1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA dhe Rusia kërkojnë ndërprerjen e luftimeve në Siri

SHBA është skeptike që në bisedimet e paqes për Sirinë, Irani të marrë pjesë "pa parakushte" sikurse dëshiron Teherani.

Para fillimit të konferencës së paqes për Sirinë më 22 janar të gjitha palët u përpoqën përsëri për të forcuar pozitat e tyre në bisedime. Megjithë përpjekjet për ndërmjetësim të OKB-së Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë ende të një mendjeje rreth çështjes nëse Iranit mund të marrë pjesë në negociatat për Sirin "pa parakushte" sikurse dëshiron Teherani. Nga ana tjetër SHBA dhe Rusia janë të një mendjeje në kërkesën e tyre për ndërprerjen e kufizuar të luftimeve në Siri, si për shembull në Alepo, skurse u shpreh MPJ amerikan John Kerry pas një takimi me homologun e tij rus Sergej Lavrov dhe të ngarkuarin ndërkombëtar për Sirinë Lakhdar Brahimi në Paris.

Të dy ministrat thanë gjithashtu se mbështetësit dhe kundërshtarët e Presidentit sirian Bashar al-Asad duhet të këmbejnë para fillimit të konferencës së paqes robërit dhe të burgosurit dhe të krijojnë korridore për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

SHBA e konsideron Iranin si aleat kyç të Asadit

Lavrovi dhe i ngarkuari ndërkombëtar për Sirinë Lakhdar Brahimi përsëritën kërkesën që në bisedimet e paqes duhet të marrë pjesë edhe Irani. Teherani nuk është në listën e parë të 30 vendeve, që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Mun u ka dërguar ftesa për pjesëmarrje në konferencën, e cila do të zhvillohet në Montreux të Zvicrës.

SHBA është skeptike për këtë, sepse e konsiderojnë Iranin si aleat kyç të Asadit dhe e akuzojnë për mbështetjen e forcave qeveritare siriane dhe aleatëve të tyre milicëve hizbollah me para, armë dhe trajnerë.

Kerry tha se në parim është i gatshëm që të lejojë që në bisedime të marrin pjesë edhe përfaqësues të Iranit, por kërkoi që Teherani të pranojë fillimisht qëllimin e krijimit të një qeverie kalimtare. Ministria e Jashtme në Damask tha se çdo parakusht mund të çojë në dështimin e konferencës.

Ftesë në Vatikan

Në prag të konferencës ndërkombëtare të paqes për Sirinë në Vatikan u mblodhën për të diskutuar për mundësinë e armëpushimit në Sirinë e shkatërruar nga lufta politikanë dhe ekspertë. Në mesin e pjesëmarrësve të takimit njëditor ishin dhe nobelisti i Paqes Mohamed ElBaradei, një ndër drejtuesit kryesorë të opozitës egjiptian dhe ish-Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Energjisë Atomike IAEA.

Konferenca e Akademisë Papnore të Vatikanit me titull "Siria - a mund të rrimë indiferentë" u organizua me kërkesën personale të Papës Françesku. Tema të tjera të konferencës qe nxitja e dialogut ndërfetar në Siri dhe krijimi i një qeverie kalimtare. Konferencën e hapi kardinali Zhan-Lui Toran, përgjegjës i Vatikanit për dialogun ndërfetar. Nga Siria kishte ardhur për të marrë pjesë peshkopi kaldeisit i Alepos, Antoine Audo.