1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

SHBA, BE dhe Rusia të përçarë për shkak të Kosovës

Shtypi ndërkombëtar i javës për Kosovën dhe grevat e makinistëve në Francë dhe Gjermani

default

Në një intervistë dhënë të përdithshmes nga Beogradi, Politika, kryetari i komisionit të jashtëm parlamentar në Rusi, Kosaçov, paralajmëron për pasojat që do të ketë njohja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës.

Një editorial në NEW YORK TIMES ankohet që në temën e Kosovës do të duhej të ishte kthyer këtë muaj qetësia, por këtë po e bëka të pamunduar ndërhyrja aktive e Rusisë; edhe serbët po kërcënojnë trazira të reja në Bosnjë, në se Kosova do të shpallë pavarësinë. Tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja duhet të angazhohen urgjentisht me një diplomaci kreative, kërkon NYT. Për faj të "lëmshit" në Ballkan, ShBA-të, Rusia dhe BE-ja, në raundin e ardhshëm, dhe ndoshta të fundit të bisedimeve me serbët dhe shqiptarët e Kosovës, do të janë të ulura përballë njëra tjetrës në armiqësi. Ripërtëritja e trazirave në Bosnjë, sipas komentuesit, do të ishte një katastrofë e plotë, prandaj edhe Uashingtoni nuk duhet të lërë gjë pa bërë, për të bindur rusët, se lojërat e tyre të tipit "neo lufta të ftohta" janë të rrezikshme, të gabuara dhe përfundimisht të pafrytshme.

Ambasadori finlandez në Moskë, Helenius, në një intervistë dhënë gazetës ruse, Vremja Novostej, me rastine fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të rajonit euro-arktik, kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë të problemit. Pa hyrë në hollësi, ambasadori vë në dukje se akti final i Helsinkit lejon ndryshimin e kufijve në rast se të dyja palët janë dakord. Një përfaqësues i qeverisë serbe në një tjetër artikull në gazetë sugjeron modelin e tipit të Hongkongut si shembull për të raste të ngjashme.

Financial Times komenton rolin e Gjermanisë në zgjidhjen e statusit të Kosovës në një artikull me rastin e vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel tek presidenti amerikan, Xhorxh Bush (George W. Bush) javën e kaluar në Texas:

"Qeveria e saj (Merkelit) ka një rol kyç në arritjen e një kompromisi në një temë tjetër të rëndësishme aktuale: të ardhmen e Kosovës. Edhe këtu aftësia e Gjermanisë për të miratuar një plan veprimi është e kufizuar nga nevoja për të pasur lejen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Berlini po përpiqet me dëshpërim që ta shmangë një situatë, në të cilën Kosova e shpall pavarësinë nën rrefuzimin e inatosur të Serbisë dhe të Rusisë. Bushi mund ta mbështeste pavarësinë e Kosovës dhe kjo vlen edhe për Britaninë e Madhe dhe Francën. Për Merkelin kjo do të ishte shumë më e vështirë."

Një temë tjetër në faqet e shtypit ndërkombëtar janë grevat e makinistëve në Francë dhe Gjermani.

Në Francë, makinistët po bëjnë grevë kundër heqjes së privilegjit të pensionit, që ka në plan tani presidenti Sarkozi, ndërsa makinistët gjermanë kërkojnë një kontratë të veçantë tarifore, më shumë para dhe orare më të mira pune. Cilat janë të përbashkëtat dhe dallimet mes dy grevave?

E përditshmaj torineze LA STAMPA hedh një sy tek të prekurit në të dy vendet:

"Lokomotiva franko-gjermane ka mbetur në vend - për shkak të grevave. Në Paris, në Frankfurt, Tuluzë dhe Berlin janë miliona njerëz që ngrijnë duke pritur trenat në peron. Ata presin, ankohen dhe shajnë, numërojnë orët e humbura dhe takimet e parealizuara. Nikola Sarkozi (Nicolas Sarkozy) dhe Angela Merkel, këta dy udhëheqës të zellshëm politikë të Evropës, janë në dorë të trenistëve. Ky është një skenar që mund t'i hedhë në krizë ekonomitë e dy vendeve, para së gjithash atë franceze, e cila për një triumf të politikës reformatore të Sarkozit ndaj interesave individuale ka pritur një shtytje të nevojshme, për t'u rritur sërish."

E përditshmja nga Zyrihu, TAGES-ANZEIGER plotëson:

"Me sa duket, asnjë grup tjetër profesionistësh nuk mund ta demonstronte kaq me efekt lëndueshmërinë e sistemit, dhe pikërisht tani, kur Europa ka arritur në një linjë me lokomotivën e rritjes ekonomike, SHBA-të, dhe kur ky hov ekonomik do të duhej të kishte arritur deri tek xhepi i njeriut të thjeshtë. Por pikërisht këtu qendroka problemi. Në konfliktin më të ashpër në historinë e hekurudhave po shfryhet frustrimi i mbledhur prej kohësh. Për një kohë shumë të gjatë të punësuarit e të gjitha degëve e kanë pranuar mos rritjen e pagës dhe kanë kontribuar kështu për forcimin ekonomik. Kryengritja aktuale në qarkullimin e personave dhe mallrave është një sinjal paralajmërues për ekonominë dhe politikën."

  • Data 17.11.2007
  • Autor DW
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CIRs
  • Data 17.11.2007
  • Autor DW
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CIRs