1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

SHBA: Assadi është tiran dhe vrasës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ashpërsuar tonet ndaj presidentit sirian Assad. Uashingtoni e quajti atë një tiran brutal. Kofi Annan informon KS të OKB-së rreth përpjekjeve të tij të fundit për ndërmjetësim.

Jay Carney kërkon braktisje të Assadit

Jay Carney kërkon braktisje të Assadit

Zëdhënësi i presidentit amerikan Barack Obama tha në Uashington për Bashar Al-Assad-in: "Ai do të hyjë në histori si një tiran brutal, i cili vret popullin e vet." Në të njëjtën kohë, Jay Carney kërkoi nga politikanë dhe ushtarakë të lartë në Damask "që të largohen" nga Assadi dhe të kalojnë në "anën e popullit".

SHBA dyshojnë që Assadi është i gatshëm për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Siri. "Ai (Assadi) ka kohë që e ka humbur besueshmërinë e tij", vazhdoi Carney. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë skeptike nëse Assadi do t'i përmbushë detyrimet e tij në kuadër të planit të paqes të të ngarkuarit të posaçëm për Sirinë, Kofi Annan.

Annani shpreson për një zgjidhje me pjesëmarrjen e Iranit

I dërguari i posaçëm i OKB-së, i cili ndërmjetëson në konfliktin e Sirisë edhe në emër të Ligës Arabe, vizitoi të martën, në kuadër të përpjekjeve të tij për t'i dhënë fund dhunës në Siri, Teheranin dhe Bagdadin. Sipas fjalëve të tij, ai beson që Irani mund të ndikojë për gjetjen e një zgjidhjeje në Siri. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shumë skeptikë përsa i përket përfshirjes së udhëheqjes iraniane.

Annani kërkon edhe më tej një zgjidhje për konfliktin

Annani do të informojë këtë të mërkurë Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork mbi përpjekjet e tij të fundit për të fituar mbështetjen ndërkombëtare për një zgjidhje të konfliktit në Siri. Në takim, sipas Annanit, do të diskutohet edhe për misionin e vëzhguesve në këtë vend.

Kofi Annan vazhdon përpjekjet e paqes

Kofi Annan vazhdon përpjekjet e paqes

Këshilli i Sigurimit deri më 20 Korrik duhet të vendosë mbi të ardhmen e këtij misioni. Atëherë skadon mandati për aktualisht 300 vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara në Siri. Detyrë e tyre është që të monitorojnë respektimin e një armëpushimi të arritur mes trupave të Assadi-it dhe lëvizjes opozitare. Vëzhguesit, të cilët po ashtu kanë qenë objektiv i sulmeve, nuk arritën të ndalin dhunën në vend. Që prej fillimit të kryengritjes kundër Assad-it në mars të vitit 2011 sipas disa vlerësimeve janë vrarë mbi 15.000 njerëz.

Autor: qu/wa (dpa, afp) / Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi