SHBA do të jetë e paanshme në Egjipt | Bota | DW | 16.07.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA do të jetë e paanshme në Egjipt

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit Burns shprehet me tone diplomatike në Egjipt: Është çështje vetëm e popullit egjiptian zgjedhja e një udhëheqjeje të re. Gjatë demonstratave të reja masive pati sërish përleshje.

Në takimin e tij me presidentin kalimtar egjiptian Adli Mansur, diplomati amerikan William Burns tha se:"Shtetet e Bashkuara nuk pozicionohen për një personalitet të caktuar ose një parti të vetme". Burns po qëndron për një vizitë dyditore në Kajro për konsultime me përfaqësues të qeverisë kalimtare, përfaqësues të ushtrisë dhe shoqërisë civile. 

"Unë nuk kam ardhur këtu me një zgjidhje amerikane dhe as për t'i mbajtur leksione ndokujt. Ne nuk do të përpiqemi që modelin tonë të demokracisë ta imponojmë në Egjipt", siguroi Burns para gazetarëve në një konferencë për shtyp në ambasadën amerikane. Diplomati i bëri thirrje partive politike për dialog dhe kërkoi përfundimin e dhunës.

Njëkohësisht ai apeloi te ushtria që të mos kryejë arrestime të motivuara politikisht. Ish presidenti Mohamed Mursi po mbahet në paraburgim që nga përmbysja e tij nga pushteti dy javë më parë. Përveç kësaj, prokuroria ka urdhëruar kohët e fundit arrestimin e shtatë udhëheqësve të Vëllazërisë Myslimane dhe islamistëve. Prokuroria i  akuzon ata, ndër të tjera, për nxitje të dhunës gjatë përmbysjes së pushtetit. Vet ish presidenti Mursi vjen nga radhët e Vëllazërisë Myslimane.

Në foto: Adli Mansour dhe William Burns

Në foto: Adli Mansour dhe William Burns

Përsëri trazira në tubimet masive

Në Kajro, ndërkohë po vazhdojnë protestat masive. Vëllazëria Myslimane mblodhi dhjetëra mijëra mbështetës në kampin e saj të protestës para xhamisë Raba-al-Adawija në pjesën e qytetit Nasr City. Ata kanë deklaruar se synojnë kthimin e Mursi-së në postin e presidentit. Kundërshtarët e islamistëve u mblodhën në të njëjtën kohë në në Sheshin qendror Tahrir si dhe para pallatit presidencial, i cili ndodhet vetëm disa kilometra larg nga vendi i protestave të Vëllazërisë Myslimane.

Pas disa ditëve të protestave paqësore, kësaj radhe sërish kishte trazira dhe përleshjeve. Policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve që bllokuan një urë të rëndësishme mbi Nil. Protestuesit kanë qëlluar më parë me gurë në drejtim të forcave të sigurisë.