1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

091110 EU Fortschrittsbericht

10 Nëntor 2010

Për Turqinë dhe vende të Ballkanit ka edhe më tej pengesa të mëdha për të hyrë në BE, bëhet e qartë në raportin më të fundit të progresit të Komisionit të BE, për vendet kandidate e ato që e duan një status të tillë.

https://p.dw.com/p/Q3Nz
Kroacia kryeson kandidatët
Kroacia kryeson kandidatëtFotografi: AP Graphics/DW

Aktualisht ka katër kandidatë zyrtarë të BE: Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Turqia dhe që prej kësaj vere, Islanda. Shanset më të mira për një anëtarësim të afërt i ka Kroacia. Ndoshta që në vitin 2012 Kroacia mund të bëhet anëtare e BE. Jo më të dobëta janë shanset e Islandës, megjithëse ajo interesohet për anëtarësim në BE vetëm që prej krizës financiare. Por ky shtet i Atlantikut të Veriut i plotëson që sot shumicën e kërkesave të BE.

Kjo në një kohë, kur negociatat me Maqedoninë janë bllokuar - nga qendrimi i Greqisë. Greqia ka një provincë me të njëjtin emër dhe druhet për pretendime territoriale të fqinjit të saj verior. Në mënyrë të papritur shpejt avancon Mali i Zi i vogël. Komisari i zgjerimit, Stefan Füle e sheh këtë vend në rrugë të mbarë: "Komisioni rekomandon që Këshilli (i shteteve anëtare) t'i japë Malit të Zi statusin e një vendi kandidat."

Pamje simbolike. Harta e integrimit e vendeve të ish-RFGJ-së, duke përfshirë edhe Kosovën, tanimë shtet
Pamje simbolike. Harta e integrimit e vendeve të ish-RFGJ-së, duke përfshirë edhe Kosovën, tanimë shtetFotografi: DW

Mali i Zi - përparime në demokraci, mungesa në administratë

Mali i Zi ka bërë përparime të mëdha në demokraci dhe të drejtat e njeriut, u tha. Por kërkohen me urgjencë reforma të tjera, para së gjithash në drejtësi dhe në administratën shtetërore, e cila vazhdon të jetë shumë e politizuar. Edhe Shqipëria pati shpresa për një rekomandim të tillë, por nuk e mori atë hë për hë, për shkak të problemeve të mëdha në politikën e brendshme. Por deri në dhënien e statusit kandidat dhe nisjen e negociatave me Malin e Zi është ende një proces i gjatë, të cilin e përcaktojnë para së gjithash shtetet anëtare.

Vende të tjera të Ballkanit, si Serbia, Kosova ose Bosnje-Hercegovina duhet të tregojnë gjithashtu durim. Por Komisioni përsërit në çdo rast, që derën ato e kanë të hapur, varet prej vetë këtyre vendeve, sa shpejt do t'i afrohen ato BE.

Turqia ka ende probleme
Turqia ka ende problemeFotografi: picture-alliance/dpa

Rezervat për Turqinë janë edhe parimore

Në rastin e vendit kandidat, Turqisë, Komisioni lëvdon para së gjithash reformën kushtetuese të vendosur pak kohë më parë, por tërheq vëmendjen që ajo të zbatohet. Përndryshe, Komisioni konstaton se ka edhe më tej probleme, si vrasje në emër të nderit, martesa me detyrim ose dhunë në familje. Dhe thjesht "asnjë përparim" nuk ka në afrimin e Turqisë me shtetin anëtar të BE, Qipron. Para së gjithash për këtë shkak aktualisht janë të bllokuar disa kapituj të negociatave. Megjithatë, pavarësisht nga mungesa e përparimeve në fusha të veçanta, rezistenca për një anëtarësim të plotë të Turqisë është e madhe.

Werner Lange, anëtar i Grupit CDU/CSU në Parlamentin Evropian, ka rezerva parimore: "Unë besoj se Evropa nuk mund ta përtypë Turqinë si anëtare, sepse Turqia është shumë larg në sistemin e saj politik, në traditat e saj, nga modeli evropian i shoqërisë dhe demokracisë. Besoj se ne na duhen marrëdhëniet e mira me Turqinë, kemi një bashkim doganor, një politikë të përbashkët sigurie me Turqinë - pra ka edhe partneritet, pa anëtarësim të Turqisë."

Megjithatë Komisioni i përmbahet parimisht anëtarësimit të Turqisë në BE. Kushti i vetëm është plotësimi i kërkesave për reformë.

Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi