1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shansi i fundit për Presidentin?

A ishte ky një akt çlirimi i Presidentit? A ia doli Obama me "Fjalimin për Situatën e Kombit" të çajë mes morisë së kritikave dhe qëndresës, që ia bënë aq të vështirë vitin e kaluar?

"Pamë një president, i cili e di se përballet me sfida serioze", thotë për Deutsche Welle Matthew Duss nga Qendra për Progres Amerikan (Center for American Progress). "Ai e la të shihej frustrimin që ka me Kongresin. Por pamë edhe një president, i cili nuk do të heqë dorë, që do të përpiqet të bashkëpunojë me Kongresin. Megjithatë ai bëri njëkohësisht të qartë se do ta ndjekë axhendën e tij edhe pa Kongresin."

Një fjalim i butë

Ditët e fundit ekipi i Obamës për marrëdhëniet me publikun u kujdes të ngjallte pritje të mëdha, por në fund megjithë mjeshtërinë e njohur retorike të Presidentit, fjalimi ishte relativisht i butë. Obama ofroi shumë për shumëkënd, nga arsimi i përballueshëm, ligjin për imigracionin, Guantanamon, mbrojtjen e mjedisit deri tek rritja e pagës minimale. "Nëse flasim për shanset, pra nëse për shkak të këtij fjalimi do të ndodhin shumë gjëra, duhet të them se shanset janë të kufizuara", shprehet me pesimizëm Stephen Hess nga instituti prestigjioz Brookings Institution. "Ai gjendet përpara një Kongresi që ka bërë të qartë se nuk do t'i japë asgjë dhe nuk do ta mbështesë."

Situatë e vështirë nisjeje për Obamën

Fjalimi i pestë i Obamës për situatën e kombit ishte më i gjati dhe me siguri edhe më i vështiri për të. Megjithë zhvillimet pozitive ekonomike dhe rënien e numrit të të papunëve, popullariteti i tij tek amerikanët është i ulët, dhe i lartë numri i iniciativave ligjore të dështuara apo të pasuksesshme.

Me kënaqësi "Washington Post" mori një për një njoftimet nga fjalimi i vitit të kaluar të Presidentit për situatën e kombit. Nga 24 propozimet e Presidentit, vetëm pesë janë zbatuar, të tjerët kanë dështuar në Kongres. Nuk është çudi që Presidenti këtë vit u detyrua të përsëriste veten. Për të qenë në një pozitë më të mirë në 2015, në rast nevoje ai do të qeverisë edhe duke anashkaluar përfaqësuesit e popullit dhe do të tregojë aftësi veprimi.

Barack Obama Rede zur Lage der Nation 2014

Salla ku mbajti fjalimin presidenti Obama

"Një vit i tmerrshëm"

"Unë mendoj se ai nuk ka tjetër alternativë", mendon Stephen Hess. "Vitin e fundit ai ndjente hovin e fitores elektorale dhe rizgjedhjes. Ai bëri propozime të mëdha. Por rezultati ishte një vit i tmerrshëm. Shpresa e tij për një ligj të ri për armët, reforma e tij për imigracionin, të gjtiha këto nuk patën sukses. Dhe veç tyre edhe zbatimi i dobët i Obamacare. Ai nuk mund të mbështetet tek Kongresi. Nëse dëshëron të arrijë diçka duhet ta bëjë vetë." Por pyetja është se sa pushtet ka Presidenti për këto vendime ekzekutive. Ai mund të bëjë shumë gjëra të vogla, thotë Hess, por jo gjëra vërtet të mëdha dhe me veprim afatgjatë.

Të fitosh zgjedhjet me axhendë të majtë

Një nga pikërëndesat e fjalimit të Obamës ishte lufta kundër pabarazisë sociale në rritje. Ai njoftoi se do të rrisë me dekret presidencial pagën minimale për firma të kontraktuara nga qeveria në Uashington. Kujdestarët e ndërtesave dhe punëtorët e ndërtimit në të ardhmen do të marrin 10,10 dollarë për orë pune në vend të 7,40 dollarëve që marrin tani. Por që masa të përfshijë të gjithë 17 milionë punëmarrësit e prekur në SHBA, Kongresi duhej të miratonte një ligj përkatës. Për Matthew Duss nga Qendra për Progres Amerikan, Obama me vetëdije po ndjek një axhendë të majtë dhe në vitin e zgjedhjeve të rëndësishme të mesit të mandatit (midterm elections), po zhvendoset nga politika e qendrës në anën e majtë të spektrit.

"Fokusi mbi pabarazinë ekonomike është një temë thelbësore e së majtës progresiste. Kështu ai pozicionohet fort në traditën historikë progresiste. "Synimi i fjalimit të tij ishte t'i jepte krahë pasuesve të tij përpara zgjedhjeve të rëndësishme nëntorin e ardhshëm", thotë ish diplomati Frank Loy. Këtë Presidenti ia arriti me tema të caktuara. "Rritja e pagës minimale, ndryshimi i ligjeve për armët, që nuk ka shumë gjasa të ndodhë, deklarata e tij e fortë për ndryshimin e klimës dhe theksimi i diplomacisë me Iranin, bëjnë pjesë në këtë kategori", numëron Loy.

Senatori McCain: Obama nuk demonstron lidership

John McCain

John McCain

Një pjesë të madhe të fjalimit të tij Obama ia kushtoi vatrave të krizës Afganistan, Siri, Iran dhe Irak. Për Afganistanin ai njoftoi përfundimin e misionit ushtarak në dhjetor 2014. Një kontingjent më i vogël do të mbetet megjithatë, siguroi Presidenti. Kërkesa e Obamës për t'i dhënë përparësi zgjidhjeve diplomatike nuk gjeti miratim tek shumë republikanë. Senatori John McCain duke folur për Deutsche Welle, e kritikoi Presidentin që ditën para fjalimit për mungesë force drejtuese: "Ajo nuk ekziston sa i takon sigurisë së kombit", tha McCain. "E vetmja gjë që ai thotë është: dua të largohem. Ai thotë se do të largohet nga Iraku dhe largohet. Ai thotë se do të largohet nga Afganistani." Por deri tani Obama nuk ka thënë se sa ushtarë duhet të mbeten në vend. Konkluzioni i McCain: "Nuk ka lidership. Ky është një kapitull i turpshëm i historisë sonë."

Frank Loy e kundërshton me vendosmëri këtë këndvështrim. Duke iu referuar Afganistanit ai sheh megjithatë një rrezik: "Ne i tërheqim trupat tona dhe kaosi shpërthen në shumë pjesë të vendit, pasi forcat afgane të sigurisë nuk janë në gjendje të kontrollojnë vendin." Por ky rrezik do të ishte edhe pas disa vjetësh, shton Loy. Në pjesën e fjalimit për Iranin ai sheh një prej deklaratave "më të guximshme", pikërisht aty ku Obama në rastin e sanksioneve të reja kundër Iranit e kërcënon Kongresin me një veto të tijën.

Evropa thuajse nuk përmendet

Evropën Obama e përmendi më shumë për të përmbushur një detyrim vetëm me një fjali, po kështu edhe skandalin e NSA-së, pa u marrë në këtë kontekst me shqetësimet evropiane. Kjo mund të ngjallë skepticizëm të ri në vendet evropiane.