të shkëlqyera.

Ndërkohë, shefi i Shërbimit Informativ Gjerman (BND), Ernst Uhrlau nuk sheh të afrohet fundi i sundimit të regjimit të Gaddafit. Nga ana ushtarake sipas Uhrlaut kemi të bëjmë me një situatë pat. "Rajoni përreth Tripolisit, pra zona e ndikimit të Gaddafit është përsa i përket numrit të popullatës dhe fiseve më e fortë se Lindja, ku kanë përparësi kryengritësit", i tha Uhrlau gazetës Hamburger Abendblatt. Edhe sipas mendimit të Francës, lufta kundër regjimit mund të zgjasë. Këtë ia tha ministri francez i Mbrojtjes, Gerard Longuet së përditshmes "Le Parisien".

Bomba dispersive tinzare

Sulmet kundër kryengritësve në Libi me sa duket bëhen gjithnjë e më brutale. Natën duke gdhirë e diela trupat e Gaddafit hodhën sërish raketa kundër Misuratas. Flakët pëfshinë ndër të tjera pajisjet industriale dhe depot në port.Midis të tjerash, organizata të të drejtave të njeriut kanë bërë të ditur se trupat e Gaddafit përdorin edhe bomba dispersive, të cilat janë të ndaluara në bazë të konventave botërore. Emma Daly, shefe e zyrës së shtypit të Organizatës Human Rights Watch:

"Ne kemi folur me disa dëshmitarë, të cilët flasin për bomba dispersive. Ne kemi pjesë të mbetura, të cilat me sa duket e kanë burimin te bombat, duke përfshirë edhe përmbajtjet eksplozive."

Bombat ose granatat dispersive janë veçanërisht tinzare. Ato përhapin sasi të mëdha lëndësh shpërthyese në sipërfaqe të mëdha, duke vrarë e plagosur pa dallim njerëzit. Ekspertë kanë analizuar një municion të zbuluar nga një reporter i New York Times dhe konstatuan se ishte granatë artilerie i prodhimit spanjoll.

Milicët e kundërshtarëve të regjimit të Gaddafit, në fundjavë iu afruan portit të naftës Al-Brega. Në luftimet me trupat e Gaddafit u vranë shtatë kryengritës dhe u plagosën 27 të tjerë, bëri të ditur të dielën stacioni televizi Al Xhazira. Trupat e Gaddafit rezultojnë sipas këtij televizioni ende më të afta se kryengritësit, në teknikë luftarake dhe në taktikë.

Autor: Auron Dodi (dpa, A.Suren)

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM