1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA dhe Rusia kërkojnë ndërprerjen e dhunës në Siri

Në kuadër të samitit të G20 në Meksikë, presidenti i SHBA Barack Obama dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin zhvilluan një takim. Tema kryesore ishte situata në Siri dhe konflikti atomik me Iranin.

default

Obama dhe Putin, Los Cabos, Meksiko

Në një apel të përbashkët, presidenti amerikan Barack Obama dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin kanë kërkuar vendosjen e një armëpushimi në Siri. Gjatë një takimi, në kuadër të samitit të G20 në qytetin meksikan Los Cabos, të dy politikanët kërkuan një "ndërprerje të mënjehershme të të gjitha formave të dhunës". Ata ranë dakord për atë "që populli sirian duhet të vendosë në mënyrë të pavarur dhe demokratike për të ardhmen e tij.

"Ne diskutuam për Sirinë për të cilën ramë dakord se duhet t`i japim fund dhunës, të krijohet një proces politik për të parandaluar rrezikun e një lufte civile si dhe vrasjet e tmershme që ndodhën javë më parë. Ne premtuam se do të veprojmë edhe me aleatë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë këtu OKB-në, të dërguarin special Kofi Annan si dhe gjithë ata që janë të interesuar për zgjidhjen e këtij konflikit", deklaroi presidenti amerikan Obama.

Edhe presidenti rus Putin foli ngjashëm para gazetarëve: "Ne diskutuam për çështje ndërkombëtare, përfshirë këtu çështjen siriane. Sipas këndvështrimit tim kemi gjetur shumë pika të përbashkëta", tha Putin. Rusia, një aleate e vjetër i Sirisë, e ka mbrojtur presidentin e saj Bashar al-Asad nga sanksionet e Kombeve të Bashkuara, të cilat kërkohen nga shtetet perëndimore dhe arabe për shkak të shtypjes së dhunshme të lëvizjes opozitare nga ana e tij.

Gjatë takimit nuk u përmend emri i presidentit sirian Bashar Al Asad dhe nuk u përmendën as sanksionet dhe as një embargo më strikte për armët. Pezullimi i misionit vëzhgues të OKB-së në Siri, fundjavën e kaluar, shtoi presionin ndaj dy udhëheqësve, Obamës dhe Putinit, për të vepruar vendosmërisht për të shmangur spiralen e dhunës që mund të shkojë në një luftë civile. Gjithashtu të dy politikanët folën edhe për konfliktin atomik me Iranin dhe i bënë thirrje vendit që të përmbushë plotësisht detyrimet e tij. Teherani duhet të dëshmojë "karakterin paqësor " të programit të tij atomik, deklaruan Obama dhe Putin.

Autor: dpa,afp/Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 19.06.2012
  • Autor DPA/AFP/DAPA/ Mimoza Cika-Kelmendi
  • Fjalët kyç SHBA, Rusi; Siri
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/15HaV
  • Data 19.06.2012
  • Autor DPA/AFP/DAPA/ Mimoza Cika-Kelmendi
  • Fjalët kyç SHBA, Rusi; Siri
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/15HaV