1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shanset dhe rreziqet e një angazhimi ushtarak në Libi

Përballë mënyrës brutale të të vepruarit të diktatorit libian Gadafi popullit të tij, bashkësia ndërkombëtare diskuton edhe masa ushtarake, si ngritjen e një zone të ndalim -fluturimit . Po kjo është më se e diskutueshme

Kryengritës në Bengazi

Kryengritës në Bengazi

Ibrahim Dabbashi, zëvendësshefi i misionit libian në OKB, i shkarkuar nga nga Muamar Gadaffi ishte njëri ndër të parët që kërkojnë një zonë ndalim fluturimi në Libi. Midis lotëve ai foli për një gjenocid që kish nisur në Libi, të cilin bashkësia ndërkombëtare mund ta ndalonte vetëm me ndërhyrje ushtarake. Por sa realist është një angazhim i tillë?

Një mandat përkatës i OKB-së mund të derivohet nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare nga detyrimi për mbrojtje, të cilin Kombet e Bashkuara e kanë përcaktuar në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme në vitin 2005. Në të ndër të tjera thuhet:

"Që kudo ku kryhet një masakër ndaj popullatës civile, me tendenca të afërta me gjenocidin, atje bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi për t'i mbrojtur këta njerëz".

Shtetet ndërhyjnë kur u preken interesat

Këtë e sqaron politologu Carlo Massala nga Universiteti i Bundesvehrit në Mynih. Por nëse kategoria e gjenocidit përshtatet me raportet në Libi, kjo është shumë e diskutueshme ndër ekspertët. Aq më tepër kur bashkësia ndërkombëtare në realpolitikën e saj e ka ndjekur deri tani shumë e rezervuar përgjegjësinë për mbrojtje.

"Në krahasim me atë që ka ndodhur para disa vjetësh në Darfur, Libia, edhe nëse tingëllon cinike nuk është gjë fare. Dhe megjithatë ne nuk ndërhymë në Darfur. Shtetet ndërhyjnë normalisht në ato raste, kur duan të mbrojnë interesat e tyre dhe jo mbi bazën e ndonjë detyrimi sipëror për intervenim të së drejtës ndërkombëtare."

Për një zonë të ndalim fluturimit ose një ndërhyrje më largvajtëse duhet të japë aprovimin e tij Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Vetëm javën e kaluar votoi ky organ njëzëri për sanksione kundër Libisë. Nëse ky qëndrim i bashkuar do të vlejë edhe për ndërhyrje ushtarake, qoftë edhe vetëm për të krijuar një zonë të ndalim-fluturimit, për këtë mund të dyshohet. Republika Popullore e Kinës ose Rusia do ta kundërshtojnë këtë me shumë gjasa me veton e tyre. Atëherë Perëndimit do t'i duhej të veprojë pa një mandat të OKB-së. Por edhe vetë në NATO, e cila është e vetmja që i ka mjetet ushtarake për një gjë të tillë, ka rezerva të forta në këtë drejtim.

Disa vende të NATO-s e kundërshtojnë ndërhyrjen ushtarake

Turqia është rreptësisht kundër, në Francë dhe në Gjermani ka rezerva. Hennig Riecke, ekspert për politikën e sigurisë në Shoqatën gjermane për Politikën e Jashtme është gjithashtu skeptik:

"Një zonë e ndalim-fluturimit është një çështje kaq e komplikuar sa ka pak shanse që ajo të zbatohet në plan afatshkurtër. NATO- ja vërtet që do të ishte në gjendje që ta zbatonte një zonë të tillë të ndalim-fluturimit. Por çështja është për sa kohë duhet të bëhet kjo, ç'përmasa duhet të ketë operacioni dhe çfarë përfshin me të vërtetë mandati i Kombeve të Bashkuara."

Autor: Daniel Scheschkewitz/Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM