1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA kërkojnë akses në të dhënat bankare në BE

27 Korrik 2009

Ministrat e Jashtëm të BE-së synojnë t'i hapin sot (27.07) rrugën një marrëveshjeje me SHBA, e cila do t'u mundësojë autoriteve të SHBA-së që të kontrollojnë të dhënat bankare të të klientëve në Evropë.

https://p.dw.com/p/Iy6o
Të dhënat bankare evropiane mund të kontrollohen nga SHBA. Presidenti i Bankes Qendrore Evropiane, Zhan Klod Trishe
Të dhënat bankare evropiane mund të kontrollohen nga SHBA. Presidenti i Bankes Qendrore Evropiane, Zhan Klod TrisheFotografi: AP

Kujtdo që ka dashur të bëjë një tansfertë parash jashtë vendit me siguri i ka rënë rasti të dëgjojë edhe për kodin SWIFT/BIC. SWIFT - është shkurtimi i Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunication - një ofruesi shërbimesh financiare me seli në Belgjikë. Çdo ditë më tepër se 8.300 banka në të gjithë botën kryejnë përmes tij rreth 15 milionë transaksione bankare. Ndër to bëjnë pjesë edhe transfertat standarde bankare brenda BE-së. Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të ngarkojnë sot Suedinë, e cila ka presidencën e radhës, që deri në vjeshtë të përfundojë me SHBA një marrëveshje në lidhje me shfrytëzimin e të dhënave bankare. Në bazë të kësaj marrëveshjeje hetuesit amerikanë do të kishin mundësi të kontrrollonin edhe të dhënat bankare të qytetarëve dhe të sipërmarrjeve evropiane.

Në këtë mënyrë në shenjestër të hetuesve amerikanë mund të vihet teorikisht çdo qytetar i BE-së, i cili bën një transfertë parash nëpërmjet SWIFT-it. Ky sistem transmeton emrin e dërguesit të parave përmes një transferte bankare dhe të marrësit të tyre, të dhënat e llogarisë rrjedhëse, qëllimin e transferimit të parave dhe shumën përkatëse. Sipas marrëveshjes që planifikohet të arrihet me SHBA këto të dhëna, mbledhja e të cilave ka si qëllim luftimin e terorrizimit, mund të ruhen deri në pesë vjet. BE-ja shpreson se në këtë mënyrë mund të marrë prej autoriteteve amerikane të dhënat për hetimet që zhvillojnë autoritetet evropiane.

Në kuadër të programit për luftimin e financuesve të terrorit, hetuesit amerikanë i shfrytëzojnë të dhënat e mbledhura në serverat e SWIFT-it që gjenden në SHBA që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Kjo u bë e njohur publikisht në vitin 2006. Marrëveshja në fjalë mes SHBA dhe BE-së bëhet e nevojshme, sepse duke filluar nga vjeshta e këtij viti shumica e të dhënave të SWIFT-it do të depozitohen në një server në Holandë, pra brenda territorit të BE-së, ku ligjet amerikane nuk veprojnë dot më.

Një numër eurodeputetësh, specialistësh dhe ekspertësh për mbrojtjen dhe sigurinë e të dhënave personale dhe disa politikanë opozitarë gjermanë janë kundër kësaj marrëveshjeje, e cila pritet të arrihet pa pjesëmarrjen e Parlamentit të Evropës.

Deputeti gjerman Max Stadler (FDP) tha: "Këtu pritet të bihet edhe një herë dakord për një marrëveshje, e cila u mundëson autoriteteve të huaja që të ndërhyjnë në të drejtat civile të qytetarëve gjermanë dhe kjo pa garantuar një standard të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave personale."

Kurse eurodeputetja socialdemokrate gjermane Birgit Sippel tha se ka dyshime në lidhje me vlerën e këtyre lloj të dhënave në lidhje me luftimin e terrorizimit dhe se ato mund të keqpërdoren. Por sipas një raporti për Komisionin e BE-së të gjykatësit francez Jean-Louis Bruguière, i cili merret me ndjekjen dhe luftimin e veprave terroriste, shfrytëzimi i të dhënave financiare prej SHBA ka ndikuar ndjeshëm në luftimin e terrorizmit në SHBA, Evropë dhe vende të tjera.

Autor: Pandeli Pani/ard/dpa

Redaktoi: Auron Dodi