1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA dhe Rusia kanë interes të madh të rinisin bisedimet për çarmatimin bërthamor dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje

Sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA news agency, një zëdhënës i MPJ ruse e cilësoi vendimin e ministrave të jashtëm të NATO-s për të rinisur bisedimet e nivelit të lartë me Rusinë një hap në drejtimin e duhur.

default

Si SHBA edhe Rusia janë të të njëjtit mendim, se reliktet e Luftës së Ftohtë, kur i kanoseshin njëri- tjetri me asgjësim, nga pikëpamja e politikës së sigurisë janë të tepërta.

Në dhjetor të këtij viti përfundon afati i Marrëveshjes së Reduktimit të Armëve Strategjike, START II. Ministrja e re e jashtme e SHBA-së, Hillary Clinton dëshiron që ndryshe nga paraardhësja e saj konservatore, t'i marrë në konsideratë dëshirat ruse dhe të hartojë shpejt një marrëveshje. Rusia synon që mundësisht t'i pakësojë raketat atomike, mbajtja në punë e të cilave është e shtrenjtë. Të dyja palët janë të të njëjtit mendim, se reliktet e Luftës së Ftohtë, kur i kanoseshin njëri- tjetri me asgjësim, nga pikëpamja e politikës së sigurisë janë të tepërta. Megjithatë, vitet e fundit, zbatimi i marrëveshjeve të çarmatimit ka dështuar në detaje dhe në grindjet politike në fusha të tjera.

Marrëveshja START II, e cila u nënshkrua në vitin 1993, nuk hyri kurrë vërtet në fuqi. Më 14 qershor 2002, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e deklaroi atë për të vdekur. Ditë më parë, SHBA e patën braktisur përfundimisht marrëveshjen ABM, për të qenë në gjendje të ndërtonin sistemin e tyre të ri të mbrojtjes raketore. Njëkohësisht, Putini dhe ish-presidenti i SHBA-së, Bush ranë dakord për një marrëveshje me emrin SORT. Ajo përcakton se të dyja palët synojnë një kufi maksimal për raketat ndërkontinentale: fjala është për 1.700 deri 2.200 koka me mbushje bërthamore për çdo palë në vitin 2012. Kjo ishte vetëm një shprehje synimi, një synim për negociata.

Të dyja palët duan të arrijnë këtë herë një marrëveshje, e cila ta zëvendësojë START II në fund të vitit. Në bazë të së drejtës ndërkombëtare, aktualisht në fuqi janë kufijtë maksimalë të marrëveshjes së ratifikuar dhe të hyrë në fuqi, START I. Sipas saj, SHBA-së dhe Rusisë u lejohet të stacionojnë secila gjashtëmijë koka me mbushje bërthamore. Në të vërtetë, parametrat e marrëveshjes së çarmatimit kanë kohë që janë plotësuar. SHBA besohet se zotërojnë mbi 2300 sisteme armësh. Rusia shumë më pak.

Nesër (06.03) takohen në Gjenevë ministrat e jashtëm të SHBA dhe Rusisë për të folur për START II. Aty do të flitet edhe për Iranin dhe Korenë e Veriut. Deri tani, SHBA nuk kanë pranuar të marrin parasysh kërkesat ruse.

Autor: Bernd Riegert / Auron Dodi

  • Data 05.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H6Sn
  • Data 05.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H6Sn