1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shanse të vogla për ratifikimin e Marrëveshjes për Ndalimin e Armëve Bërthamore

Marrëveshja për Ndalimin e Armëve Bërthamore është miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në vitin 1996. Për futjen e saj në fuqi ajo duhet të ratifikohet prej të gjitha vendeve, me teknologji bërthamore më 1996.

Një stacion nënujor në ishullin kilian San Fernandez për mbikqyrjen e marrëveshjes CTBT

Një stacion nënujor në ishullin kilian San Fernandez për mbikqyrjen e marrëveshjes CTBT

'Presidenti do të punojë muajt e ardhshëm që marrëveshja të pranohet'

"Ne të gjithë duhet të ndalojmë përhapjen e armëve bërthamore dhe të synojmë një botë pa armë atomike."

Në shtator të vitit të kaluar, Presidenti Barack Obama fliste në OKB, për misionin e tij paqësor në mbarë botën. Për herë të parë një president amerikan drejtoi edhe një seancë të posaçme të KS të OKB-së, ku u miratua një rezolutë e cila parashikon asgjësimin e të gjitha armëve atomike. Të njëjtën ditë në Uashington u mbajt një konferencë për ndalimin e armëve atomike, në të cilën Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton kumtoi:

"Ne besojmë se Marrëveshja për Ndalimin e Armëve Bërthamore është pjesë e çarmatimit atomik. Presidenti do të punojë muajt e ardhshëm që marrëveshja të pranohet dhe të ratifikohet në Senat dhe të ratifikohet prej vendeve të tjera, me qëllim që më në fund të futet në fuqi."

SHBA-ja ende nuk e ka rafitikuar këtë Marrëveshje për shkak të Senatit. As ish-Presidenti amerikan Bill Clinton, para 11 vitesh, nuk arriti të sigurojë shumicën e duhur prej dy të tretave në Senat. Kundërshtarët janë të mendimit se SHBA-ja më nuk do të ishte në gjendje që të testojë armët e veta. Por eksperti Stephen P. Cohen pohon se ndërkohë mjaftonë edhe testet në laborator.

"Ne kemi kaq shumë armë të ndryshme dhe jemi gati të sigurt se shumica funksionon. Më e keqja që mund të ndodhë është që në qoftë se hedhim 50, 100, apo 1000 bomba, disa prej tyre të mos shpërthejnë. Në këtë mënyrë do të dëmtohej pak potenciali për frikësimin e të tjerëve, por edhe ky potencial mjafton."

Mundësitë teknike për mbikqyrjen e marrëveshjes ekzistojnë

Edhe argumenti tjetër i kritikëve ka humbur në peshë: vështirësitë për mbikqyrjen e realizimit të marrëveshjes. Mundësitë teknike ndërkohë janë shumë më të mira. Bota e di se prej miratimit të kësaj Marrëveshjeje në OKB, teste ka pasur në Indi dhe Pakistan në vitin 1998 dhe në Korenë e Veriut më 2006.

Ndërkohë në SHBA është krijuar një koalicion i gjerë për ratifikimin e Marrëveshjes. Ish-ministrat e Jashtëm George Schultz dhe Henry Kissinger, kandidati i dikurshëm i demokratëve për president John Kerry dhe vetë ministri i Mbrojtjes Robert Gates, janë ndër ata që e kanë mbështetur Marrëveshjen.

Në fakt nuk ekziston asnjë shkak që Marrëveshja të mos ratifikohet, pohon Michael Krepon, bashkëthemelues e Qendrës Henry L. Stimson.

"Nëse Presidenti në të ardhmen mendon se teste të tjera janë të një interesi të veçantë kombëtar, atëherë marrëveshja mund të pezullohet. Kjo vlen për secilin vend."

Obamas i duhet autoriteti për shumë reforma

Megjithatë Marrëveshja CTBT nuk është e pakuptimtë, meqenëse testet e armëve gati në tërësi kanë pushuar. Në qoftë se ajo ratifikohet edhe prej SHBA do të ratifikohej edhe prej vendeve të tjera. Indonezia ka deklaruar se do ta miratonte menjëherë, ndërsa sinjale pozitive kanë ardhur edhe prej Kinës. Do të mbeteshin edhe Algjeria, Irani, Izraeli, Pakistani, Koreja e Veriut dhe India. Ndërsa Rusia e ka nënshkruar dhe ratifikuar atë në vitin 2000.

Presidentit Barak Obama i duhet tani që të përdorë të gjithë peshën politike, për të arritur këtë qëllim. Por bartësi i çmimit Nobel për paqen duhet ta mendojë mirë, nëse do ta përdorë këtë autoritet, sepse autoriteti i duhet edhe për zgjidhjen e disa problemeve të tjera shumë të mëdha, si reforma e sistemit të shëndetësisë dhe mbrojtja e klimës, ku rezistenca e republikanëve ende ëshë shumë e fuqishme.


Autor: Christina Bergmann/ Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi