1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA dërgon në Irak njësi speciale

Megjithë përparimin e xhihadistëve qëndrimi zyrtar i Uashingtonit deri tani ishte: Jo trupa tokësore në Irak. Por tani Presidenti Obama dërgon ushtarë në Bagdad, të cilët janë të pajisur edhe për misione luftarake.

Bëhet fjalë për 275 ushtarë për të ndihmuar forcat amerikane në terren në mbrojtjen e qytetarëve amerikanë dhe të ambasadës amerikane në kryeqytetin irakian. Në një letër drejtuar Kongresit Presidenti Barack Obama shkruan, se dërgimi i ushtarëve ka filluar të dielën. Nëse është e nevojshme, ushtarët janë të gatshëm për luftë.

Që nga fundi i vitit 2011 SHBA nuk kanë më trupa luftarake në Irak. Por me përparimin e organizatës terroriste sunite ISIS, situata është përkeqësuar në mënyrë dramatike. Ditët e fundit xhihadistët vunë nën kontrollin e tyre pjesë të tëra të Irakut. Trupa e ndërhyrjes do të qëndrojë në Irak për aq kohë, derisa situata të mos e kërkojë më praninë e saj, shkruante presidenti i SHBA.

Ambasada amerikane në Bagdad qëndron e hapur

Shtëpia e Bardhë njoftoi se forcat speciale do të ndihmonin në transferimin e stafit të ambasadës jashtë kryeqytetit Bagdad, në konsullatat në Erbil dhe Basra, si dhe në Aman në Jordani. Por përfaqësia në Bagdad mbetet e hapur dhe shumica e stafit do të qëndrojnë aty. Kryeministri irakian Nuri al-Maliki e ka miratuar vendosjen e ushtarëve amerikanë.

Sipas Pentagonit 170 ushtarë kanë mbërritur në fundjavë në Bagdad. Rreth 100 të tjerë, nëse është e nevojshme, do të kontrollojnë aeroportet, do të japin mbështetje logjistike dhe do të kontribuojnë për sigurinë. Deri tani në Irak kanë qenë të stacionuar rreth 200 deri 300 ushtarë për mbrojtjen e objekteve të SHBA dhe për të mbështetur forcat irakiane të sigurisë.

Një tjetër anije luftarake amerikane në Gjirin Persik

Pas një fuqie detare me aeroplanmbajtësen "George H.W. Bush", Uashingtoni ka dërguar të hënën edhe luftanijen "USS Mesa Verde" në Gjirin Persik. Anija është projektuar për operacione amfibe dhe mban, sipas të dhënave ushtarake, një avion që niset në mënyrë vertikale. Përveç kësaj në bord janë 550 marinsa.

Për krizën dhe përparimin e ISIS janë konsultuar të hënën në mbrëmje për herë të parë edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pasi Teherani dhe Uashingtoni i kishin sinjalizuar njëri-tjetrit gatishmërinë për të bashkëpunuar kundër ekstremistëve sunitë.