1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA dhe Izraeli hedhin poshtë akuzat për implikim në vrasjen e shkencëtarit bërthamor iranian

Shkencëtarët që merren me energjinë bërthamore në Iran kanë jetë të rrezikshme: gjatë dy viteve të fundit kanë humbur jetën në rrethana të dhunshme disa ekspertë iranianë të energjisë atomike.

Makina e shkencëtarit të vrarë iranian, pas atentatit

Makina e shkencëtarit të vrarë iranian, pas atentatit

Rasti i fundi ndodhi të mërkurën (11.1.2012) në kryeqytetin iranian Teheran. Shkencëtari Mostafa Ahmadi Roshan u vra së bashku me shoferin e tij. Shkëncëtari kishte mbaruar studimet në universitetin teknik "Sharif" dhe drejtonte departamentin e tregtisë në centralin për pasurimin e uraniumit në Natans.

Në atentatin kundër Ahmadi-Roshan u vra edhe shoferi i tij

Në atentatin kundër Ahmadi-Roshan u vra edhe shoferi i tij

Sipas të dhënave zyrtare iraniane, një person me motor pati vendosur një lëndë plasëse me një magnet nën automjetin e profesorit universitar Mostafa Ahmadi-Roshan. Bomba shpërtheu gjatë rrugës për në universitetin në lindje të Teheranit.

Teherani fajëson Izraelin

Politikanë të ndryshëm iranianë akuzojnë Izraelin për vrasjen e ekspertit të energjisë bërthamore. Zëdhënësi i komisionit "Siguri dhe politikë e jashtme" në parlamentin iranian, Kazem Jalai, tha në një konferencë për shtyp se "disa atentate terroriste drejtohen nga Izraeli. Këto atentate tregojnë se informacionet e Iranit për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) u përcillen armiqve të Iranit." Jalai e akuzoi Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore si bashkëfajtore në vdekjen e ekspertit bërthamor iranian. Sipas Jalait, për këtë arsye populli iranian "nuk ka më besim tek IAEA."

Shkencëtarë bërthamorë iranianë që kanë humbur jetën në rrethana të dhunshme

Shkencëtarë bërthamorë iranianë që kanë humbur jetën në rrethana të dhunshme

SHBA dhe Izraeli hedhin poshtë akuzat

SHBA-ja e hodhi poshtë akuzën e implikimit në atentatin e vrasjes së shkencëtarit bërthamor iranian Ahmadi-Roshan. Ministrja e jashtme amerikane Hillary Clinton theksoi në Uashington se i hedh poshtë kategorikisht akuzat për përfshirje të SHBA-së në dhunën në Iran. Zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Tommy Vietor, plotësoi se Uashingtoni nuk ka të bëjë absolutisht me aktin. Qeveria amerikane dënoi çdo formë të dhunës.

Në Izrael një zëdhënës i ushtrisë tha në lidhje me atentatin me bombë të mërkurën kundër Ahmadi-Roshanit: "Nuk e di kush është hakmarrë ndaj shkencëtarit iranian, por me siguri që as nuk qaj për të."

Në një intervistë të transmetuar në fundjavë, ministri amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta tha: "A po përpiqet Irani të prodhojë armë bërthamore? Jo. Mirëpo, ne dimë që ata po përpiqen të arrijnë aftësi bërthamore, e kjo na shqetëson. Dhe vija jonë e kuqe ndaj Iranit është kjo: Mos prodhoni armë bërthamore." - u shpreh Panetta në televizionin Russia Today.

Autor: Elert Ajazaj (dpa, afp, rtr)

Redaktoi: E. Xhani