1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA dhe Kina përpiqen të fitojnë Afrikën

Të premten përfundon udhëtimi në Afrikë i Sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton. Gjatë vizitës ajo u rekomandoi qeverive afrikane të kërkojnë partnerë të besueshëm. Një shuplakë për Kinën?

Hillary Clinton në Malawi

Hillary Clinton në Malawi

Në udhëtimin e saj në Afrikë Hillary Clinton provoi të ushtrojë kritikë indirekte."Uashingtoni kërkon të mbrojë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Afrikë, edhe nëse do të ishte më i lehtë dhe më dobiprurës përqëndrimi vetëm tek burimet e kontinentit". Ministrja e Jashtme e SHBA-së e tha këtë në fillim të udhëtimit të saj në Afrikë, në kryeqytetin e Senegalit, Dakar, duke shtuar se jo të gjithë partnerët e Afrikës vënë këto prioritete. Një shenjë e qartë në drejtim të Kinës, ndaj të cilës Pekini u përgjigj shumë shpejt. "Clinton dëshiron të fusë përçarje midis Kinës dhe Afrikës, të cilat i lidh një marrëdhënie miqësore në pozita të barabarta", njoftoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve, Xinhua.

Dy strategji të ndryshme politike

Takim Hillary Clinton Sharif Sheikh Ahmed

Takim Hillary Clinton Sharif Sheikh Ahmed

Por sa të ndryshme janë pozicionet e dy shteteve në kontinentin afrikan në të vërtetë? Në fakt Shtetet e Bashkuara theksojnë rëndësinë e forcimit të demokracisë. Kina nuk bën asnjë përpjekje, për ta fshehur se nuk u jep shumë rëndësi kritereve të tilla, si qeverisja e mirë dhe të drejtat e njeriut. Në aleancë me Brazilin, Rusinë, Indinë dhe Afrikën e Jugut, të ashtuquajturat vende BRICS, ajo ndjek me qëllim një rrugë tjetër, ndryshe nga modeli i fuqive të vjetra koloniale, për të ndërvarur ndihmat për zhvillimin nga kushtet politike. Ky është thelbi i partneritet Kinë-Afrikë, thotë Philip Gieg, politolog në universitetin e Würzburgut. "Ndryshe nga strategjia e perëndimit Kina thotë: ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme." Gieg kritikon edhe faktin që pretendimet e tyre për një qeverisje të mirë SHBA nuk ua parashtrojnë të gjitha vendeve. Në Etiopi, për shembull, opozita përndiqet dhe liria e shtypit kufizohet. Por vendi në Kepin e Afrikës konsiderohet si partner strategjik i SHBA-së, në luftën kundër terrorizmit në Lindjen e Mesme dhe Somali. "Kjo është arsyeja, pse Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të kritikojnë fort Etiopinë", thotë Gieg në intervistë me DW. Ndërsa në rastin e Ruandës qeveria e SHBA-së i ka shkurtuar kohët e fundit ndihmat, sepse qeveria e Ruandët mbështet gjoja rebelët në lindje të Kongos. Kjo tregon se SHBA vendosin standarde të ndryshme.

Interesa të njëjta ekonomike

Hillary Clinton tek presidenti i Sudanit Jugor, Salva Kiir in Juba

Hillary Clinton tek presidenti i Sudanit Jugor, Salva Kiir in Juba

Fuqia e vjetër dhe ajo e madhe duket se përputhet në një pikë: Ato e njohin potencialin e rritjes në Afrikë dhe duan të përfitojnë prej tij. Në fjalën e saj Clinton i quajti tregtinë dhe investimet shtyllat kryesore të strategjisë së SHBA-së në Afrikë. Prania ekonomike e Kinës është e dukshme në thuajse çdo vend të kontinentit. Studimi i Institutit Südwind, me porosi të Bashkimit Evropian, konstaton se 46 për qind e ndihmës kineze për zhvillimin shkon në Afrikë. Kreditë e dhëna janë të lidhura zakonisht me projekte të veçanta, si projektet e infrastrukturës, që zbatohen nga kompanitë kineze. Zakonisht vendet pjesëmarrëse afrikane i shlyejnë kreditë në formën e lëndëve të para.

Përveç kësaj vendet afrikane i shërbejnë Kinës si treg për mallrat e prodhuara me kosto të ulët, të cilat i bëjnë konkurrencë produkteve vendore. Por edhe këtu SHBA dhe Evropa kanë një strategji të ngjashme, thotë Gieg. "Eshtë ende si më parë: kolonitë eksportojnë lëndë të para dhe importojnë mallra të gatshme." Gjithsesi SHBA e kanë njohur këtë disproporcion dhe janë përpjekur të veprojnë", thotë politologu. Përmes kodit tregtar "African Growth and Opportunity Act", shkurt AGOA, që u mundëson vendeve afrikane të prodhojnë me kosto të ulët për tregun amerikan. Ky ligj, që mundëson importin e prodhimeve afrikane, është zgjatur së fundi për tre vjet.

Dëshira për ndikim

Chinese President Hu Jintao, left, delivers the opening speech for the 5th Ministerial Conference of the Forum on China-Africa Cooperation held at the Great Hall of the People in Beijing, China Thursday, July 19, 2012. Hu on Thursday pledged African governments $20 billion in credit over the next three years and called for more China-Africa coordination in international affairs to defend against the bullying of richer powers. (Foto:Andy Wong/AP/dapd)

SHBA dhe Kina luftojnë për ndikim në Afrikë

Por qeveritë afrikane duhet të kenë kujdes që investimet në Afrikë, mund t'i sjellin përfitime afatgjata kontinentit, thotë Gieg. Ai paralajmëron nga rreziku i kritikës së njëanshme ndaj Kinës. Në fakt ka edhe suksese në bashkëpunimin jug-jug: Studimi i Institutit Südwind konstaton se tregtia dhe investimet e vendeve të BRICS-it, mund të dobësonin efektet e krizës globale ekonomike në Afrikë. Ka vite që Kina ia ka kaluar SHBA-së si partneri më i ngushtë tregtar në Afrikë. Në udhëtimin e saj njëmbëdhjetë ditësh në shtatë vende të Afrikës, Hillary Clinton mundi të dëshmojë se Shtetet e Bashkuara nuk e ka humbur megjithatë interesin e tyre për kontinentin.